‘Hajde dardha, dardha...’

‘Hajde dardha, dardha...’

Nga Agim Xhafka - 03/07/2021

(Skicë plazhi)

Dëgjova një zë të dobët, “dddardha, ja kkkëtuu” e më pas para çadrës në plazh një mesoburrë rreth të pesëdhjetave. Elegant, nxirë nga dielli, por me fytyrë shumë të zbehtë, majë kokës i rrinte një kapele dielli shumë e vogël si prej fëmije.

Varur në qafë një çantë e fryrë ku shkruhej në një letër mbërthyer me kapëse rrobash “Një qese dardha = 200 lekë"

- Jo, - ia preva shkurt. Ai eci më tej. Pashë që çalonte, e hidhte këmbën shkujdesshëm, sikur ia tërhiqte toka. Por dhe një dorë nuk e lëvizte. Ah, m'u kujtua. E kisha parë edhe vjet rrotull shezloneve.

- O Fuat,- i bërtita. M'u kujtua emri i tij. - Pa eja pak,se dua të ble nja tre qese.

U rrotullua lehtë e bëri një pauzë orientimi. Pastaj erdhi duke goditur fort rërën me një këmbë.

- Urdhëro, 600 lekë. - Me zor vendosi dorën mbi zinxhirin e çantës, por nuk e shtynte dot më tej. U nervozua. E hapa unë, nxora tre qese dardha, te xhepi i këmishës i vura lekët.

- Fffmmmndert, - dëgjova dhe pashë se nga goja po i rridhnin ca jargë. Mora një facoletë dhe e fshiva. Syri iu zmadhua, iu njom. U rrotullua dhe iku duke çaluar e duke u hepuar nga një krah.

Historia e tij është dhimbja vetë. Ka pësuar hemoragji cerebrale kur ishte 45 vjeç. Ia mori një krah, një dorë dhe thuajse të folurën. Punonte hidraulik në ca vila nga Dhërmiu kur e gjeti gjëma e nga që nuk e kishin siguruar, nuk fitoi as përkrahje e as pension të pjesshëm.

Rruga për KEMP iu duk kaq e lodhshme sa e la dhe mbi sëmundjen iu shtresua dhe depresioni. Rrinte me sytë lart e lutej të ikte. Në këto çaste i lexohej gëzim në fytyrë.

Këto i tregon çdo kamarier i Bregut. Se ai bredh e shet si ambulant dardha, kajsia, fiq, qershi. E gjeti si mbijetesë, ka tre fëmijë e ende nuk i ka krahë.

Fuati nuk është nga këto anë. Është nga Devolli, erdhi shumë vjet para për të punuar në ndërmarrjen bujqësore. Atëherë i ri fringo u martua me një deli gocë e patën aq e aq ëndrra.

Tani ai që nuk duhet të bredhë, bredh ai që nuk duhet të rrijë në vapë; rri mes zhegut stoik e kërcënues. Këmbën e hedh me komandën e ekuilibrit, jo të mendjes, dora i valëvitet pa leje si një leckë e varur majë një kallami.

Dramën e tij Fuati po e luan vetë dhe po vetë është regjisor. Atë e shohin të gjithë, shoqëria, shteti, fqinjët, farefisi e askush nuk paguan biletë, një spektakël falas, por spektakël makabër.

Lëviz i sëmuri mes trupave lakuriq të drejtuesve të shtetit, mes vip-ave të artit e medias, mes të rinjve e të rejave dhe shet dardha. Nuk ka gojë të thotë sa kushtojnë ndaj e vendos çmimin mbi çantë, nuk ka fuqi të peshojë ndaj fëmijët ia bëjnë qese - qese qysh në shtëpi.

Fuati endet në plazhet shqiptare me dinjitetin e tij të plotë. Nuk do lëmoshë, do hakun e punës. Ecja e tij tund tokën, por ende jo njerëzit e përgjegjshëm, njerëzit e mirë që këtë njeri ta marrin në krahë e ta çojnë në një spital modest, ta detyrojnë të pushojë, të kurohet, të kuptojë se ai nuk është kafshë apo shpend mali.

Mbase ai e pret këtë ndërsa rrotullohet mes plazheve duke kërcyer mbi këmbën e pajetë. Pret që dikush si Zoti ku ai falet, ta përfshijë për mesi, ta rrokë me dashuri duke i thënë:"Fuat, fale shoqërinë tonë që harron të tregojë kujdes ndaj të pamundurve, fale që nuk të sheh as mes plazhit e as mes diellit se si ti luan me vdekjen! Fale se jemi hashashizuar të gjithë!"

E pashë kur po largohej nga plazhi, si hije...dielli po perëndonte e figurën e tij e përfshinë rrezet e nxehta. Fatkeqi Fuat...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco