Ku po e çon mushka, Edi Ramën?

Ku po e çon mushka, Edi Ramën?

Nga Gentian Gaba - 21/01/2021

Gjuha e helmatisur e Edi Ramës ndaj Bashkimit Europian, ka shkaktuar debatin për të cilin kryeministri kishte shumë nevojë. Një fllad freskie, për të lëvizur sadopak ajrin e rëndë që mbush ambientet e një pushteti të mbytur nga stanjacioni i mosarritjeve.

Një debat që i lejon Ramës ta vozisë opinionin publik larg vetes, larg premtimeve të pambajtura, larg dështimeve të njëpasnjëshme në fushën e integrimit europian. Një debat që ngjason shumë me fabulën e Ezopit, dhelpra dhe rrushi.

Që përpiqet ta pikturojë Europën e paarritshme nga Rama, si të keqe, ndërsa nga ana tjetër kryeministri kërkon që me këto lëshime të gojës, të shfaqë veten njëkohësisht sypetrit përballë “imperialistëve”, si dhe të djegur nga “padrejtësia” e shpërndarjes së vaksinës. Vaksinë për të cilën ai, “lideri botëror”, po bën përpjekje të hatashme për ta siguruar për popullin e tij.

Një retorikë që nga njëra anë kërkon të rrisë imazhin e ‘liderit’, ndërsa nga tjetra kërkon ta transformojë vaksinimin në një mision në dukje të pamundur, për t’i dhuruar në çdo dozë të injektuar, sado të pakta qofshin ato, një mundësi për ta portretizuar atë si shpëtimtar. Pra, një elektoralizim i tejskajshëm për një ndodhi që do të jetë e gjithëbotshme, (herët apo vonë vaksina do të vijë në sasinë e duhur në Ballkan dhe në Shqipëri) dhe që na ilustron edhe njëherë se si aventurat me sytë nga zgjedhjet, rrezikojnë të prodhojnë efekte anësore për vendin tonë.

Jo se Bashkimi Europian do t’i mbajë si vath në vesh deklaratat e Ramës, me qëllim ndëshkimin e Shqipërisë. As do të ndëshkojë Ramën, sepse tashmë e dinë se me kë kanë të bëjnë dhe çfarë ka bërë gjatë qeverisjes së tij.

Rreziku real, duke pasur parasysh edhe intensitetin e propagandës kryeministrore, e cila depërton në çdo media, të reja e të vjetra, është krijimi te një pjesë e opinionit publik i një ndjeshmërie antieuropiane, e cila mund ta shohë Europën me sytë e Ramës, i cili, nga ana tjetër, e sheh BE-në duke mbajtur një sy nga hallet e tij zgjedhore, dhe jo si një bashkim vlerash që, paçka problemeve të brendshme, ngrihet mbi një model demokratik që garanton liri dhe mirëqenie për qytetarët e Unionit. Një Union që ka qenë dhe mbetet një nga donatorët më të mëdhenj për Shqipërinë, bujaria e të cilit nuk ndalet nga populizmi me të cilën trajton këto çështje, Edi Rama.

Ky i fundit, sado i ethshëm për të marrë pjesë në debatet mbi gjendjen e BE-së dhe të ardhmen e saj, është ndër politikanët që e ka më të lehtë të shohë ashklën te syri i tjetrit se sa traun te syri i tij.

Sepse ideatori i monizmit të ri shqiptar, përçarësi dhe armiku i debatit politik, nuk ka çfarë t’u mësojë europianëve. Në këto raste do të ishte e udhës që kryeministri të kundronte pa filtrat e propagandës qeverisjen e tij: korrupsionin, krimin e organizuar që ndërhyn në zgjedhje, kriminalizimin e institucioneve, kanabizimin e vendit, azilkërkuesit që janë shumëfishuar gjatë qeverisjes së tij, PPP-të që i kanë marrë frymën buxhetit, sidomos shëndetësisë, ndihmën më të ulët ekonomike për pandeminë, e kështu me radhë, për të kuptuar se nuk do të kishte nevojë të lypte e as të lëshonte vikama kundër BE-së, por do të ishte në gjendje të përballonte më së miri sfidat, madje do të ishte edhe më pranë Europës.

“Ku po të çon mushka?”- është një shprehje popullore që i rri si dorashkë këtij momenti të politikës sonë. Me sa duket Edi Rama këtë e di, dhe është një zgjedhje që ai e bën për shkak të 25 prillit që po afron. Ndërsa qytetarët, të cilët nuk janë pyetur për këtë shteg të ri të diplomacisë personale të kryeministrit, po të njëjtën ditë duhet të mbajnë një qëndrim: Ramën ose Europën. Një zgjedhje në dukje jo e vështirë, pasi dihet se ku të çon mushka…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Selman Dervishi-Mani,USA.poet22/01/2021 00:58

HEU,KU E ÇON MUSHKA KRYEMINISTRIN SHQIPTAR;EU,ZU E SHKON KRUSHKA
FRYEKRIMISTRIN ZGRIPZVARR! KUSH IA MBUSHË GRAZHDIN PLOT O PËRPLOT
ME TAXHI;HUSH BABUSH DRASHKIN LOT PËRLOT HANXHIN;TREGU TREGTIE PA
HANXHIN;ÇTHERKU FERRGRIE NA VARRGRIN; MASHTRIM MUSHKËS VETËM PËR
GRAXHDIN; LASHTKRIM KRUSHKË MBETËM GJËR GRANDIN; TREGU I TREGTARIT
ZVERKU I BRENGVRARIT; SHITJA TERË PASURIE MBARË KOMBËTARE SHQIPTARE
RSHQITJA VRER TRASHGIMIE FARË KOBËTARE SHKRIPZARE; AH,KËTA KANIBALË,
HATA KATASTROFALË;QË KURRË HË BURRË;NUK DO NGOPËN,AS NUK DO KOPËN,
ME GJAK DHE PRAG MBARË SHQIPTARISË;ME GJAK-PRAG MBARË SHQIPTARISË!
MANI,USA.

Shto koment

Denonco