Njerëzit flenë në çadër, rilindja në charter

Njerëzit flenë në çadër, rilindja në charter

Nga Ermir Gjinishi - 27/11/2020

Dhimbje, lot, zhgënjim. Ky është trishtimi i kësaj dite, një vit pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019. Banorët e pastrehë po kalojnë dimrin e dytë jashtë, bashkë me rrezikun e kovidit mbi shpinën e kërrusur nga premtimet e gënjeshtërta të një sekti gënjeshtarësh. Bilanci i tërmetit ishte katastrofik. 51 viktima, 913 të plagosur, 200 mijë banorë pa strehë, 90 mijë banesa të pabanueshme, 11 mijë të dëmtuara. Nën sëmundjen e vetëkrekosjes paranojake, kryerilindasi deklaroi se në shtator të gjitha shkollat do të ishin të përfunduara dhe në fund të 2020-ës gjitha banesat e ndërtuara. Klishetë e monologjeve boshe të ERTV-së kanë vlerën citimit latin: Avantazhi i budallait është se ai është gjithnjë i kënaqur me veten.

MASHTRUES! Njeriu që para një viti premtoi se pikërisht sot, të gjithë banorët do të kishin shtëpitë e reja, fluturoi me charter dhe na la në dorë një video dopiogjashtë. Shkeli pabesisht kujtimin e 51 viktimave që fjetën për të mos u zgjuar më nën rrënojat e betonit vrastar të sekto-rilindjes. Jeta e njeriut është gjëja më pavlerë në tefterët e mafio-rilindjes. Kryerilindasi dhe tufa e tij me maska, mashtron të gjallë e të vdekur. Mashtrimi është serumi i këtij sekti ogurzi që vendit i solli vetëm mjerim, varfëri, braktisje dhe vdekje.

Sot, megjithëse më shumë se 4,000 shqiptar kanë mbetur pa shtëpi, 12,000 familje në çadra dhe 13.365 të tjera me qera, Kryehaqimi i qeverisë së oligarkëve, pa ja ndjerë, poston video e foto si të jetë duke pozuar për revista Play Boy. Striptizmi i tij politik është kartolina e shërbimeve për oligarkët dhe kamxhiku i mjerimit të popullit.

DEMAGOGJI! Tërmeti nxorri zbuluar videot 3D me rezolucion që poston kryedemagogu nga bunkeri i tij. 90% e stacioneve të sizmiologjisë në gjithë vendin ishin pa burim energjie rezervë, ndërsa Departamenti i Sizmiologjisë nuk kishte fonde për studime shkencore. Vetëm pas një muaji Instituti i Sizmiologjisë pranoi zyrtarisht se lëkundjet ishin të magnitudës 6.4 të shkallës richter, dhe zgjatën rreth 1 min.

Kaosi post-tërmet tregoi se autoritetet përkatëse kishin mungesë eksperience dhe ekspertize. Logjistika dhe mjetet operative specifike mungonin, ndërsa punonjësit e kërkim-shpëtimit përfunduan nëpër gomosteritë aty pranë për të adaptuar mjete shpëtimi ndihmëse. Më keq se kaq, nga 51 viktima, afro gjysma e tyre (24 vetë) humbën jetën pasi ishin rifutur në banesa pas lëkundjeve të shtatorit, ndërsa institucionet e shtetit, në shkelje flagrante të ligjit, nuk i ndaluan. Ky ishte krimi më i rëndë në këtë fatkeqësi.

Për muaj të tërë tërmeti nuk është përmendur në leksikun infantil të qeverisë megjithatë, Kryeqeveritari ynë gjithnjë gjen kohë mjaftueshëm të sulmojë opozitën me demagogji njëlloj si në fletë-rrufetë e kohës së etërve. Qenia puniste nuk jeton dot pa armiq. Ajo i krijon edhe kur nuk ekzistojnë.

E KORRUPRUAR! Kjo është damka e sekto-qeverisë në të gjitha raportet ndërkombëtare. Plani për rindërtimin është kthyer në një aferë korruptive. Vetëm në Durrës, tenderi për rindërtimin e 667 objekteve i është dhënë një kompanie e cila “rastësisht” është pronë e një ish-kryetari bashkie të rilindjes, ndërsa objektet e kategorisë DS4 i janë dhënë një dore të vetme. Papërmendur këtu abuzimet e pafundme në kategorizimin e objekteve, sidomos DS4 dhe DS3 dhe dëmshpërblimet e dhëna deri në mënyrë fiktive militantëve partiakë. Si nuk u lodhën duke vjedhur as në kohë morti. Njerëz të dehumanizuar.

Interesi publik për 8 vite nuk ka qenë prioritet i sekto-rilindjes. Termat kohorë mbi procedurat e rindërtimit, pas të cilave qeveria mundohet të fshehë vonesën dhe korrupsionin e saj galopant, nuk vlejnë për investimet PPP. Ndryshe nga projekti i rindërtimit, në rastin e incenetarorëve mafio-qeveria rilindase brenda një dite mori 14 vendime për xhepat e kompanive Offshore.

FAJTOR! Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për t’i bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë thotë Aristoteli. Për mafio-rilindjen ajo rrugë nuk ekziston. Ka një vullnet politik që krimi të mos zbardhet, Asnjë i dënuar deri tani për atë masakër urbane. Nuk do të ketë. Ndërtuesit janë oligarkë të sekto-rilindjes, firmëtarët dhe cerifikuesit yzmeqarë, ndërsa drejtësia vegël në duart e tyre. Reforma për drejtësi ka dështuar në mënyrë spektakolare. Me shpresën se do t’ia hedhë, mafjo-rilindja ka harruar efektin e matricës mitike të Platonit: Ai që kryen padrejtësi është gjithmonë më fatkeq se ai që e vuan atë.

Dënimi më i madh në jetë është të lejosh disa njerëz të qëndrojnë në jetën tënde më shumë se sa e meritojnë. Shqiptarët në çadra, rilindja në charter. Me gjithë këto turbulenca 8 vjeçare sekto-rilindja dhe ithtarët e saj nuk do të gjejnë vend ku të ulen më 25 prill.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari30/11/2020 20:28

Me pelqeu pergjigja jote Z. Krasastp. Flm.

krasasi tp30/11/2020 14:31

Skrapari, Unë i përkas 'shtresës' së fshatarve të humbur të shpërndar gjithandej , që mendojnë se as sistemi i drejtësisë,as ai arsimor,as ai shëndetësor, as ai admenistrativ, as ai i shoqërisë civile, nuk kanë qenë dhe as janë në parametrat demokratik. Klasa politike pos diktaturë, për qejf dhe interes të vetë, apo ngaqë ka qenë e detyruar të kopjoj 'relievin' e dizenjuar nga elita globaliste, kjo ha diskutim. Do vazhdojmë të qeverisemi përjetësisht, nga dhe me, parafabrikatet e elitës globaliste, apo do ndërtojmë Shtetin Modern Shqiptar , dmth demokratik dhe përfaqësues, kjo do varet nga zgjedhjet në ShBA. Nëse fitorja e Z. Trump do sanksionohet, shpresat do jenë të mëdha për progres botëror. Nëse 'dora e zotit' nuk do kapet dhe vlerësohet si penallti, do kemi Z.Bajden kampion. Por Zoti nuk toleron pafundësisht. Kombëtares Argjentinës nuk i ka ecur më edhe pse Messi nuk është më pak virtuoz se Maradona. Kur e tepron, zullumi kputet duke u trashur. Mos më keqkuptoni .Z.Bajden i uroj shëndet dhe një pensionim të lumtur.

Skrapari27/11/2020 21:46

Krasastp! Me vjen keq por te mos pranosh qe reforma ne drejtesi ka deshtuar nuk eshte serioze. Kete gje e di edhe njeriu me i humbur ne rrethin e Tepelenes. Se thote kinezja Kimete se reforma ne drejtesi po ecen dhe ne ti bejme temena kinezes vetem se eshte "ambasadore" e Shba kjo nuk shkon. E menderosi kinezi Lu ndersa Kimetja po i jep llustren e fundit.

Noni27/11/2020 16:50

O shqiptare te pastrehe e pabuksa , mos valle Edi me Benin shkuan deri ne Dubaj per t' ju blere shtepi per t' ju strehuar koken tuaj e familjare tuaj, apo per ju te mjeret , eshte kafshat qe s' kaperdihet ? Ju genjen mendja , mbasi , perseri , per vete mendojne . Mbas shume "sakrificash e lodhje" ne qe- vjedh-ri ,8 vjet vjedhje e xhvatje me duart e me kembe , ju takon ti bejne vetes dhurate nje vile edhe ne Dubaj , mbasi sa te pangopur jane po AQ dhjesacak dhe duan te sigurojne jeten e tyre ne vazhdimesi per te nesermen.

krasasi tp27/11/2020 14:02

"Reforma për drejtësi ka dështuar në mënyrë spektakolare". Kjo mesa duket juve ju kënaq. Ju nuk guxoni as ti përmëndni emrin krye/bashkiakut . Cilin ligj ka shkelur?. Apo për taktikë elektorale kërkoni ti tërhiqni shkelsit e ligjit në pazare për vota dhe pas marrjes së pushtetit ti harroni të gjitha siç ndodhe në vëndin ku klima e mosndëshkushmërisë është neni nr 1 i pa shkruar i kushtetutës, por që duhet nënkuptuar dhe pranuar. Ndaj ju djeg politikanëve
R.D.Shumica e qytetarëve me siguri mendojnë, se rilindja di të vjedh , por di edhe të fshej. Edi Rama të paktën nuk ka turp të lypi. Opozita nuk po ofron asnji alternativë për ndryshim. 'Alternativa' O Ne, O Ju, nuk është alternativë për të ardhmen për zhvillim dhe integrim. Opozita duhet të identifikoj dhe denoncoi aferat me fondet për rindërtim. Qarja e qytetarëve në takimet gju më gju me popullin nuk mjafton.

Shto koment

Denonco