Në vend të një requiem-i për 26 nëntorin 2019

Në vend të një requiem-i për 26 nëntorin 2019

Nga Oerd Bylykbashi - 26/11/2020

Një vit më parë tërmeti nuk tronditi e rrënoi vetëm pallate e shtëpi. Shembi 51 jetë e rrënoi shpirtërisht ato familje, të afërmit e tyre, tronditi zemrat dhe shpirtin e atyre që tërmeti i preku duke i plagosur, dhjetëra mijëra që i la pa shtëpi apo qe ua dëmtoi ato, e dhjetëra mijëra të tjerë që lanë shtëpitë të tmerruar. Tronditi shpirtin e të gjithë shoqërisë dhe e mbuloi me velin e zisë e të dhimbjes.

Punonjësit tanë të emergjencave gërmuan me duar e mjete rrethanore, sepse ishin të papajisur. Qindra ekspertë dhe vullnetarë të huaj, të trajnuar e pajisur nga shtetet mike, na u gjendën vëllazërisht mes fatkeqësisë‎. Çdo viktimë e nxjerrë ishte si një akuzë për babëzinë njerëzore. Çdo jetë e shpëtuar ishte si kumt i një mrekullie. Dhjetëra mijërat e fëmijëve, të rriturve dhe pleqve nëpër çadra në mes të shiut e të ftohtit, të shihnin me vështrimin e vrarë nga dhimbja e vuajtja‎. Një det trishtimi. Por edhe një det solidariteti mes njerëzve. Vetëm shteti nuk ishte aty ku duhej te ishte. Nuk është as sot pas një viti.

Durrësi ishte një qytet fantazmë në ditët që vijuan. Të dukej se ecje në Bejrutin e bombarduar. Rrugët bosh. Kush kishte mbetur, numëronte dridhjet e pasgoditjeve.

Një vit me parë tërmeti tregoi themelet e cekëta e në ujë të shtetit dhe politikës. Atij shteti që diku me mirëbesim, por pa eksperiencë e diku me babëzi e ndarje të skajshme politike, kemi ndërtuar në 30 vite. Një dështim që është zvarritur përgjatë tre dekadave duke vrarë shpresën me gjuhën e helmatisur të babëzisë.

Ndaj duhet rindërtuar gjithçka, jo thjesht muret, por edhe mënyra si funksionon shteti, se si politika vendos për qytetaret, se si reagojmë dhe kërkojmë llogari, por edhe se si të përballojmë bashkë fatkeqësitë. Duhet një arkitekturë dhe standarde të reja për të ndërtuar shtetin e drejtë të shqiptarëve për shqiptaret. Jo thjesht për pak politikanët që vijnë e ikin periodikisht.

Shqiptaret nuk jetojnë në ekrane LED me projekte 3D të qeverisë së Edi Ramës. Shqiptarët e kuptojnë se si vidhet me projektet e rindërtimit, shohin se si hienat e qeverisë i janë turrur barkut të shijshëm e të butë të fondit të rindërtimit prej 1 miliard euro për ta shqyer. ‎Kanë parë se si ndërrohen letrat dhe me korrupsion e klientelizëm politik nga DS1 dëmshpërblehesh si me dëmtim DS4. Por ka shumë që shtëpitë i kanë vërtet të shkatërruara, por zvarriten zyrave e premtimeve boshe dhe vetëm një bonus qiraje kanë marrë, ndërkohë që i zuri dimri i dytë jashtë shtëpive. Ka akoma më keq, shumë janë ende në çadra apo streha të sajuara në oborre. Ndërkohë prishen pallate sepse është vend i mirë për të ndërtuar, por pallate gërmadhë qëndrojnë në këmbë si akuzë. Ndërtesat që premtoi kryeministri janë postera elektorale sepse gjithçka bëhet për pushtetin e mandatit të tretë dhe jo për hallexhinjtë.

Zoti mos na provoftë ‎më si një vit më parë! Një vit më pas, 26 nëntori 2019 bie si një kambanë e kobshme për të na kujtuar se “muret” rrethuese të qytetit kanë rënë e duhen ringritur të forta e pa humbur më kohë, sepse barbarët e babëzisë së korrupsionit janë aty jashtë mureve të rëna të shoqërisë sonë, gati të turren e shqyejnë buxhetin e radhës së taksave tona.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gerdeci e Termeti28/11/2020 19:19

Ka kaq vite që aksidentin tragjik të Gërdecit, komunistët shqiptarë e kanë propoganduar e vazhdojnë ta propogandojnë si "vrasje qeveritare"
Në ate aksident, numuri i viktimave ishte 26.
Në tërmetin e 26 nëntorit të 2019-s, numuri i viktimave shkoi në 51 kurse i demeve materiale, as ka të krahasuar.
Për Gërdecin , jo vetëm prokuroria shqiptare por edhe specialistë të kriminalistikës nga vënde të tjera, erdhën e hetuan arsyen e shpërthimit, e dolën me përfundimin se ishte një puntor saldator që nga pakujdesia po saldonte në oborin pranë depove me lëndë pasëse, me barutin të shpërndarë në tokë që pasi mori flakë nga shkënditë e saldimit , flaka depërtoi deri në mbrendësi të fabrikës duke shkaktuar shpërthimin.
Fatkeqësisht, edhe vetë saldatori gjeti vdekjen nga ajo pakujdesi..
Sigurisht që drejtësia nuk kishte se si të dënonte saldatorin për këtë ngjarje., por së pari dha dorheqjen ministri i mbrojtjes, u arrestuan pronari e drejtuesit e fabrikës, nëpunës përgjegjes në ministrinë përkatëse, si dhe disa oficerë që kishin përgjegjësinë e kontrollit të sigurisë..
A kishte përgjegjesi qeveria Berisha për ate ngjarje tragjike ?
Sigurisht që moralisht e ka çdo qeveri përgjegjësinë për çdo aksident të këtyre përmasave.
Por ama , ashtu të korruptuar siç e kemi drejtësinë, ajo e bëri punën e saj, paçka se fajtori kryesor, pronari i fabrikës një biznesmen ndërtimi, mik i kryetarit të bashkisë Rama, u lirua shpejtë nga burgu..
Fabrika e demomtimit të armëve të vjetra që kishte grumbulluar paranoiaku diktator Enver Hoxha, u ngrit me kërkesën e NATO ku Shqipëria kishte aderuar, pasi këto armë të shpërndara në depo pranë qendrave të banuara, veç rrezikut të shpërthimit ,, siç e pamë sollën edhe vitin tragjik të vrasjeve të shumza me armët e grabitura nga këto depo.
Për ta politizuar këtë aksident tragjik, u sajua një histori mashtruese se gjoja biri i kryeministrit paskej marë pjesë në tregëtimin e armëve, një akuzë që nuk u vërtetua asnjëherë, ndonëse ky fakt nuk kishte asnjë lidhje me shpërthimin.
Le të hidhemi tani jo tek aksidenti, por tek fatkeqësia natyrore, tërmeti.
Ka vite e vite që në opinionin publik shqiptar ka ekzistuar shqetësimi se ndërtimet e ndërhyrjet kaotike në ndërtime në rrugë abuzive, me e pa leje,në rast të ndonjë tërmeti, do të mund të krijonin një tragjedi.
Dhe ashtu ndodhi vërtetë.
Për Thumanën ku ndodhi thuajse gjysma e viktimave, tashmë dihet se fajtore është qeveria qëndrore dhe bashkia e Krujës. e pa droje mund të thuhet se nuk ishte tërmeti që vrau, po indiferenca e pushtetarëve.
Në zonat e tjera , ato ndërtime që ishin bërë me parametrat e duhura të sigurisë sizmike, nuk pati dëme e as viktima, kurse në të gjitha ndërtimet e bëra pa këto rregulla, apo me ndërhyrje abuzive, pati viktime e shkatërime të shumta.
NJë vit pasi ndodhi tërmeti, ndonëse u premtua se drejtësia do të bëjë namin me ndëshkimin e fajtorëve, edhe ato pak persona që u arrestuan, janë lënë të lirë e bile disa edhe në postet komanduese që kishin..
Nuk po flasim për premtimet për rindeërtimet e tërmetit, por le të kujtojmë se eleminimin e pasojave të aksidentit të Gërdecit, qeveria Berisha e realizoi mbrenda pak muajve, e ishte kjo arsyeja që banorët e asaj zone e votuan ate përsëri.

Shto koment

Denonco