Basha doli ballëlartë, në Shtëpinë e Verdhë mbetën vetëm Rama dhe Vuçiçi

Basha doli ballëlartë, në Shtëpinë e Verdhë mbetën vetëm Rama dhe Vuçiçi

Nga Gentian Gaba - 16/11/2020

Edi Rama mban në duart e tij një bombë me sahat, kurdisja e së cilës është kryer nga vetë kryeministri. Me një dimër të vështirë përpara dhe zgjedhjet në fund të tij, drejtuesi i shtetit më të varfër ne Europë, që paradoksalisht renditet i pari në Kontinentin e Vjetër për numrin e koncesioneve dhe PPP-ve, po i afrohet takimit me votën me një bilanc anemik. E ndërsa tringëllima kumbon duke shënuar afrimin e një çrregullimi të shkaktuar nga keqmenaxhimi i pasurive publike në këto shtatë vite e gjysmë, të cilit i shtohen kusuret e pandemisë, që Rama ka menaxhuar me po atë ‘talent’ të këtyre dy mandateve, kryetari i PS-së po kërkon shpëtim tek arma e vjetër, delegjitimimi i kundërshtarit.

Andaj, edhe prej disa ditësh batareja kryeministrore është drejtuar ndaj Lulzim Bashës, me një akuzë të rremë, të ricikluar disa herë në vigjilje fushatash zgjedhore. Bëhet fjalë për raportin tashmë të rrëzuar të Dick Martyt dhe shtëpinë e ëndrrave të agjenturave anti-shqiptare, te ashtëquajturën “Shtëpi të Verdhë’.

Këto që dikur ishin akuza të fabrikuara për t’u përdorur kundër Kosovës, sot po përdoren nga qeveria shqiptare kundër kreut të opozitës. Një dëshmi kumptimplotë e degradimit të mbajtësit të pushtetit dhe mediave oborrtare, që pa kurrfarë përgjegjësie për dëmin që i shkaktojnë Kosovës dhe çështjes shqiptare, përsërisin si papagaj akuzat e thurura për të goditur çdo gjë që është arritur nga ’99-ta e këndej, vetëm për të mbrojtur pushtetin e tyre.

Për autorët e këtij mashtrimi, nuk ka rëndësi trashësia qesharake e asaj që po tjerrin, as provat që hedhin poshtë shtëpinë e letrave që kanë ngritur për të mbajtur në këmbë, bashkë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë. E rëndësishmë është vetëm mbijetesa e tyre politike, e nëse kjo nuk ndodh, të tjerëve t’u mbetet qameti, qofshin ata në Hagë, Prishtinë apo Tiranë.

Rama e di që eksperti i OKB-së Jose Pablo Baraybar ka mohuar kategorikisht prej vitesh “të ishte shprehur për gazetën zvicerane “Le Tiemps” se kur kishte vizituar “Shtëpinë e Verdhë” ai shoqërohej nga Lulzim Basha’. Po ashtu, Rama e di që hetimet e kryera nga EULEX-i kanë treguar që nuk ka anjë provë për ‘Shtëpinë e Verdhë’.

Atij nuk i intereson e vërteta, por rindërtimi i kësaj shtëpie imagjinare, qoftë edhe në stilin e tij të preferuar 3D, vetëm për të bërë pis Bashën me lajme të rreme. Sidoqoftë, kreu i opozitës po del ballëlartë nga kjo poshtërsi e gatuar nga Rama. Kjo, jo vetëm për shkak të asaj që duket me sy të lehtë, kur sheh liderin e opozitës të angazhuar në një presion pozitiv ndaj qeverisë për të qenë në lartësinë e sfidës që kërkon pandemia, ndërsa nga ana tjetër kreun e ekzekutivit të zhytur në ndërtimin e thagmave anti-shqiptare, por edhe nga solidarizimi që po merr nga brenda dhe jashtë vendit, për shkak të sulmeve të pavërteta dhe të pandershme të Ramës.

Një nga reagimet e para ishte ai i Lotte Leicht, drejtoresha e Human Rights Watch për Europën, e cila deklaroi se: “Përpjekjet e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për të përdorur Gjykatën e Kosovës si një armë kundër opozitës shqiptare janë të turpshme dhe të gabuara – “një fyerje për viktimat.”

Po aq i qartë ishte edhe Clint Williamson, ish-Kryeprokurori i EULEX, i cili jo vetëm hodhi poshtë pretendimet mbi rolin e Bashës në hetimet mbi “trafikimin e organeve”, duke i cilësuar kategorikisht të pavërteta, por gjithashtu pohoi se masakra e Krushës u hetua plotësisht dhe ishte një nga akuzat kryesore në dosjen e aktakuzës për krime lufte ndaj Sllobodan Millosheviçit, duke nxjerrë bllof edhe hetimin e mundimshëm të një televizioni kombëtar, për të gjetur një kasetë të “zhdukur” nga Lulzim Basha, që prej vitesh lundron lirshëm në internet. Madje kopjen e saj të parë e ka marrë Dashamir Peza, asokohe përkthyes për gazetarin e BBC-së, si dhe një nga miqtë më të ngushtë të Edi Ramës.

Nga ky duel i pakërkuar, në të cilin Basha kishte nga ana e tij vetëm të vërtetën, ndërsa Rama fuqinë e gënjeshtrës të amplifikuar nga media që kanë humbur skrupujt edhe përballë çështjes shqiptare, kreu i PD-së doli i fituar. Jo vetëm sepse shqiptarët patën mundësinë të shohin edhe njëherë se sa i thellë është honi i dëshpërimit në të cilin ka rënë Rama në prag të zgjedhjeve, por të njohin mirë patriotizmin e shtirur, të vlefshëm vetëm në hapësirën digjitale të fejsbukut, të një kryeministri që gjatë qeverisjes së tij arriti të rehabilitojë Serbinë, duke defaktorizuar Kosovën.

Një kryeministër, që për hatër të pushtetit është mbyllur në ‘Shtëpinë e Verdhë’ me Aleksandër Vuçiç.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

zyra16/11/2020 13:26

Eshte shume interesante menyra se si nje gazetar, po mundohet te hedh balte mbi nje te vertet te madhe qe po hetohet nga nje gjykate shum e larte! Epo dhe gazetari nuk besoj se ka mare informacion te mjaftueshem se ca ka ndodhur vertet ne ate shtepine e verdh, apo se si Basha bashk me serbet dhe jugosllavet i sakatuan e i coptuan njerzit e pafajshem, e qe sot komandatet e Ushtrise Clirimtare te Kosoves, po e mbajne mbi shpatulla edhe nje turp tjeter te madh, dhe nje akuz tjeter te ndyre qe po ju behet atyre e jo Bashes. Basha ne fund te fundit do blej nje vile me shume, nje makine me shume, do bej ndonje pal pushime me shume, do flej gjum pak ore me shume ashtu sic beri kater vite ne Bashkine e Tiranes, ......e spo them me gje tjeter se kaq. Nuk jane per ju keto pune, meruni me gjerat e tjera juve se keni plot per tu mare. kjo eshte nje ceshtje shume e rende dhe cdo fjale e thene gabim rendon mbi te tjeret, po ju skeni nga ta dini. Basha ballelarte!!!!!! Basha meqe eshte kaq i paster sa thoni juve le te shkoj ne Hage dhe te dorzoj ato qe i kerkojne avokatet mbrojtes atje. E gjith politika jone eshte zhul, por jo te mereni dhe me luftetaret e vertet te Kosove, meruni me ceshtjet tuaja ketu, ca ju takon juve.

Shto koment

Denonco