Rama dhe Kushi e llogarisin mundin e mësuesve, njësoj si atë të traktoristëve

Rama dhe Kushi e llogarisin mundin e mësuesve, njësoj si atë të traktoristëve

Nga Ndriçim Mehmeti - 15/10/2020

Kryeministri dhe zysh Kushi, u “shqetësuan”shumë, për faktin se përfaqësues të opozitës, kishin “llogaritur gabim”, orët shtesë që qeveria premtoi plot pompozitet se do t’ia paguante një më një mësuesve dhe si gjithnjë nuk e mbajti fjalën.

Po kush ishte argumenti me të cilën zëdhënësja e radhës, e kryeministrit Rama, nëMinistrinë e Arsimit, justifikoi pagesat qesharake për orët shtesë të mësuesve?

Ishte një gjetje shumë interesante, brilante dhe e padëgjuar ndonjëherë e zysh Kushit&Co, që puna e mësuesit, të llogaritej si një normë e rëndomtë në ndonjë fabrikë, uzinë, apo metër katrorë gjelbërim. Mësuesi sipas zysh Kushit, tanimë nuk bënte 45 minuta, por 30 minuta e në disa raste 25 minuta. Kështu që matematicienët e shquar Kushi të ministrisë, na dolën e na kumtuan një gjë që nuk e kishim ditur e për të cilën u ndriçuam pikërisht këto ditë: 30+30+30=45+45.

Pra mësuesi që ka bërë tri orë mësimi me nga 30 minuta në fakt ka bërë vetëm 2 orë mësimi, pasi bëhet procesi mësimor po zhvillohet me orë të shkurtuara. Kjo përllogaritje, sigurisht që është një thjeshtëzim, i një formule me koeficient, shumëzim për 0.4, pjesëtim për 0.5, e del fiks 2000 lek llogaria, jo aq sa kishin menduar mësuesit.

Kryeministri urdhëroi zysh Kushin “t’i vinte kufirin tek thana”, mësuesve “lakmitarë”, të cilën, e hëngrën premtimin e qeverisë dhe ministrisë, se kush dëshiron të marri orë tepër do të paguhet. Kur ka kaluar 1muaj nga fillimi i shkollës, mësuesit, që gjithnjë i kanë besuar jo veprave, por propagandës së Ramës, Nikollës, Shahinit e së fundmi, Kushit, e morën edhe dackën e radhës nga qeveria: për çdo ditë pune me orë të stërmundimshme, pagesa e tyre është mjaft “dinjitoze”: Më pak se 1 euro në ditë.

Ministria nuk u mjaftua me kaq, por i bëri të ditur se kanë marrë aq sa meritojnë dhe gati sa nuk u deklarua se “shumë e keni edhe atë që u dhamë se jua heqim muajin tjetër.”

Po pse Kryeministri dhe zysh Kushi i trajtonmësuesit si traktoristët njëherë vaktit?

Nga vitet 1950-1960, traktoristët ishin një shtresë zanatçinjsh, të cilët, merrnin të ardhura në muaj, saqë ra në vesh të e vet Enver Hoxhës.

Sipas dëshmitarëve të kohës, thonë që ky i fundit, urdhëroi që në emër “të barazisë” dhe për arsyen se traktoristët mund të na ktheheshin në borgjezë të rinj, (që do të zëvendësonin ata që i përmbysi Partia e Punës), të ulej me çdo kusht paga e këtyre punonjësve të bujqësisë. Por në këtë rast duhet gjetur marifeti sesi. Dhe u gjend një rrugëzgjidhje, që me siguri e ka përshtatur sot Rama dhe zysh  Kushi për mësuesit: Rrisim normën pak nga pak, 5%, pastaj 10% e derisa rrogat të mos shkonin më shumë se 500-610 lek të reja në muaj.

Natyrisht që edhe atëherë si tani, gjithçka u bë “me propozim nga poshtë dhe me vendim nga lart”. Në rastin e mësuesve u përdor e njëjta taktikë si me traktoristët. Në mënyrë që mësuesit të mos majmeshin, me shumë lek shtesë në muaj, Rama, gjeti Kushët e Ministrisë së Arsimit dhe urdhëroi të shikonin një formulë që redukton orët shtesë në listë pagesë dhe për rrjedhojë,mësuesi, pa me dëshpërim që në duart e tij, ka më pak para nga sa mendon. Zgjidhje më origjinale, zor se gjen.

Sapo flet opozita me një tabelë referuese me shembuj konkret, vihen në lëvizje Kushët e ministrisë, që të na shpjegojnë se vërtet  bëhen më shumë orë, porse 1 orë mësimi ka më pak minuta dhe këto minutat konvertohen, shumëzohen, pjesëtohen dhe dalin fiks llogaritë me ato pak kacidhe që i është lënë në buxhet arsimit nga kryeministri. Kaq e thjeshtë është e gjitha.

A është më e thjeshtë t’u thuhet trupës mësimore, se ne kaq para kemi dhe ju lutem ejani të sakrifikojmë të gjithë bashkë?

Në parim po, në realitete jo, kjo për faktin se kryeministri nuk shquhet si një njeri i sakrificave, por i rehatit, qejfit dhe luksit të shfrenuar. Të gjithë mësuesit dhe publiku i gjerë e di fare mirë se Lindita hyri në ministri si një gjysmë pronare e një shtëpie modeste dhe përfundoi mandatin si ministre me një vilë gati gjysmë milion euro.

Besa erdhi me një xhaketë të kthyer, si shoqja Laja, por u kthye në Kosovë me xhepat plot dhe llogari disa qindra mijëra euro dhe veshje trendy.

Zysh Kushi, po ashtu u fut në politikë nga “Lala”, më 2013 si deputete, me pak të ardhura e prona dhe rezulton në muajt e fundit të mandatit të saj me konto bankare me një shumëmodeste 3 milion lekë të reja e më shumë. Kështu që kupola qeverisëse nuk ka as moral, as fytyrë, as guxim të dalin e të bëjnë këtë thirrje.

Qeveria në ikje Kurti, me gjithë tensionet që kishte brenda saj dhe në mjedisin politik të Kosovës e më gjerë, nuk harroi të hartonte e zbatonte një vendim për dhënien e 150-300 euro mësuesve në muaj, për të përballuar mësimin në distancë, kur u bë mbyllja e vendit.

Qeveria jonë, jo vetëm që nuk ka asnjë grosh nga buxheti për mësuesit, or merr guximin t’i fyej duke shpikur formulat e vjetar të komunizmit, për të justifikuar dhënien e më pak lekëve nga sa u takon mësuesve.

Të gjitha veprimet e kryera nga qeveria dhe ministria e arsimit janë tërësisht të paligjshme. Me Vendim Nr. 175, datë 8.3.2017 “Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve mësimorë në arsimin parauniversitar” pika 5 shkruhet: “Punonjësit mësimorë efektivë, të cilët për nevoja të procesit mësimor japin orë mësimi mbi normën e lejuar mësimore, paguhen për çdo orë mësimore shtesë, si më poshtë vijon: Në shkollat e arsimit të mesëm të lartë 350 lekë/për orë; Në shkollat e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët 275 lekë/për orë.”

Ky vendim nuk bën fjalë as për orën 45 minutëshe, as për 3 lëndë në 6 orë. Thjesht përcakton shpërblimin për orët shtesë të mësuesve (që gjithsesi është qesharak) dhe detyrimin e punëdhënësit që ta paguajë për këto orë.

Me sa duket Rama, nuk zbaton as ato që ka shkuar vetë dhe mësuesit tani po trajtohen e poshtërohen më keq se traktoristët njëherë vaktit.

Nëse traktoristë, sërish ishin të kënaqur me atë që merrnin edhe pas rritjes së normës, pasi e dinin se nuk mund të paguheshin më shumë sesa të shkolluarit, sot mësuesit rropaten, dhunohen e në fund Kryeministri dhe Kushët e ministrisë arrijnë t’i tallin duke i thënë, se “ne ju a kemi llogaritur tamam punën, ndërsa opozita reaksionare ja fut kot”.

Tallini, shtypini, dhunojini, shfrytëzojini deri në maksimum sa kohë ju durojnë vetë mësuesit, por të paktën mos guxoni të thoni se po i bëni nder duke i hedhur nga një kockë  pa një fije mish, duke e quajtur shpërblimin të merituar për orët shtesë.

Është thjesht punë e papaguar për ata që ne pretendojmë të na japin dije. E sikurse dihet që në kohë të lashta, pesha e qiellit dhe e dijes, nuk maten asnjëherë, ndërsa në Shqipëri ato konvertohen në një formulë me përfitim qeveritar.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Epsi16/10/2020 21:56

xxx Nuk themi se udheheqja e PD ka qene perfekte.Edhe aty ka pasur abuzim dhe prandaj populli e denoi me vote .Po asnjehere dhe asgjekundi kaq korrupsion ,krimne politke si. funksoinare droge si kete rradhe

Osumi16/10/2020 16:25

Xxx, nese ndodh ajo qe parashikon ti, une jam i pari qe do te ngrihem kunder asaj qeverie pavaresisht se jam nje prej demokrateve te pare. Ky eshte dallimi midis demokrateve dhe te majteve qe ndihen te kenaqur qe udheheqja jeton ne luks dhe ata si te mjere qe jane nga trute votojne verberisht.

Xxx15/10/2020 15:25

O Ndricim...do fitoje Basha, ti do shkosh ne ministri dhe te njetat gjera qe po shkruan ti ketu do shkruaje nje tjeter per ty pas 2021...duro eshe pak....

Shto koment

Denonco