Hareja e borxhliut deri në fyt

Hareja e borxhliut deri në fyt

Nga Artan Hoxha - 11/06/2020

Kryeministri u zgjua hareshëm dje e po hareshëm dha lajmin se Shqipëria kishte korrur sukses spektakolar në tregjet ndërkombëtare duke marrë 650 milion Euro borxh, 7-vjeçar, me kupon 3.5% dhe interes tregtimi 3.625%. 

Paskeshim kërkuar 650 milion euro dhe 190 investitorë na paskërkan ofruar 4 herë më tepër! Suksesi i korrur e bëri edhe më besimplotë Kryeministrin se plani i tij 10-vjeçar, deri në 2029-ën, është i garantuar paskëtaj. Kryeministri ynë e ka këtë aftësi – e gjen suksesin aty ku nuk pret mendja. 

Se në fakt, nga kjo ngjarje, një mendje normale nuk arrin tek konkluzioni i suksesit të Shqipërisë dhe besimit të rritur te performanca e ekonomisë dhe qeverisë së saj, por se në çfarë gjendjeje janë tregjet ndërkombëtare financiare, çfarë po kërkojnë në këto kohe investitorët që kanë tepricë likuiditeti dhe çfarë po ofrohet në tregje. 

Duket se ndërsa ka ngurrim për të investuar në titujt privatë (obligacione, aksione etj) për shkak të pasigurisë së ecurisë së ekonomisë dhe të korporatave private, investitorët janë më të prirur të investojnë në tituj qeveritarë të borxhit, pasi këto janë mjaft më të garantuara e me risk mjaft më të ulët, ndonëse me interesa më të ulëta, por këto kohë të turbullta vlen siguria më shumë se fitimi. 

Edhe krahasimi që bëri Kryeministri me Maqedoninë e Veriut, e cila do paguajë interes pak më të lartë, nuk vlen se ajo doli 15 ditë më herët e këto kohë edhe pak ditë bëjnë diferencë shumë të madhe.

Fakti që Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor do të marrin një ndihmë të konsiderueshme nga Bashkimi Europian mbi problemet e shkaktuara nga COVID-19 (për Shqiperine ndihma të konsiderueshme edhe për pasojat nga tërmeti), deri ngjarja me e fundit e shpalljes së nisjes së negociatave me BE, forcojnë besimin e investitorëve se vendet tona janë të mbështetura e të garantuara. 

Në llogari të fundit, Shqipëria i ka paguar të gjitha borxhet e veta të derisotme ndaj, nga ky këndvështrim, ka qenë e është një borxhmarrës serioz dhe, pra investitorët s’kanë arsye pse mos ta blejnë bondin tonë me interes shumë më të lartë krahasuar më vende të tjera të zhvilluara. Raporti qar-qeder iu rezulton i leverdisshëm.

Me eurobond Shqipëria doli edhe në vitin 2010 e mori 300 milion euro me interes, 7.8%, shumë, shumë i leverdisshëm për ne relativisht kohës kur u mor pasi ishte koha e krizës së thellë të besimit te qeveritë dhe te borxhi publik i tyre si p.sh. ndaj Greqisë, Portugalisë, Spanjës, Italisë etj. Sa për ilustrim, Greqia në atë kohë mund të arrinte të merrte borxh vetëm me mbi 14% interes e Italia me 7%.

Çështja nuk është a merr dot borxh, as sa mund të marrësh edhe as me ç’interes pasi në çdo kohë asnjë mrekulli s’ka për të ndodhur, as ndonjë hata, veçse një ngjarje e zakonshme në linjë me momentin specifik të tregut financiar ndërkombëtar. Çështja është se sa borxh ke marrë e do marrësh dhe se për çfarë e ke përdorur e do e përdorësh.
Në tabelën e fundit të shkrimit jepen të dhëna mbi kredinë për ekonominë (borxhi privat) nga bankat vendase, kredinë për Qeverinë (borxhi publik) si dhe të dhënat për Prodhimin e Brendshëm Bruto Nominal (PBB) dhe Shpenzimet e Qeverisë (buxheti). Në tabelë jepen shifra krahasimore mes periudhës 7-vjeçare të qeverisjes demokrate dhe asaj 6-vjeçare të qeverisjes rilindëse.

Në qeverisjen demokrate vihet re një rritje e fuqishme e kreditimit të ekonomisë nga sektori bankar. Kredia për ekonominë nga 125 miliardë lekë në fund të vitit 2005 (15% e PBB) arriti në 555 miliard leke në fund të vitit 2012 (42% e PBB). Ndërkaq, shtesa e kredisë ishte sa rreth 83% e shtesës së PBB-së.

Kjo rritje tregon edhe aftësinë thithëse të sektorit privat, edhe besimin e bankave te ekonomia shqiptare, e cila në fakt u rrit me ritme të larta vit pas viti derisa u ngadalësua, por nuk u frenua nga goditja e krizës ndërkombëtare me efekte të rënda në eurozone, krizë që filloi nga fundi i vitit 2008 e vijoi e fortë deri nga fundi i vitit 2013. Rritja e investimeve të huaja direkte në këtë periudhë 2006-2012 tregon gjithashtu rritjen e besimit te ekonomia, ligji dhe institucionet shqiptare. 
Rritja e kredisë bankare për sektorin privat nuk e pengoi, përkundrazi e ndihmoi qeverinë demokrate të merrte borxh publik me të cilin mundësoi investimet publike masive të asaj kohe, ndërsa rritja ekonomike ndihmoi rritjen e të ardhurave tatimore ndonëse qeveria uli barrën fiskale normative mbi biznesin. Nga ana e saj, huamarrja qeveritare nuk e pakësoi disponibilitetin bankar për t’i dhënë hua sektorit privat.

Në qeverisjen 6-vjeçare rilindëse 2014-2019 kredia e bankave për ekonominë (për sektorin privat) mbetet thuajse në vendnumëro, rritje veçse me 23 miliardë lekë. Pesha e kësaj kredie mbi PBB bie në nivelin e 34%, ndërsa shtesa e kredisë në nivelin e 7% të shtesës së PBB-së. Me fjalë të tjera, kredia për ekonominë s’ka pasur thuajse fare efekt në rritjen ekonomike d.m.th. ka qenë kryesisht kredi riprodhuese dhe mbijetese për biznesin, por jo zhvilluese.

Një rënie e këtille tregon dobësitë e ekonomisë, ndërkohë që duhej të kishte ndodhur e kundërta pasi edhe eurozona doli nga kriza. Nëse heqim nga konsiderimi vlerat e investimeve të huaja të kontraktuara në kohën e qeverisjes demokrate, fluksi i investimeve direkte të huaja të reja gjatë qeverisjes rilindëse bie ndjeshëm gjithashtu, një tjetër tregues ky i mungesës së besimit te ekonomia, ligji dhe institucionet shqiptare. E këto së bashku, ose vënë në dyshim shifrat e rritjes ekonomike ose provohet se rritja ka ardhur nga burime informale deri kriminale.

Në të njëjtën periudhë, qeverisja rilindëse rriti shpenzimet operative qeveritare, mbajti thuajse konstant në vlerë investimet publike, rriti borxhin publik dhe barrën fiskale gjithashtu. Borxhi i Qeverise, pa llogaritur këtu vlerën e kontraktuar të koncensioneve, arriti sa dyfishi i borxhit të sektorit privat ndaj bankave duke u bërë, në një farë mase, pengese për kreditimin e këtij sektori. Ndërkohë, sasia fizike e investimeve dhe shërbimeve qeveritare këto vite pakësohet dhe cilësia bie ndjeshëm, e kjo është në sytë e gjithkujt.

Për rrjedhojë, gëzimi i një borxhi të ri nuk ka kuptim për borxhliun që, ndërsa është në borxh deri ne fyt, atë që ka marrë e ka përdorur për rrush e kumbulla. Hareja e Kryeministrit është e pabazë. Hareja e popullit rilindës që brohoret Kryeministrin është absurditet. 

Kryeministri, tek e fundit, ka arsye të gëzohet se, ndërsa do të mund të shpenzojë më shumë, s’ka për ta paguar borxhin nga xhepi i vet. Po ky populli rilindës që do e paguajë nga xhepi i vet, këtë e të tjera borxhe, ç’ka që gëzohet?!

Image

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Selman Dervishi-Mani,USA.poet11/06/2020 21:40

HAREJA E BORXHLIUT DERI NË FYT;NA KREJA ROXHZIUT GRERI E MBYT;HALUCINA-
CIONE AUH,NËN ANASTEZIANE;TË DROGUARA,TË HORRZUARA;DUKE ËNDËRRUAR
ME SY ÇELË,KUKE ÇENDËRRUAR ME TY NGELË;KUR NJË SI MBERET AUH,SI PASHA;
ZIJE SHI SHKRET,AH SHI HASHA;KISHTE FUTUR,FURKUR,NË BORXHE,ROZHGJE,TERË
ATDHEUN,TERË ATKREUN;DERI NË FYT,NGERI TË MBYT;DHE OUH,DUKE I TËRHEQUR VREJTJEN E FUNDIT:MORE TI,GJËJA SI MBRET,PREJA TI SHKRET;NA KA FUTUR,NA KE
MRUTUR;BORQE DERI NË FYT,HORQE NGRERI QË MBYT;PO Ç'TË BEJË POPULLKOMBI
RROPULLKOBI,KORBI;MBARË KOMBËTARË,MBARË SHQIPTARË?! AI IDIOTI,SQITI KOTI:
-TË KAM UNË,SA TË JAM GJALLË,PASI UNË TË VDESË;ASNJË NJERI I GJALLË,MOS TË
MBESË;AS MOS TË BESOJË,KURFARË SHPRESË;AS KURFAË BESË;AS MBI MBIJETESË
AS GRI FERRSHPRESË?!"REFUGJAT LUFTË PËRZENË ME DHUNË,PREJ KOSOVË-USA.
MANI,USA.

Gj 11/06/2020 17:43

Do ti shyej populli

Shto koment

Denonco