'Qorrsokaku' nga mungesa e testimit masiv

'Qorrsokaku' nga mungesa e testimit masiv

Nga Kastriot Islami - 10/04/2020

Nuk jam ekspert i epidemiologjisë, por duke njohur shumë mirë shkencën e shifrave dhe mbi të gjitha duke lexuar intensivisht gjatë këtyre kohëve, kam krijuar bindjen se mungesa (e qëllimshme apo për arsye nga më të ndryshmet) e TESTIMIT MASIV e ka futur vendin tonë, por jo vetëm, në “kurth” e qorrsokak… me pasoja shumë të rënda për qytetarët e veçanërisht ekonominë e vendit, por nëse bëhet reflektimi i duhur e në kohë, edhe një pjesë e tyre edhe mund të korrigjohen apo të paktën të zbuten…Qofsha i gabuar!

***

Ndonëse është shpejt për të arritur në përfundime solide (sepse studimet vazhdojnë dhe do të vazhdojnë derisa të vijë epidemia tjetër), gradualisht dhe me shumë kujdes, po arrihet në përfundimin se virusi i fundit apo ai që quhet koronavirusi sillet në thelb, afërsisht si të gjithë viruset e mëparshme. Ndonëse mund të jetë më i sofistikuar, më agresiv, më hileqar, më vdekjeprurës… por ai në thelb është si të gjithë të tjerët në shumë aspekte… Dhe sa më shumë kalon koha, aq më shumë shkencëtarët e kësaj fushe, të çliruar edhe nga presionet e ndryshme, politike e jopolitike, po binden dhe po vijnë në këto përfundime…

“Sekreti” i menaxhimit të një epidemie në përgjithësi dhe në rast konkret të pandemisë së shkaktuar së fundmi koronavirusit, po ashtu si edhe të shumë të tjerëve më parë, qëndron në faktin se shumica e njerëzve në kontakt me virusin, preken prej tij, pa pasur simptoma e madje shumë shumë prej tyre edhe pa e kuptuar se kanë qenë të prekur nga virusi…

Shumë studiues po arrijnë në përfundimin se shifrat që paraqesin numrin e të infektuarve, në nivel global e në shumë nga vendet e planetit, nuk pasqyrojnë numrin real të qytetarëve që kanë pasur kontakt me koronavirusin dhe janë prekur prej tij. Deri tani mendohet se këto shifra të publikuara, janë disa dhjetëra herë më të ulëta sesa mund të jetë numri real i të infektuarëve, sepse s’është identifikuar numri i qytetarëve pa simptoma i cili është disa dhjetëra e ndoshta qindra herë më i lartë sesa i atyre që janë identifikuar “pozitiv” nga testimet e kryera, që janë shumë shumë të pakta në shumicën e vendeve të botës…

***

Shtrohet pyetja: si mund të përcaktohet ky numër real e “sekret”,  që po mendohet se ka futur në “kurth” apo qorroskak të gjithë planetin?  Pra si mund të përcaktohet numri i saktë i të gjithë qytetarëve që kanë pasur konkakt me virusin dhe janë prekur prej tij,  por pa pasur asnjë simptomë dhe me shumë gjasa kanë zhvilluar antitrupa ose thënë ndryshe janë të imunizuar?

Ka vetëm një përgjigje: TESTIMI MASIV… par testimi i të gjithë qytetarëve pa përjashtim, pra edhe kur ato nuk kanë asnjë simptomë apo shenjë sëmundjeje. Ky natyrisht është një operacion kompleks dhe me kosto të lartë, por në çdo rast me me kosto e pasoja disa mijëra herë më të vogla sesa ato që ka shkaktuar e do të vazhdojë të shkaktojë kjo pandemie sidomos mbi ekonominë…

***

TESTMI MASIV mund të kryhet mbi të gjithë shoqërinë dhe ky operacion është tentuar e po tentohet të kryhet në vënde si Gjermania, Koreja e Jugut, Izraeli, Islanda e tjerë…. Por TESTMI MASIV mund të kryhet edhe mbi një pjesë përfaqsuese të popullsisë, pra mbi një kampion të madh (sa 10 % e popullsisë, të themi në Shqipëri me dimension prej 250 mijë qytetarësh) dhe përfaqësues siç veprohet në rastin e sondazheve.

TESTMI MASIV ka ndihmuar vendet që e kanë kryer ta menaxhojnë me shumë sukses këtë epidemi, të cilët kanë pasur edhe një efekt psikologjik pozitiv e të paimagjinueshëm mbi qytetarët, sepse kanë përfshirë në llogaritjet e statistikave të tyre, veçanërisht të vdekjeve, shifrën reale të të infektuarve, kur përfshihen edhe shumë nga ata që nuk kanë pasur simptoma. Kjo ka bërë që përqindja e vdekshmërisë për shembull në këto vende të duket shumë e ulët, pikërisht edhe për këtë arsye. Shikoni rastin e shifrës së ulët të vdekjeve të Gjermanisë, Koresë së Jugut, Izraelit, Islandës.. e cila ndër të tjera lidhet edhe me TESTMIN MASIV, por natyrisht jo vetëm…

TESTMI MASIV do të kishte një efekt shumë pozitiv edhe sot kur qeveritë po programojnë që qytetarët të kthehen në normalitet sepse duke zotëruar një shifër reale të numrit të qytetarëve të prekur nga koronavirusi pra të të gjithë atyre që kanë zhvilluar imunitet, mund të bëhet programi apo kalendari i saktë i kthimit në normalitet. Sepse të gjithë këta persona të testuar do të kishin një “pasaportë imuniteti” duke pasur mundësi të lëviznin lirisht, punonin pa shqetësim si më parë, dhe kështu ekonomia nuk do të vuante krizën e paimagjinueshme…

***

Pyetja tjetër është: Mirë qeveria dhe EDI RAMA me kokëfortësi, injorancë e ndoshta ligësi, e mbi të gjitha për interesin e pushtetit të tyre politik e ekonomik ndoqën një rrugë tjetër duke mos pranuar TESTIMIN MASIV si Gjermania, Koreja e Jugut, Izraeli, Islanda e tjerë, çfarë mund të bëhet tani që të shpëtojmë eventualisht nga një krizë e thellë ekonomike e veçanërisht shtresat e varfra e të pamundura të shpëtojnë nga një situatë urie?

Ka vetëm një mundësi: TESTMI MASIV SEROLOGJIK, apo thënë ndryshe të kryhet TESTIMI që tregon se cili qytetar ka fituar imunitet… Këtë kanë filluar ta programojnë e madje ta kryejnë shumë vende…Në rast se ky TESTIM do të shpërfillet atëherë mund të thuhet me siguri se qoftë injoranca por më shumë ligësia e EDI RAMËS do të ishin me pasoja të rënda e të paimagjinueshme mbi ekonominë e vendit tonë dhe për rrjedhojë edhe mbi të ardhmen e të gjithë shqiptarëve, sidomos të brezit të ri… Vazhdimi me symbyllur por për mua qëllimkeq i masave drastike me ulërima për burg e masa penalizuese është shenjë jo vetëm e injorancës por mbi të gjitha e poshtërsisë për të keqpërdorur edhe këtë rast për interesa të pushtetit politik e ekonomik të oligarkisë…

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari10/04/2020 16:16

Prifesor i nderuar! Je gjigand. Faleminderit.

krasasi tp10/04/2020 13:38

Profesor, nuk kam ndërmënd të futem në lojën e shifrave,statistikave dhe as të numrave,as në ligjin e gravitetit të përgjithshëm, se do ngjaja si djali që do ti tregojë 'babait arat'. Por midis 'injorancës dhe ligësisë së Edi Ramës" dhe qasjes së opozitës dhe 'protokollit të pleqëve të OBSH) unë prirem të justifikoj qasjen e Z.Rama, pasi unë e mar me mënd, se nëse Z.Rama do ti ikte truri dhe do mbante të njëjtën qasje sikurse unë, që virusi është një grip i zakonshëm dhe duhet aplikuar 'imuniteti i tufës' me siguri opozita do nxirte 100.000 qytetar në shesh,
ku të gjithë do fillonin të kolleshin me 'stil', të prirë me disa arkivole fatkeqësh, ku në skedën e tyre të vdekjes nuk do shënohej si shkak kryesor vdekja nga COVID-19 por në pankarta po. Kjo trysni shoqëroj kalimin e panikut nga një vënd në tjetrin, ashtu sikurse një budalla hedh një gur në liqen dhe valët fillojnë dhe pasojnë njera tjetrën. Tash që Z.Rama do të tërhiqet me 'nder' duke kthyer kokën pas se çfarë ka ndërmëd të bëjnë të tjerët dhe se çfarë e se si do reagoj opozita, ju rekomandoni vonesën, shtytjen, testet e të gjithëve, pra agoninë e karantinës. 'Përsëritjen e të njëjtave gjërave', një filozof këtu e 100 vjet më parë, i trajtonte si "banalitet i jetës së përgjithshme dhe llafallogji". Interneti sot na i sjell taze çdo ankth, kryeministror, presidencial, pushtetar, e të tjerë, në pritje. Vetëm një qasje tjetër, një retorikë më shumë optimiste, do çlironte 'panikun' shoqëror nga rreziku i virusëve që do na shuajnë globalisht, apo nga 'paniku' se politika nuk i ka mundësitë dhe kapacitetet për tu dhënë zgjidhje të shpejtë problemeve ekonomike,sociale etj. Ndaj qytetarët janë të prirur më shumë të bëjnë sikur i besojnë pallavrat e Z.Rama, në mënges të një alternative bindëse.

Shto koment

Denonco