Të gjithë jashtë sistemit, të gjithë në pritje të Ideve të Marsit

Të gjithë jashtë sistemit, të gjithë në pritje të Ideve të Marsit

Nga Gentian Gaba - 14/01/2020

Një moment i ri politik ka nisur prej mbrëmjes së 26 Shtatorit të vitit të sapo mbyllur, kur Bundestagu votoi kushtet që diktonin zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Ndonëse ky dokument doli nga parlamenti gjerman, dukej i shkruar në Bulevardi Zhan Dark nr 11.

Në gjermanisht kërkohej, midis të tjerash, ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votës, sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese të ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, miratimi i Reformës Zgjedhore dhe implementimi i saj. Vetëm për shkak të mosmarrëveshjes me Macron mbi vendin tonë, ky dokument nuk u kthye në një vendim zyrtar të Bashkimit Europian.

Megjithatë, Bundestagu është mëse i mjaftueshëm, kur mendojmë se mazhoranca politike e vendit më të fuqishëm në Europë, ka kërkuar që krimi zgjedhor të ndëshkohet, sikurse e ka kërkuar edhe opozita shqiptare. Dhe kështu vijojnë të gjitha pikat që kushtëzojnë veprimtarinë e mazhorancës të dalë nga ato zgjedhje për të cilat Bundestgu, dhe opozita shqiptare, kërkojnë ndëshkime.

Ishte ky momenti në të cilin opozita hoqi dorë nga kushti i ‘Rama ik’, për të përqafuar 9 kushtet, të cilat nuk shpërblenin vetëm qëndrimin e opozitës, por përbënin hartën me të cilën dilet nga labirinti i krizës në të cilën Rama ka futur vendin. Meqenëse jo përherë harta përkon me territorin, tërmeti u përdor për të fituar kohë, me vonesë, pas ngritjes së SPAK, kemi mbërritur te një tjetër etapë që çon në zgjidhjen e krizës, Reforma Zgjedhore.

Dinakëria e Ramës e kishte shtyrë të vendoste në krye të Komisionit të Reformës Zgjedhore një nga personazhet e dosjes së Dibrës. Një zgjedhje taktike për të pasur diçka për të lëshuar, nëse do t’i kërkohej nga partnerët ndërkombëtarë, por edhe një mjet për ta bërë opozitën refraktare, me qëllim që pesha e një mosmarrëveshjeje, për shkak të kushteve të vendosura për të larguar Gjiknurin, t’i mbetej Bashës. Por, sikurse ndodh në çdo ndërveprim politik, të gjithë janë të detyruar të heqin dorë nga diçka.

Andaj, për të marrë tryezën në të cilën u ngrit Këshilli Politik, që de facto nxjerr jashtë sistemit edhe Partinë Socialiste, rrëzon Parlamentin e dalë nga votat e niçeve, si dhe për të adresuar me forcën e vetos të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR në lidhje me çështjet zgjedhore që çuan në krizën aktuale, opozita ka pranuar një forum atipik. Ky i fundit duhet të mbyllet brenda Ideve të Marsit, ditën që në histori mbahet mend si ajo në të cilën u vra Jul Cezari, duke diktuar rrugën drejt zgjedhjeve të reja.

Kësodore, për të mos ofenduar veshët delikatë të atyre që kërkojnë nga të tjerët më shumë se c’japin vetë, nuk do të flasim për një fitore të opozitës. As për triumf të strategjisë së saj për të çliruar zgjedhjet nëpërmjet presionit të brendshëm dhe të jashtëm, jo detyrimisht të qartë për syrin e çdo konsumuesi të kafesë, por për një kapitullim me kushte të kundërshtarit.

Sepse pas Reformës e ka radhën 30 qershori, ndërsa pas 30 qershorit e kanë radhën prangat. Ndoshta jo për Ramën, por për ata që kanë futur duart në vend të tij në zgjedhje, zërat e të cilëve janë bërë të njohur për gjithë Kontinentin e Vjetër nga Bild, dhe njihen në ‘Kontinentin e Ri’ për statusin ‘të padëshiruar’, si një medalje turpi për krimet e kryera në funksion të pushtetit të Rilindjes.

Pra, falë protestave dhe sakrificave të popullit opozitar; fal djegies së mandateve dhe ekspozimit si qytetarë ndaj një pushteti arbitrar; falë betejave si ‘Dekriminalizimi’ dhe denoncimit të lidhjeve të Ramës me krimin, opozita po ia mbërrin t’i japë fund aventurës së pandërprerë të politikanit që ka gëzuar, jo rastësisht, më shumë pushtet gjatë gjithë tranzicionit.

Një vit më parë, askush nuk do ta imagjinonte këtë moment. Të gjithë janë jashtë sistemit, të gjithë janë në pritje të mesit Marsit. Një ditë që mund të prodhojë një datë zgjedhjesh, ndërsa për ata që kërkojnë më tepër sesa zhbërja e simbiozës me krimin, lipset një Parlament legjitim. Por këtë le t’ia lëmë asaj që do të vijë pas 15 Marsit. Idat nuk kanë qenë asnjëherë dashamirëse ndaj aspirantëve për diktator.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Ja ke fut kot.15/01/2020 10:59

Eshte qesharake me analistet e djathte. Lavderojne opoziten e cila e solli vete situaten ne kete derexhe sepse Rama diheshe qe ashtu do vepronte.

Githbo15/01/2020 07:57

Keto analistet e djathte, qe nga 2013 e kane rrezuar Ramen nja 10 here!

Rilindori14/01/2020 23:31

Gaba i shkelqyer,analize mjaft e mire she me kembe ne toke

Shto koment

Denonco