Nga shoku Albin, te Mr.Bean!

Nga shoku Albin, te Mr.Bean!

Nga Syri.net Kosova - 28/09/2019

Analizën e kandidatëve për kryeministër të Kosovës, e vazhdojmë me liderin e partisë tjetër opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje.

Albin Kurti hyn në këto zgjedhje me numrin më të madh të votave nga zgjedhjet e kaluara, por pa shumicën e bashkëpunëtorëve që dezertuan në Kuvendin e shpërndarë.

Nënkryetari i LDK-së, ia ka ngjitur nofkën Mr. Bean, duke na kujtuar humoristin e shquar anglez. Të gjithë e duan atë. Në vend që ta dëmtojë, epiteti i Lutfi Hazirit, ia ka bërë edhe një reklamë të mirë Albinit.

Përparësia e Kurtit në raport me të tjerët është e thjeshtë. Është i vetmi që nuk e ka provuar pushtetin ekzekutiv. Lëvizja Vetëvendosje viteve të fundit, po integrohet dalëngadalë në pushtet, në nivelin komunal, por pa arritur të tregojë një model fort bindës për mënyrën e qeverisjes.

Goditjen më të rëndë e morën në Prishtinë, ku Shpend  Ahmeti me grupin e tij, ia përgjysmuan përfaqësimin parlamentar VV-së. Sidoqoftë, brenda një kohe të shkurtër, duket se partia e Albin Kurtit, e ka marrë veten.

Si lider, autoriteti i tij, mbetet i padiskutueshëm në radhët e Lëvizjes. Ky fakt e bën atë, një kandidat politikisht të fortë krahasuar me Vjosa Osmanin e LDK-së.

Albini ka pasur një qëndrueshmëri në opozitarizmin e deritashëm, çka mund t’i sjellë më tepër vota me 6 tetor. Ai është lideri me orator që kemi në garë, i gatshëm të japë përgjigje për çështje të ndryshme.

Megjithatë, edhe Kurti i ka dobësitë e tij. Synimi programor për ta shtuar ndikimin e shtetit në ekonomi, është i frikshëm. Radikalizmi dhe majtizmi që manifeston lideri i VV-së, nuk zgjon ndjenja të mira te njerëzit në Kosovë.

Në rrugën drejt pushtetit, edhe Albin Kurti po i rendit mëkatet e tij. Edhe pse i ka relaksuar marrëdhëniet me Perëndimin, shikimi i tij shpesh është nga Lindja.

Sidoqoftë, nuk ka asnjë fakt se është i korruptuar. Për dallim prej kandidatëve të tjerë pasanikë, ai jeton në një banesë modeste dhe nuk është i pasur.

Qëndrimi ndaj Republikës, simboleve shtetërore, është zbutur krahasuar me ca vite më parë. Ndonëse më zbehtë, VV-ja, mbetet partia e vetme, serioze, që e ka në programin politik bashkimin kombëtar.

Nëse nisemi nga pakënaqësitë e mëdha në Kosovë ndaj qeverive të deritashme, me 6 tetor VV-ja mund të arrijë një rezultat befasues.

Por, nisur nga shtrirja e subjekteve të tjera, financat që kanë rivalët, klientela dhe bizneset, Lëvizja Vetëvendosje e ka të vështirë të dalë e para.

Gjithsesi, Albin Kurti me Vjosa Osmanin, përbëjnë aktualisht duetin më të dobishëm për Kosovën.

Në fakt, me i rëndësishëm se vendi i parë, është pikërisht ky partneritet i pritshëm, i paralajmëruar edhe së fundmi nga lideri i LDK-së.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco