Qentë në ‘Opinionin’ e ekraneve

Qentë në ‘Opinionin’ e ekraneve

Nga Frano Kulli - 23/07/2019

Nga Frano Kulli

1)

Është e pranuar e herëshme se qeni është kafsha më e afërt me njeriun. Instinktet dhe reflekset e veçanta  i kanë dhënë atij vlerësime superiore qysh s’di se kur prej këtij të fundit. Prej njeriut pra.

Gjithmonë , ndër ne vetëm për qenin, veçuar prej kafshëve të tjera shtëpiake përdorej cilësori "kafshë besnike". Dhe jo vetëm ndër ne. Madje janë të njohura edhe raste anektodike, si njëri në Argjentinë, që kur vdes i zoti i qenit, qeni rri tek varri i tij për 11 vite rresht...

Po, atëhere, pse na vjen keq kur na thonë “qen bir qeni”, shkruante në një eipgramin e tij të shumë viteve më parë, shkrimtari i ndjerë i humorit Paulin Selimi...

Në traditën e ne shqiptarëve,bashkëjetesa e qenit me njeriun arrinte deri tek pragu i shtëpisë; aty në cep të oborrit të shtëpisë qeni kishte shtëpinë e tij. Kurdoherë në roje instinktive të gjithçkaje që gjëndej e lëvrinte aty mbrenda.

Kjo ishte e rëndomta rurale e mënyrës sonë patriarkale të jetesës. Po edhe në qytete, në shtëpitë me oborr, gjithashtu. Kurse raste sporadike ishin ato kur dikujt, si përjashtim i madh prej rregullave i lejohej të mbante ndonjë “konkë”. Si Lasgushit poet përshembull, Cucin e tij. Po, njëherë ia morën për ta pushkatuar. (Ishte koha kur pushkatoheshin edhe njerëz...) Në vitin 1975.

Vetëm mbas nje ece e jake 4 ditëshe nëpër krejt zyrat e larta lokale të Tiranës, duke shfrytëzuar të gjitha njohjet e veta të pakta nëpër zyra, Lasgushi mundi t’ia shpëtojë jeten Cucit. Dhe çastin kur Cucit i shpallet falja e Lasgushi shkon për ta marrë nga qendra e grumbullimit, e përshkruan kështu: Cuci sapo më pa i-u shkëput jevgut prej krahëve dhe u vërsul drejt meje, si e përkëdhela 2-3 sekonda, i dhashë 1 qofte t’a hajë, Cuci, prej gëzimit, nuk e hante qoften, pastaj, si i dhashë prapë, e hëngri, i dhashë edhe qoften e dytë, s’desh t’a hajë prej gëzimit që më pa përsëri, pas disa sekondash përkëdheljeje, i dhashë prapë t’a hajë, i dhashë edhe të tretën, të tretën s’e hëngri nga gëzimi, e mora qoften në letër dhe u nisa me “Cucin” për në shtëpi (¾ orë larg). Isha i lodhur, i këputur. Rrugës për në shtëpi i-a dhashë prapë qoften edhe Cuci e hëngri. Maria kur e pa Cucin (sapo ardhi Maria nga shkolla) u gëzua jashtëzakonërisht, e mori në krah dyke e përkëdhelur.

(Gazeta “Dita”, 8 shkurt 2016)

Edhe mësuesja ime e fillores, zojush Drita , deri aty nga fundi i viteve ’60 e fillimi i viteve ’70 kishte  qenin e vet “Xhixhin”që e mbantte në shtëpi. Xhixhi ushqehej brenda në shtëpi, xhixhi flinte brenda, xhixhi kalamendej me të gjitha lodrat e një fëmije të munguar në atë shtëpi. I shoqi Genci, Genc Juknej kishte studiuar për agronomi në Rumani.Ndoshta qe pak “frymë” liberale e sjellë prej andej... Ende sot, unë “xhixhin”e zojush Dritës, përtej miklimit e nostalgjisë së njerëzishme për kujtimet e fëmijërisë e mendoj si të pazakontë.Madje si një fat që më kish rënë mua...

2)

Desha të them se, sado e madhe qoftë dashuria për kafshët, sado t’i afrohet ajo njeriut është si puna e anijes që s’e kap kurrë bregun, çka ka formuar në fizikë konceptin e të pakapshmes, të së paarritshmes-infinitin.

Kurrë afria e qenit, megjithatë nuk arrin deri tek njeriu si përparësi...Më vjen ta përmend një moment të tri viteve e ca më parë kur të gjitha edicionet informative të medies e kishin si lajm të parë një projekt të Bashkisë së Tiranës, sipas të cilit, tani e tutje, qentë...qentë e rrugës , nuk do të qarkullonin turra-turra nëpër rrugët e Tiranës, por do të mbidheshin, me kujdes që të mos lëndoheshin, në kafazë të hijshëm, më pas do të grumbulloheshin në një qendër e aty... Aty do të trajtoheshin, duke iu nenshtruar në radhë të parë pastrimit higjenik, me pas pastrimit gjenetik (qentë do të tridheshin) e kështu... jeta e qenve të rrugës do të ndryshonte kryekëput, tani ata do të kalonin vitet e mbetura të jetës për bukuri, nën një përkujdesje të përkorë të njerëzve për ta...

Projekti në fjalë, i anonçuar atë mbrëmje , i cili do të realizohej nga një kompani turke, në mos gaboj, me një buxhet...po kush i tregon ndonjëherë buxhetet në këtë shtetin tonë . E rëndësishme është që krijohen ato dhe më shumë stisen projekte, që sigurisht mbështeten me fonde e buxhete, madje më përpara ujdisen fondet (buxhetet), pastaj vritet mendja dhe vihet në punë talenti për të shpikur projektin, duke bërë kujdesin që projekti të kurohet mirë e bukur, që më në fund edhe publikut (nga lëkura e të cilit, me ligj e me "Maliq" dalin fondet e buxhetet) t'i serviret... Çfarë t'i serviret ? Ushqimi i nevojshëm propagandistik, pra.Kaq. Dhe këtu mbyllet llogaria me të. Projektorët vijojnë lumturisht në të tyren, edhe më lumturisht realizonjësit e projektit.Po kështu , më të qetë fort ndjehen edhe qentë e grumbulluar në ritmin e rregulluar të reflekseve të tyre të kushtëzuara...Një projekt i tillë është anonçuar me bujën mjeshtrore që di të bëjë më mirë se gjithçka tjetër kryetari i bashkisë së Tiranës, Zoti Erjon Velia në pranverën e 2016-ës...Por ,siç ndodh rëndom, vetëm projekti në letër dhe paratë që me siguri kanë lëvizur, kurse qentë vijojnë rutinën e tyre të hungërimave nëpër rrugët e Tiranës. E njëlloj, nëpër të gjitha rrugët e mjediset publike të qyteteve të Shqipërisë,. Duke u kthyer nga dashuri, në një bezdi të madhe e prishës të qetësisë qytetëse...

Duke qëndruar në fushën e sjelljes së njerëzishme me kafshët, sigurisht në plotpërputhje të lavdërueshme me konventat rregullatore ndërkombëtare për to, a mund të flitet e diç të bëhet më përpara për sitemimin e një kategorie të njerëzve, lypsave të rrugëve , përshëmbull ? Le të konsumojnë një ditë, vetëm një ditë nga e përditshmja e tyre, prijësat tanë në radhët e spitalit onkologjik,të të sëmurëve, që presin të marrin trajtimin  me kimio-terapi...Po dhe përpunuesit e publikuesit e  lajmeve, në ndalesa më  të shpeshta aty...me siguri do të gjenin lajme me audiencë shumë herë më të gjërë se  lajmi për mirëtrajtimin e qenve të rrugës...

Është shumë, shumë më e gjatë radha e halleve e derteve të njerëzve në këtë vend ...Dhe sfumimi i tyre me propagandë modernitare me mirëtrajtimin e qenve  rrugaçë është cinizëm  krejt në skaj të panjerzishmes.

3)

Dhe së fundi...në një mbrëmje të nja në jave më parë,ende pa filluar sezioni i pushimeve relaksuese të verës, qentë dominojnë edhe “opinionin” e ekraneve. Njërin prej “tapeteve” më të gjërë të diskursit opinionbërës publik. Anipse vetë publiku zien në një tjetër debat mjaft më thelbësor. Politikisht Shqipëria ka prekë pikën fundore të sistemit demokratik duke bërë zgjedhje njëpartiake e pandodhur tjetër herë përgjatë tridhjetë viteve të demokracisë sonë hibride. Shqipëria është dallueshëm në një krizë që thuajse e ka paralizuar jetën normale të njerëzve.

Ndoshta edhe kjo loja me pasionin për qentë është një devijancë e mirëmenduar si shmangje nga  thelbi i gjësë dhe përqëndrimi tek lëvozhga e saj. Në sinkron me gjithçka ká parësore qeverisja e këtij vendi sot...

Kemi filluar të duam më shumë qentë, qysh se kur urrejmë më shumë njerëzit-thotë një miku im, që mban dy qen...

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco