Vampirët nuk festojnë ditëlindje!

Vampirët nuk festojnë ditëlindje!

Nga Poli Hoxha - 04/07/2019

Edi Rama me letra ka ditëlindjen dhe mbush plot 55 vjeç, por ai nuk po e feston!

Kjo ditë e ka kapur në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë, ku sipas DW do të kalojë 2 ditë të këqija pasi kancelarja Merkel që merr pjesë aty, pritet që t`ja thotë në sy se nuk ka plotësuar asnjë nga kushtet, që do të mundësonin hapjen e negociatave me BE-në. Ndryshe qëndron situata me kryeministrin Zaev të Maqedonisë së Veriut, i cili tashmë ka zënë vendin preferencial në axhendën e kryetares së Gjermanisë.

Gjithsesi në faqen e tij në FB, Rama, ka bërë një shënim me rastin e ditëlindjes.

“Faleminderit pafund dhe ndjesë për pamundësinë që t’u përgjigjem një për një, urimeve tuaja të pafundme për 55 vitet e mia. `Tekefundit s’kanë rëndësi vitet e jetës tënde. Ka rëndësi jeta në vitet e tua`, thoshte Presidenti Lincoln”, krahason veten, me një burrështetas si Abraham Linkoln.

Është interesante metafora e një fabule të njohur të Hollivudit, realizuar në një film të kushtueshëm me protagonist ish-presidentin e shquar Linkoln, të cilin citon sot Edi Rama. Ai shfaqet si një luftëtar i madh kundër komplotit të vampirëve, të cilët kërkojnë që të marrin në dorë SHBA-në dhe më pas gjithë botën. Që SHBA të ishte kjo që është, në kohën e etërve të mëdhenj si Linkoln u derdh shumë gjak, për të mos lejuar që “vampirët” të thithnin përjetësisht gjakun e amerikanëve.

 

Të gjithë ata që e njohin sado pak, e dinë shumë mirë se Edi Rama e ka fiksim moshën “e re” dhe ripërtëritjen dhe rilindjen e tij. Por duket se tani ka hequr dorë përfundimisht nga fshehja e degradimit të moshës, duke përdorur çdo mënyrë estetike e truk në veshje dhe ka kaluar në fazën e udhëheqësve të mëdhenj të cilët nuk kanë moshë, por vetëm vepra.

Kujtojmë se 5 vite më parë, vetëm pak muaj pasi kishte rehatuar të pasmet në kolltukun e kryeministrit të vendit, në një nga daljet televizive kur ishte në prag të të 50-tave, kur u pyet nga moderatori për moshën, Edi Rama u ngërdhesh, pastaj u zverdh dhe me gjysmë shaka, gjysmë mllef, por më shumë me urrejtje ndaj gazetarit që bëri konstatimin e viteve të tij, tha; rrotulloje, rrotulloje thikën…Dukej fiks si një vampir në prag të gjuetisë, duke parë me zili e lakmi, rininë dhe freskinë e atij që “i rrotullonte thikën” e moshës.

Prej kohës kur lëpiu për herë të parë mjaltin e pushtetit, pasi Fatos Nano e uli në kolltukun e ministrit të Kulturës, në fakt Edi Rama nuk e ka fshehur se vuan nga sindroma e lashtë sa njerëzimi: Pushtet, pasuri, rini dhe përjetësi, me çdo kusht.

Që nga koha e Gilgameshit, mbretit Sumero-Babilonas që kaptoi male të pafund në kërkim të përjetësisë, e deri më sot te Kim Jong i Koresë së Veriut, i cili kujton se i ka mbushur mendjen popullit të vet se nuk ka vrimë në pjesën fundore të prapanicës dhe prandaj nuk ka nevojë të kryejë aktin e dhjerjes si të gjithë frymorët e tjerë, kjo sindromë shkon paralel me pushtetin absolut që posedon një vdektar.

Rama tani ka pushtetin absolut, por nuk është ende në fazën që të pretendojë se nuk ka vrimë në të pasmet e tij. Por ama është fiks në stadin, kur kërkon që t`ju mbushë mendjen shqiptarëve se gjithë të përgërat e tij për këto 6 vite si kryeministër (po mbysin në kutërbim jo vetëm Shqipërinë por edhe gjithë botën), bien erë trëndafil!

Ndoshta tani pas zgjedhjeve të 30 qershorit, mund edhe urdhërojë Fugën që të përgatisë platformën e radhës të përpunimit të mendjeve (siç kujton se bën me popullin e tij, Kim Jong), sipas të cilës Rama nuk është si gjithë frymorët shqiptarë, por  një i “përjetshëm” i domosdoshëm që duhet të vazhdojë “Rilindjen” dhe ripërtëritjen e Shqipërisë!

E vërteta është që kjo rilindje e re e “Rilindjes”, nuk mund të bëhet vetëm me propagandë dhe shpëlarje truri, por kërkon më shumë “ushqim”. Me urimin që i ka bërë vetes me rastin e 55-vjetorit ne mund të kuptojmë gjithashtu, se edhe Rama është ndërgjegjësuar se nuk ka përjetësi; se plakja fizike dhe ajo pushtetore është fatalitet i parashkruar. Por kërkon ama si kompensim, që të jetojë përgjithmonë te “veprat” dhe emri i madh.

 Sot na njoftoi se është në këtë rrugë dëshirore; “emër të madh” dhe jetë të përjetshme në librat e historisë. Dhe nuk është, se e ka menduar keq dhe pa asnjë bazë logjikë. Po ta mendosh qetë-qetë ai ka bërë mjaft, që ta meritojë këtë.

 Për periudhën kur ishte kryetar bashkie, do të mbahet mend si “Mister 20-përqindëshi” që betonizoi Tiranën, të cilën e gjeti si një nga qytet më të gjelbëruar jo vetëm në Ballkan. Sot këtë mision ja ka ngarkuar me kohë të plotë, Erion Velisë. Vazhdojnë t`ja thithin pa mëshirë Tiranës; ajrin, dritën, tokën, jetën normale.

Por “rilindja”, ka kosto shtesë dhe do gjak të freskët që ta ushqejë pa pushim; Shqipëria e ngratë i ka pasur gjithmonë në qafë dhëmbët e vampirëve, por ata që i janë ngulur që në vitin 2013 nuk e lëshojnë për qamet. Nuk bëjnë, asnjë ditë pushim. Zgjaten për vit duke kërkuar thellë e më thellë, edhe ata pak damarë të mbetur ku ende qarkullon gjak.

Grumbullohen gjithë pasuritë në 4-5 regjistra hipotekorë; tjetërsohen toka e miniera, grabiten miliarda nga taksat, ikin duke mallkuar vendin ku kanë lindur mbi 500 mijë të dëshpëruar dhe të gjitha këto, i duken “vepra”!

Emër të madh në historinë moderne të Shqipërisë do të ketë Edi Rama për plot “vepra”, por mbi të gjitha shkëlqen “kryevepra” që realizoi gjatë vitit 2016. Të arrish të shndërrosh një Republikë të tërë, cep më cep, në një fermë gjigante hashashi kur je në krye të një shteti që ka 1 polic për rreth 200 banorë, nuk është ndërmarrje e lehtë. Si pasojë e kësaj dhe vënies së porteve, doganave, policisë e ndonjë banke në shërbim të krimit të organizuar, tashmë e gjithë bota na njeh si narko-shtet. Kjo është një sipërmarrje gjigante, të cilën nuk ka guxuar ta  çojë deri në këtë pikë asnjë satrap i Azisë së Largët dhe Amerikës Latine.

Por kur tu dalë “Droga Rama” edhe atyre shqiptarëve të 30 qershorit (numri i të cilëve korrespondon me taksën e tij personale, po 20 për qind, të cilin ka 20 vite që e mbledh), atëherë do të kuptojnë, se përse ai nuk e llogarit më moshën e tij me vite, por vetëm me “vepra” që për Shqipërinë janë miliarda dhe pasuri të zhdukura.

Njësoj si vampirët, të cilët nuk kanë problem moshën, por vetëm gjakun që ju duhet të thithin!

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Skrapari04/07/2019 18:28

Bukur e ke shkruar z. Hoxha. Po cvlere kane keto? Ai minimalisht po ben 6 vjet qe ketij populli shkerdhate po i merr frymen dhe asnjeri nuk bezan. Ky popull i ka merituar dhe i meriton diktatoret.

Shto koment

Denonco