Basha-Priebe, përball Edi Ramës dhe Gruevskit!

Basha-Priebe, përball Edi Ramës dhe Gruevskit!

Nga SYRI.net - 23/05/2019

Në mes të muajit prill (Datë 15) kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi nga Komisioni Evropian nisjen e implementimit të ‘Raportit Priebe’ edhe për Shqipërinë.

Këtë deklaratë të fortë, kreu i opozitës e bëri nga Sllovenia, ku ishte i ftuar në Institutin Ndërkombëtar të Studimeve për Lindjen e Mesme dhe Ballkanin.

Mes të tjerave Basha i kujtoi Brukselit suksesin që ka patur ‘Raporti Priebe’, në krizën politike të Maqedonisë së Veriut në vitin 2015 dhe zgjidhjen e saj pas 2 vitesh.

‘Komisioni Evropian, sapo ka nisur një nismë të re për të monitoruar të gjithë sistemin e Sundimit të Ligjit në Bosnje dhe Herzegovinë. Unë inkurajoj Komisionin, që të iniciojë një mision të tillë monitorimi edhe në Shqipëri. Monitorimi më efektiv i reformave të Sundimit të Ligjit në vendet që kërkojnë anëtarësim mund të arrihet duke u mbështetur në shembullin pozitiv të të ashtuquajturit `Raporti Priebe`, i cili tashmë ndihmoi në tejkalimin e një krize serioze të demokracisë dhe sundimit të ligjit në Maqedoni në vitin 2015’, i bëri sfidë kreu i opozitës shqiptare burokracisë së Brukseli.

Pas më shumë se pas 1 muaji, ditën e djeshme gjatë konferencës për çështje të sigurisë të organizuar nga Shoqata, ‘George C. Marshall- Shqipëri’,  presidenti Ilir Meta duke folur për ngërçin në Reformën në Drejtësi zbuloi se i kishte kërkuar drejtorit për Zgjerimin në Bruksel në tetor të vitit të shkuar, që të sillte në Tiranë një mision me ekspertë për të evidentuar zbatimin e drejtësisë së re.

Në vijim të kritikave të forta ndaj mënyrës se si po bëhet kjo reformë e rëndësishme dhe pasojave si bllokimi i Gjykatës Kushtetuese, Ilir Meta tregoi se gjatë një takimi me drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerim në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, i kishte kërkuar atij një mision për të evidentuar zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

 ‘Në fillim të tetorit i kam thënë drejtorit për zgjerimin, Denilson, që jemi pa gjykatë Kushtetuese. Prandaj kam kërkuar një mision zbatimi të reformës, për të garantuar që kjo është histori suksesi për ne dhe për ju’, deklaroi Meta.

Kërkesa e Bashës për Brukselin nga Sllovenia dhe ftesa e djeshme e presidentit Meta, duket se konvergojnë në një pikë; Një ‘Raport Priebe’, dhe për Shqipërinë.

Por çfarë është ‘Raporti Priebe’, i cili e shpëtoi vendin tonë fqinj Maqedoninë nga sundimi i një klase politike jo vetëm autokrate, por edhe të korruptuar e kriminalizuar në çdo qelizë?

`Raporti Priebe` është krijuar nga ish drejtori për Ballkanin në Komisionin Europian, Reinhard Priebe dhe konsistonte në mbledhjen e një grupi ekspertësh të pavarur nga vendet e BE, të cilët do të identifikonin problemet e thella të demokracisë së vendeve që kërkojnë anëtarësim.

Pas identifikimeve të vitit 2015, në vitin 2017 në momentin e krizës së thellë politike së bashku me ndërmjetësimin diplomatik midis aktorëve politikë në Maqedoni, Brukseli, mblodhi sërish një grup ekspertësh të pavarur, të udhëhequr po nga ish-drejtori për Ballkanin në Komisionin Evropian, Reinhard Priebe, për të identifikuar këtë herë problemet sistematike të shtetit ligjorë. Hetimi i thellë në vendin fqinj çoi në përmbylljen e të ashtuquajturin  ‘Raporti Priebe’, i cili do të ndryshonte edhe historinë e Maqedonisë duke e futur përfundimisht në binarët e demokracisë funksionale. Ekspertët e pavarur nga vendet anëtare të BE-së arritën që të identifikojnë problemet e demokracisë, duke shkuar më thellë se raportet e zakonshme të BE-së dhe ambasadave në Shkup të cilat, ‘vetëm sa e shtynin krizën e sotme për nesër’.

Aktualisht Shqipëria është pikërisht në një situatë të rëndë, me një krize jo të zakonshme. Bëhet fjalë për lëngimin nga sëmundje të shumta të vetë sistemit të demokracisë, të mbartura në 30 vite tranzicion, por që kanë shpërthyer qelbin nën drejtimin e qeverisjes nga Edi Rama. Njësoj si në rastin e Maqedonisë së Veriut tashmë, raportet e sheqerosura të KE-së dhe bojatisjet e selive diplomatike të huaja në Tiranë, nuk po identifikojnë dot, ‘problemet e thella të demokracisë’, siç edhe ishte objekti thelbësor i misionit të ekspertit gjerman Reinhard Priebe.

Ka qenë pikërisht ky raport shkaku kryesorë, që brenda një periudhe të shkurtër transformoi demokracinë dhe shtetin ligjor në vendin tonë fqinj. Tani që jemi vetëm pak javë larg mësimit të lajmit për hapjen apo jo të negociatave, informacionet dhe gjasat janë të shumta që Shqipëria të ngelet sërish në klasë, kurse Maqedonia e Veriut që ka qenë prapa nesh në këtë proces, të marrë lajmin e madh.

 Reinhard Priebe është një ekspert i njohur gjerman i cili mund të thirret në ndihmë nga opozita shqiptare në emër të qytetarëve që kërkojnë fund të sundimit të korrupsionit dhe qeverisjes së krimit ekonomik e të organizuar. Është koha që thirrjen që Basha bëri për Brukselin nga Sllovenia më 15 prill, ta zyrtarizojë për Brukselin,

Pavarësisht nga dallimet në teknikalitete, thelbi i deformimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe institucioneve të drejtësisë në Shqipërinë e Edi Ramës është i njëjtë me atë të Maqedonisë së Nikolla Gruevskit, që sot është një person i arratisur dhe i shpallur në kërkim nga drejtësia.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco