Reforma në drejtësi në agoni dhe zhgënjimi personal

Reforma në drejtësi në agoni dhe zhgënjimi personal

Nga Petrit Vasili - 23/05/2019

Si një nga anëtarët e komisionit ‘ad hoc’ të reformës në drejtësi dhe ku vota ime bënte diferencën sot ndjej vetëm zhgënjim, mosbesim, por edhe përgjegjësi për mirëbesimin e tepruar timin veçanërisht ndaj ndërkombëtarëve.

Ndërkombëtarët që në atë kohë patën një sjellje pak të thuash ofensive dhe shumë imponuese nën alibinë e një reformë që i duhej realisht vendit.

Të gjithë paqartësive të thella dhe formulimeve të dyshimta ndërkombëtaret iu përgjigjen duke vënë gjoksin si garantët e paepur të integritetit të reformës.

Imponuan edhe futjen në Kushtetutë të Operacionit ndërkombëtar të Monitorimit duke shënuar një hap të paprecedentë të ndodhur në asnjë vend tjetër.

Mirëbesimi i verbër tek paanshmeria e tyre, nën dritën e katrahurës së sotme të reformës në drejtësi është sigurisht edhe përgjegjësi e imja.

Sot të gjithë e shohin qartë që ONM anashkalohet, nënvleftësohet dhe refuzohet pa asnjë hezitim nga rilindja dhe qeveria.

Ndërsa Euralius mbështet ‘qetësisht’ devijimet e rënda të reformës.

Kritikës ja ka zënë vendin krijimi i alibive dhe duartrokitjet zhurmëmëdha të reformës së ‘paparë’ në glob.

Kjo Reformë nëse mund të quhet me akoma kështu, zbrazi vendin nga drejtësia dhe ato pak institucionet që u krijuan kanë integritet moral dëshpërues sipas vetë konstatimeve të ONM-s, por që tani e ka zërin ne fikje e sipër.

Muaj më parë kam thënë që reforma në drejtësi ësht në agoni të thellë.

Reforma në drejtësi si filozofi dhe si veprim konkret është në agoni të thellë pasi kapja e drejtësisë nga rilindja fitoi mbi drejtësinë e paanshme dhe të barabartë për të gjithë.

Reformën në agoni tashmë rilindja po e klonon pa u lodhur duke filluar:

nga zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme, që u zgjodh kundër Kushtetutës me 69 vota kur Komisioni i Venecias kishte sugjeruar që të mos përdoreshin as 84 votat që maxhoranca kishte në atë kohë si dhe pa vetting.

Nga asgjësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë për të legjitimuar pandeshkueshmërinë e qeverisë dhe për të bllokuar mundësinë e ankimit për koncesionet, grabitjen e pronës publike etj etj.

nga bllokimi i KED me sebepin e vettingut ndërkohë që kryeprokurorja e përkohshme u zgjodh pa vetting dhe bëri ç’deshi për muaj të tërë, duke mbyllur gojën për gjithçka

-nga transformimi i komisionit të ligjeve në një inkuizicion, që po djeg reformën me votimet e tij.

-Ku është grupi i ekspertëve të nivelit të lartë që ju dha e drejta të propozonte projektligjet e reformës? Komisioni i ligjeve i merr propozimet e eksperteve dhe i klonon duke i ndryshuar totalisht ato vetëm me votat e rilindjes.

-

Rilindja me britma histerike thoshte se ‘reformën po e bëjnë ekspertet dhe ne nuk ndërhyjmë’, ndërsa sot draftet e ekspertëve të nivelit të lartë janë zëvendësuar nga klonimet e komisionit të ligjeve.

Ndaj reforma është në agoni.

Fryma dhe filozofia e 21-22 korrikut dhe e votimit të shtatë ligjeve është shuar së bashku me ndërkombëtarët, ambasadorë a misione qofshin, që bënë sikur i dolën për zot integritetit te saj.

Sot ka vetëm arna dhe klonime që po riciklojnë në mënyrën më të keqe drejtësinë e vjetër.

Garancitë e ndërkombëtarëve për zbatimin korrekt të reformës janë tashmë thjesht një fjale dhe vetëm nga e kaluara.

Ka fituar Motua e rilindjes ‘poshtë reforma në drejtesi dhe rroftë kapja’.

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco