Lenifisherat e Strasburgut

Lenifisherat e Strasburgut

Nga Ilir Babaramo - 28/02/2019

Natën e 26 majit 1996, rreth gjysmë ore, bashkë me disa kolegë të tjerë, i kalova në zyrën elektorale të kandidatit të partisë në pushtet. Të gjithë e dinim se zgjedhjet i kishte marrë lumi dhe biseda ishte korr e mos lidh.

Në kohën kur po bëheshim gati të ngriheshim dera u hap me vërvimë. Një burrë tek të dyzetat shkarkoi nga qafa kutinë e votimit që e mbante si një dele dhe ia përplasi deputetit gjithë teatralitet në tavolinë: Merre dhe Mashkullorën, tha Strazua gjithë krenari.

Të gjithë u lebetitëm. Dikush i tha se duhet ta cconte në komisionin zgjedhor. Strazua u ndje i fyer. Me ju nuk luftohen komunistët . Përplasi derën dhe iku, bashkë me kutinë.

Dolëm dhe ne gazetarët. Ndoqëm Strazon dhe kutinë. Në selinë e prefekturës , ku ishte vendosur dhe komisioni i zgjedhjeve, televizioni ishte ngritur në kupë të qiellit. Vjollca Vokshi proklamonte fitoren e PD edhe në Skrapar me të njëjtin patos të Levitanit, spikerit legjendar të radio Moskës, kur shpalli fitoren e Stalingradit.

Komisioni i zgjedhjeve zhvillonte mbledhje me dyer të mbyllura. Askush s’mund të hynte. Për ne gazetarët as që bëhej fjalë. Tek dera priste dhe një familjar i kandidatit tjetër të partisë në pushtet. Ishte e revoltuar me ata që ishin brenda. Të gjithë po marrin mandatin, përse nuk ia jepni dhe burrit tim, i tundte gishtin kërcënues prefektit që kaloi andej pari.

Prefekti u tregua i sinqertë . Rasti i burrit tënd është specifik. Kandidoi në Dropull dhe askush nuk do e besojë se minoriteti grek ka votuar një mysliman, ju përgjigj.

Një javë më pas isha në Tiranë. Në Pallatin e Kongreseve jepnin konferencë shtypi një grup eurodeputetësh. Në krye të tyre ishte dikush që quhej leni, leni. Leni Fisher më duket. Pa ju dridhur qerpiku, pa u skuqur fare, i shpallën zgjedhjet e 26 majit ‘të lira dhe të ndershme’.

E kisha të pamundur ti besoja. Pak ditë më parë kisha parë Strazon. Labçja e Strazos ishte shumë më e drejtpërdrejtë se anglishtja e drunjtë e Lenit. Çfarë ndodhi më pas e dimë të gjithë.

Leni harroi dhe u harrua pas ca muajsh deri sa Bashkësia Ndërkombëtare çoi mijëra trupa paqeruajtëse për të ndarë sherrin shqiptar që kishte prodhuar mbi 2 mijë të vrarë. Deklaratat e sotme të eurodeputetëve dhe syzet e varura prej ashiku të Flikenshtejn më kujtuan Strazon dhe Lenin.

Zgjedhjet e fundit u bënë 21 vjet nga koha e Strazos. Vjedhja nuk bëhet në mënyrë harbute. Gjithsesi vjedhja është vjedhje. Sado të pyesë i habitur Finkelshtejni se ku janë faktet e kemi të pamundur ta besojmë. Sepse të gjithë e kemi parë se ‘fakti është brenda’. Mjaftojnë përgjimet e prokurorisë që janë bërë publike nga VOA.

Madje produkti i vjedhjes është më i madh. Sepse nëse në 96 nuk u prodhuan myslimanë në Dropull, 21 vjet më pas mësuam se ka çamë dhe në Dibër.

Për hir të vërtetës eurodeputetët nuk u treguan aq leshko sa zëvendësambasadori i OSBE i cili tha ‘votat janë blerë , por kjo nuk ka ndikuar në rezultat sepse të gjitha partitë kanë blerë’. As batuta e Shvejkut ‘ku di unë se çfarë bëj unë’ nuk është aq tragjikomike. Megjithatë mbetet pyetja: a duhet ti besojmë eurodeputetët që erdhën së fundi në Tiranë?

Vetëm në një rrethanë mund të themi se nuk ka ndodhur ajo që kemi parë. Rilindja të ringjallë ‘Komandantin’ (të cilin asnjëherë në 45 vjet nuk e krahasuam me Skënderbeun). Por tashmë s’kemi pse të kemi frikë. Kush ka ikur nuk është kthyer nga Andej. E kemi parë dhe mund ta themi me zë të lartë strukturën kriminale elektorale që ka ngritur Edi Rama.

Kemi parë se si territorin e republikës e ka ndarë në çifliqe në krye të secilit ka vendosur një grusht njerëzish që blejnë vota dhe intimidojnë këdo që është kundër tij. Fotot e emisarëve të tij në tryeza me killera dhe njerëz që janë në kërkim nga policia janë bërë tashmë një rutinë. Madje dhe vetë Rama është fotografuar me më të efektshmit e tyre. S ka Leni Fisher apo Knut Flikenshtejn të na mbushë mendjen se ajo që kemi parë nuk është ajo që kemi parë.

Koha ka ardhur që shqiptarët mos kërkojnë më arbitër ndërkombëtar për sherret tona të brendshme.

Madje koha ka kaluar që tre vjet më parë, në kohën kur vetëm oborri I kryeministrisë kishte mbetur pa mbjellë me hashash ishin ndërkombëtarë ata që thanë se ‘është çrrënjosur 99.8 për qind e sipërfaqes së mbjellë me kanabis’. Kjo duhet të ndodhë për shumë arsye. E para se shqiptarët tashmë nuk janë më ata të para 30 viteve më parë.

Gjithkush në profesionin e tij nuk ka kompleksi inferioriteti. Në krizat ciklike të politikës gjithnjë është dëshmuar se ndërkombëtar në emër të stabilitetit, kanë zgjedhur rrugën më të lehtë, kanë ushtruar presion tek më I dobëti, janë bërë gjithnjë me qeverinë. E megjithatë kriza nuk është zgjidhur është vetëm agravuar.

Nëse kthehemi tek Strazua dhe Leni ajo që po ndodh tani ka një tjetër ngjashmëri.

Sali Berisha gjeti një mjek fshati për të thyer bojkotin e opozitës. Të njëjtën gjë po bën tani dhe Edi Rama. Përmes ca leftermurrizësh po përpiqet të caktojë një opozitë të re. Sali Rexhepit të shkretë dhe mund ti falej. Ishte I varfër dhe u tundua. Por këta të sotmit e kanë kripur djathin, janë miliarderë. Cfarë u duhet një mandat për pak muaj ?

Sa më shumë të shtyhet në kohë zgjidhja politike aq më të rënda do jenë pasojat për vendin dhe aq më I madh dëmi elektoral I PS. Në këtë rrethana palët duhet të ulen në tryezë për të gjetur një zgjidhje: jo për një tranzicion pushteti, por për një pakt social , pse jo një pakt xhentëlmenësh, të fiksuar në klauzola të qarta : jo më vjedhje votash.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

shqiptar28/02/2019 21:18

Nuk është fatkeqësia më e madhe për popullin shqiptar, varfëria e madhe ku e katandisi diktatura enveriste, apo lufta kriminale e kllasave..
Dëmi më i madh që i bëri këtij populli ajo diktaturë, është rrënjosja e psikollogjisë së skllavit të nënshtruar.
Edhe pas gati 3 dekadash të përmbysjes së atij sistemi makabër, ndonëse me retorikë hipokrite cilësohet si një e keqe e madhe, ka akoma jo vetëm shqiptarë të shtresave të ulta arsimore, por edhe "intelektuale" e gazetarë që ju djeg kurrizi për samarin e diktaturës së Ramës.

Askushi 28/02/2019 16:32

Asnjeher nuk duhet te themi se keshtu ka qene, keshtu eshte bere, keshtu eshte jetuar..etj..etj. Nese ka qene keq, nuk do te thote se duhet te jemi keq, apo me keq. Kjo qeverri kriminale, premtoj se do ti bente gjerat me mire, nderkoh keq e me keq, dhe gjithnje themi se keshtu ka qene. Jo nuk ka qene keshtu. Ne 2017 paraja e droges bleu gjtheshka,

shqiptar28/02/2019 15:32

Në vitin 1996, ishte krejtësisht ndryshe, ishte normale që cilido komisioner lab, gjirokatsrit, pukjan apo tiranas që shihte në listat e votimeve, emrat e persekutorëve të kohës së diktaturës enveriste, që e kishin burgosur apo që i kishin vrarë të afërmit e tij, pa e vrarë mëndjen gjatë ja fshinte emrin.
A mund ti kërkohej llogari një populli të persekutuar që ishte detyruar me dhunë të votonte për 45 vjet me 99.99% të votonte për PP ?
Është e marrëzishme të krahasosh votimet e 1996, ku socialistë që e panë se nuk fitonin i braktisën me komandë komisionet e votimit, me zgjedhjet e 2017-tës, vitin e kulmit të trafikut të drogës e qarkullimit të miliardave eurove të pista.
Nuk mund të akuzosh dhjetra mijëra shqiptarë që për 45 vite as nuk ju ishte lejuar që të votonin, të cilësuar si "armiq të partisë", që pas katër vitesh ndryshim të sistemit, nuk i njihnin rregullat e demokracisë.
Nëse komentojmë se çfarë ka ndodhur para 21 vitesh, pse të mmos hidhemi edhe nja 5-6 vite më tutje ? Si ishin zgjedhjet "pluraliste" të 1991-shit ? Nuk po i zemë në hesap ato të 1989-tës. A mos ishin më demokratike zgjedhjet e 1997-ës nën grykat e kallashnikovëve sesa ato të 96-tës ?
Ësht[ e marrëzishme e jashtë çdo llogjike historike, të krahasosh të kaluarën diktatoriale enveriste, me tranzicionin e vështirë demokratik post diktatorial.
Jo vetëm për Leni Fisher, por edhe për gjithë kryetarelt e shteteve demokratike europiane e amerikane, kur panë eksodin masiv të shqiptarëve deri në vitet 2000-, habiteshin se si ishte e mundur që të votohej e majta shqiptare, apo më saktë për enveristët.

cuf dabjoni28/02/2019 15:11

dy korrigjime mikut ti Ilir.!
1. Paqerruajtesit e misionit "ALBA" erdhen me vonese dhe nuk di nje rast qe te kene nderhyre ne inkursionet e bandave dhe dervenxhinjeve, te cilet vazhduan te vidhnin , te trafikonin per nja dy vjet .....duket se u quajt qe mjaft fituan e u shperblyen per kaosin
2. "sheri shqiptar" q ethoni Ju ishte politik dhe u mbyll ne mars. Pas kesaj ne Shqiperi (jo kudo) vepronin bandat dhe Qeveria e re nuk beri asgje per te vene tendin. Mbase duhet pyetur Qeveria pse nuk nderhyri e la te vriteshin "djemtë e nënave".... e kjo quhet shperdorim detyre. nje jave mjaftonte per te vendpsur rendin mbi BANDAT. nje xhiro me tjadaç beri Vaedin Lame dhe nuk u vra asnje ne Tirane.

Shto koment

Denonco