Thaçi u tërhoq, Tirana të heshtë!

Thaçi u tërhoq, Tirana të heshtë!

Nga Artur Zheji - 04/02/2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u tërhoq mençurisht nga projekti fillestar i shkëmbimit të territoreve, si pjesë e negociatave Kosovë-Serbi.

Ai tashmë e ka lexuar mirë dhe drejtpërsëdrejti mesazhin më të fundit amerikan për këtë çështje.

Më vonë do të dalin padyshim detajet e duhura, që do të kënaqin kureshtjen e mediave, në lidhje me qëndrimin amerikan, i cili, me sa duket, është bashkërenduar me qëndrimin e Berlinit, që ka qenë kundra kësaj, që në krye të herës.

Në këtë debat të fortë gjeopolitik, për parashtrimin fillestar, të mënyrës se si do të bëhej një marrëveshje e qëndrueshme paqeje ndërmjet dy shteteve, Kosovë dhe Serbi, në Tiranë doli më qartë, qëndrimi i ish Kryeministrit Berisha dhe qëndrimi i Presidentit Meta.

Të cilët shprehën kundërshtinë e tyre të vendosur që në krye të herës.

Mirëpo për askënd nuk është e qartë deri në fund, nëse kjo çështje është mbyllur përfundimisht, sepse kundërshtia e Haradinajt dhe e Albin Kurtit në Kosovë, është thelbësore, por jo e mjaftueshme, përderisa gjërat të dalin hapur dhe në dritën e diellit.

Edhe qëndrimi amerikan në lidhje me këtë, është më shumë i nënkuptuar se sa i artikuluar kthjelltësisht, por zbythja e Thaçit dhe belbëzimi i Ramës, janë domethënës.

Personalisht, nuk kam menduar deri tash, se kjo ka qenë një nisëm qëllim keqe dhe e sponsorizuar nga Moska apo Beogradi, por ndoshta, në rastin më të mirë, një gabim trashanik në përllogaritje dhe një nxitim për të kapur “trenin e historisë”.

Deklarata e Presidentit serb Vuçiç me rastin e vizitës së Putinit në Beograd, për rolin thelbësor rus në marrëveshjen Beograd-Prishtinë, ishte një kambanë e kumbueshme alarmi, që largoi çdo iluzion, se kjo marrëveshje, do të ishte, thjesht një marrëveshje dypalëshe.

Ndoshta kjo përcaktoi një qëndrim më të vëmendshëm dhe të ndryshëm amerikan, shprehimisht kundër shkëmbimit të territoreve, që lexohet qartësisht në fjalët më të fundit të Hashim Thaçit, që u paraqit në mediat e Tiranës, i zbehur dhe i pamotivuar për të mbrojtur parashtrimin e tij fillestar, madje duke e mohuar krejtësisht atë.

Mbështetja e Tiranës ishte e fuqishme, por e tërthortë. Intervista e pakujdesshme e Gentian Cakës te Baton Haxhiu, ku foli për shkëmbime territoresh dhe katapultimi i tij ministër i jashtëm, duke shkarkuar Ditmir Bushatin, që ishte shprehur kundra kësaj, zbuluan bashkëpunimin Thaçi-Rama.

Rezistenca institucionale e Ilir Metës, si president, e vuri në fokus çështjen në fjalë dhe zgjoi një interes të pazakontë, sidomos në lidhje me pa-natyrshmërinë e shkarkimit të ish Ministrit Bushati. Dhe kështu bomba gjeopolitike plasi hapur edhe në Tiranë dhe pati një debat të zjarrtë dhe të përgjithshëm.

Tani gjërat janë më të qarta, por gjithmonë larg të vërtetave përfundimtare, të cilat tani për tani, nuk munden të ndikojnë në të sotmen dhe të nesërmen e kësaj çështjeje. Vetëm nëse Ditmir

Bushati vendos të flasë, mund të hedhë realisht dritë, por kjo, me sa duket, nuk është në natyrën e tij.

Rama vizitoi me ngut dhe në mënyrë informale Prishtinën, për të kuptuar më shumë se në çfarë valleje gjeopolitike ishte futur apo e kishin futur, Hashimi dhe këshilltari i tyre i përbashkët, Baton Haxhiu. Pa dashur të paragjykojmë, qëllimin e mirë, kjo marrëveshje ju vdiq ndër duar dhe çdo shpresë për ta ringjallur, do të ishte tashmë e dënueshme.

Tirana zyrtare bën mirë që hesht në këtë fushë. Është në nderin e shqiptarëve dhe të vetin, që ta bëjë këtë, tani e mbrapa.

/Botuar në 360gradë.al

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

coli05/02/2019 13:19

Ndonëse Zheji kohët e fundit ka mbajtur në apatrencë një qëndrim kritik të ashpër ndaj bëmave të Ramës, emisioni i tij 360 gradë që e paraqet si një mendim të lirë të mendimit ndryshe ka degjeneruar në ca personazhe të dorës së fundit që i thërret vetëm që të zihen njeri me tjetrin pa evidentuar problemet konkrete të kohës.
Nuk e kuptoj se për çfarë arsye thërret në këtë emision si të përhershëm një gazetar kontravers , njëfarë Malo që nuk bën gjë tjetër veçse kundërshton çdo mendim të të tjerëve e nga kjo mani e dëgjova mbrëmë që të kalonte në shfaqjen e urrejtjes ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Po ashtu i neveritshëm është bërë në emisionin e tij një tjetër i ftuar i përhershëm, një djalë i ri "regjizor" socialist 24 karatësh që vjen vetëm për të bërë avokatinë e Edi Ramës e të Tciprasit e bile e dëgjuam që të kërcënojë studentët që e kritikuan për servilizmin e tij ndaj Ramës..
Po e shohim si dendur në ekranet televizive, por edhe në emisionin e Zhejit, një personazh kontravers e të dyshimtë, ish shefin e SHIK të pas 97-ës, Fatos Klosin që të bëjë vlerësime për situatën aktuale apo për reformën në drejtësi.
E çfarë mendimesh mund të presin qytetarët shqiptarë nga ky person që e rimbushi SHIK-un me ish oficerë të sigurimit ?
Jam skandalizuar edhe me një emision , në mos gaboj të gazetarit Babaramo, kur si panel kishte thërritur për diskutimin e prokurorit Sheshi, ish prokurorë e gjykatës të kohës së diktaturës apo një gazetar pa qafë (nuk më kijtohet emri) që dilnin me pretendimin se sigurimi enverist duhet vlerësuar se paskej bërë detyra "patriotike".
Pa shkuar më tej me një prokuror të moshuar të kohës së diktatorit, një farë Brahimaj, mjafton të përmend faktin që ky farë prokurori ngatëronte fjalën perfekt me fjalën prefekt, një gabim që e bëjnë gjithë injorantët, për të kuptuar se çfarë vlere kishte mendimi i tij.

i deleguari05/02/2019 12:35

Nuk e kuptoj kete lloj "xhentellmenlleku" alla Artur Zheji ?! "Tirana te heshte"??!!! Do me thene te mos tregoje se c'felliqesire eshte Baton Haxhiu,se c'monster eshte Edvin Rama,se sa gjarper eshte Thaci,shkurt te mos tregoje se c'muter jane keta plehra qe edhe pa komanden e krye-qelbesires Mustafa Nano u bene bashke kunder Shqiperise,kunder shqipetareve.Rrjedhimisht u dashka te mos e marre vesh njeri se Sali Berisha e ka mbrojtur qe ne 1991 kete ceshtje dhe se propaganda Enveristo-ripjellese ka deshtuar ne sharjet ,mashtrimet ,spekullimet kunder Sali Berishes! U dashka qe me gjenerozitet tju krijohen shtrati dhe atmosfera ketyre ndyresirave dhe atyre qe vujne pas, qe Beogradi te mos dekurajohet nga deshtimi i rradhes por te investohet per te gjetur Caka_t dhe per te vazhduar batonerine! Dhe me ne fund te vijne historjanet e leshit, si Xhufi Milo junior qe t'i vene vulen "se shqipetaret humben nje shans te arte per te ardhmen e tyre" Jo qe nuk duhet heshtur ,por duhet vene ulerima o zoti miku i te tereve Artur Zheji.

t04/02/2019 18:57

Filloi prap ky duke i bere llozhe ramzesit .Everteta do dale vetem me pas,nqs protesta 16 shkurtit mbyllet me sukses

Shto koment

Denonco