Ilir Meta duhet falënderuar

Ilir Meta duhet falënderuar

Nga Andi Bushati - 20/12/2018

Ilir Meta ka kthyer sot një ligj, që më shumë i ngjan një thike pas shpine për Edi Ramën.

Si një njeri që vjen nga e majta dhe nga një opozitë që po denoncon përditë shërbimet që i bën kryeministri oligarkëve, ai i ka çuar për rishqyrtim parlamentit amendamentet që i falin miliona njerëzve më të pasur të këtij vendi.

Fjala është për uljen e tatimit mbi dividentin që ndajnë mes tyre aksionerët e kompanive private.

Ai është parashikuar të zbresë nga 15% që ka qenë më parë në 8% sot. Dhe historia nuk përfundon këtu.

Ky përgjysmim do të shtrihet sipas ligjit të votuar njëherë në 3 dhjetor edhe për vitet paraardhëse. Pra, sikur të japim një shembull të thjeshtëzuar, për një biznesmen të madh që do të ndajë fitimin e 10 milionë dollarëve në vit, buxheti i shtetit që merrte deri më tani 1.5 milionë, këtej e tutje do të marrë 800 mijë.

Dhe kjo jo vetëm për 2018, por edhe për vitet e më parshme, nëse ky biznesmen nuk ka ndarë në atë kohë fitim.

Pra merret me mend se sa humbet buxheti ynë i përbashkët nga dhurata marramendëse që Edi Rama po i bën më të pasurve. 

Natyrisht që akti i duartrokitshëm i Ilir Metës është një vendim i pastër politik.

Pavarësisht nga kleçkat kushtetuese që presidenti ka gjetur duke u mbështetur tek shkeljet e barazisë mes shtresave të ndryshme, ai me kthimin e këtij ligji, ka dashur të na tregojë një akt të pastër grabitjeje.

Ai ka dashur të tërheqë vëmendjen e opinionit mbi këtë turp që e kaluan në heshtje të gjitha mediat që janë të interesuara për ndarjen e fitimit të tyre.

Ai ka dashur të tërheqë vëmendjen mbi mashtrimin e Ramës me taksën progresive, sipas të cilës më të pasurit do duhej të paguanin më shumë dhe më të varfrit gjoja më pak.

Ai ka dashur të tërheqë vëmendjen mbi paktin okult mes oligarkëve dhe kryeministrit, duke vënë në dukje se gjatë viteve të fundit më të pasurit e këtij vendi nuk kanë paguar tatim mbi dividentin, me premtimin se një ditë Rama do t’ju a falë atë (kjo vërtetohet me shifrat e viteve të fundit).

Ai ka dashur të tërheqë vëmendjen mbi një shoqëri gjithnjë e më të pabarabartë, ku puna e taksohet (deri 24%) shumë më tepër se fitimi i një aksioneri (8%).

Pra, pikërisht në një kohë kur Edi Rama ngre supet para studentëve për tu thënë se kaq para kemi, në një kohë që firmos në mënyrë frenetike PPP me justifikimin se drejton një shtet të varfër, kryeministri i të pasurve u dhuron njerëzve më të kamur të këtij vendi miliona euro.

Pikërisht këtë ka dashur të tregojë Ilir Meta me kthimin në kuvend të këtij ligji. Dhe për këtë duhet përshëndetur. Sepse ai e di që nuk mund ta pengojë këtë vendimmarrje të Ramës. Ai e di që argumentimi i tij kushtetues mund të hajë interpretim. Ai e di që shumica e deleve do ta hedhë poshtë dekretin e tij.

Por, pavarësisht nga kjo, akti politik i Metës ka një vlerë. Sepse ai na tregon më shumë për një kryeministër që pasi i jep tendera pa garë klientëve të tij, pasi u fal koncesione dhe PPP, pasi i shpall investitorë strategjikë kur kanë probleme me pronarët, pasi i hap dritën jeshile për të prishur teatrin dhe stadiumin duke ngritur kullat e tyre mbi tokë publike, ai, në fund u përgjysmon edhe tatim fitimin, për këto biznese që u ka dhuruar.

 

Natyrisht, të gjithë e dinë që akti i presidentit nuk do ta ndalë dot vullnetin e Ramës për ti shkuar deri në fund krijimit të një shoqërie skajshmërisht të pabarabartë. Por Ilir Meta duhet falenderuar për zbrapsjen e këtij ligji, sepse së paku ai riktheu vëmendjen, ndaj një grabitjeje që prej 3 dhjetorit po kalohej në heshtje.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco