Që protesta të shndërrohet në Lëvizje popullore

Që protesta të shndërrohet në Lëvizje popullore

Nga Red Varaku - 13/12/2018

Duhet thënë që në fillim se, një lëvizje është “e fortë” vetëm kur pastërtia e njerëzve që i japin frymë asaj është e padiskutueshme. Sepse fuqia dhe efikasiteti i një lëvizjeje lidhet drejtpërdrejt me fuqinë dhe pastërtinë e zemrave që marrin pjesë në të.

Në mënyrë që një protestë të shndërrohet në një lëvizje, duhet që njerëzit që marrin pjesë në të të jenë domosdoshmërisht njerëz me peshë publike, të cilën e kanë fituar vetë, me karakterin e tyre, zgjedhjet e tyre dhe nuk ua ka dhuruar askush.

Rasti  i protestës së kuksianëve dhe sot i studentëve, është shembulli më ilustrues i fuqisë së një lëvizjeje të tillë. Ata ishin dhe janë, mbase akoma edhe sot të panjohur dhe të varfër, por krenarë dhe të vendosur përballë kamzhikut dhe joshjes së pushtetit. Fuqia e pastërtisë së qëllimit të tyre e detyroi pushtetin të përulej.

Duhet të jenë njerëz ontologjikisht të palidhur me nevojën për të dalë në TV, për të qenë të pëlqyer apo në qendër të vëmendjes.

Ata duhet të jenë njerëz që nuk flenë dhe zgjohen me ëndrrat për ndërtimin e monumenteve të lavdisë për veten.

Njerëz që derdhen shesheve vetëm nga një thirrje e brendshme, pa patur nevojë për platforma mediatike moderne dhe shumë të komplikuara dhe as ndonjë logjistikë të sofistikuar.

Njerëz që e kanë refuzuar me përbuzje dhe neveri kultin e vetes, atë mendimin joshës që të fton vetëm për interes, për një vend pune ose favore të tjera.

Njerëz që me fisnikëri kanë vendosur të përballen me banda të armatosura, duke e njohur që  fuqia e këtyre bandave i tejkalon ata disafish. Sepse ata janë të bindur që nuk është numri i njerëzve që e përcakton madhështinë e një lëvizjeje, por është përpjekja plot pasion dhe, sigurisht, sinqeriteti dhe ndershmëria e njerëzve që e mbështesin atë.

Në ballë të kësaj lëvizjeje duhen vendosur pikërisht ata të cilët kanë dhënë prova dhe që kanë një reputacion të mirë dhe kredencialet e duhura në popull për vite të tëra sprovash.

Duhet të jetë një lëvizje e cila nuk ka nevojë për grantet, donacionet apo sponsorizimet e askujt. Duhet të jetë një lëvizje që nuk ka nevojë për platforma mediatike apo sociale për t’u shpërndarë, sepse zemrat e këtyre burrave dhe grave rrahin gjithmonë bashkë.

Vetëm një protestë me njerëz të tillë mund të prodhojë një lëvizje të përmasave që mund ta trondisë nga themelet dhe më pas shkulë me rrënjë këtë klan që ka kriminalizuar elitën e Shqipërisë për të dytën herë në këta njëqind vjet.

Nëse vërtet duam të ndërtojmë një lëvizje të përmasave të tilla, duhet të kuptojmë që efikasiteti i ndryshimit politik e ka zanafillën në radhë të parë te pastërtia e qëllimit, solidariteti dhe mirëkuptimi njerëzor midis njerëzve dhe aspak tek emra të përveçëm që ende i thurin lavde lavdisë së dikurshme me qëllim rikthimin e privilegjeve të humbura.

Për këtë duhet të ndjekim shembullin e më të mirëve, “burrave dhe grave” që përmbysën regjimin, të cilët edhe pse rrezikuan jetën e tyre dhe të familjeve, kurrë nuk u mburrën dhe kurrë nuk kërkuan asgjë, qoftë edhe mirënjohjen e askujt, sepse ata e kishin harruar veten nga dashuria për vendin e tyre, e kishin harruar veten nga dehja e pasionit për Liri.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Gazi15/12/2018 15:37

Lexoj komentuesin qe thote se autori bie ne kontradikte me veten. Pse mor zotri ti pret qe te jete nje formule magjike ku do zgjidhej situata ?!
Autori ben nje analize te thelle dhe teresisht te pa-anshme. Rrespekte

Keni13/12/2018 20:45

qE Kjo te Ndodh duhet te Jet Vera 30 Grad celsius,shkoni more Nxenu se mir e kini me Ramen

shqiptar13/12/2018 20:34

Mendova se autori do të kishte gjetur më realisht çelësin e suksesit të kësaj proteste të fuqishme, duke bërë thirrje që ajo të kthehej në një lëvizje të fuqishme politike.
Por ajme!
Që në krye të shkrimit autori bie në kontradiktë me veten.
Edhe kërkën që lëvizja të drejtohet nga persona publikë të njohur, edhe ju bën thirrje studentëve që të mos publikohen në publik.
Politikën e bëjnë kauzat dhe aftësitë e liderëve për ti përçuar këto kauza në pjesën më të madhe të shoqërisë.. Lëvizjet politike që mund të ndryshojnë sistemet, mund të realizohen vetëm nga persona me aftësi udhëheqëse e bindje të pranueshme nga shumica, por edhe kauza me mendësi progresive demokratike e jo rikthim në kauzat e dështuara..

Shto koment

Denonco