Babale dhe Ramale!

Babale dhe Ramale!

Nga Poli Hoxha - 11/10/2018

Ta marrim shtruar. Sepse trullia mbi opinion publik ka mbërritur, në kulm. Asgjë nuk po kuptohet qartë dhe gjithçka bie erë. Qeveria, opozita, media, tavolinat e kafeneve dhe divanët përpara TV-ve janë ngërthyer nga babalizmi.

Jo nga Albert Veliu, ai vlonjati tipik i pas viteve 90-të;  mesoburri i dërmuar në burgje që kujton me mburrje histori trafikantësh, droge e skafistësh përpara gotës së rakisë. Ai e bëri hakmarrjen e vetë ndaj shefit, që nuk i çoi një paketë cigare kur ra në burg në Itali.

Agronin e rilindur në Geron “ja dorëzoi” drejtësisë italiane dhe tani po shijon famën e vetë, kushedi në çfarë vrime në kampin e improvizuar të azilkërkuesve në Prishtinë. Qelinë që i ka bërë gati këtu Arta Marku me Edi Ramën e ka “bukë me djathë”, kur mendon se tashmë ai është “çështja më madhore” politike në Shqipëri.

Problemi është se shqiptarët janë lodhur nga kjo histori dhe ajo, duhet të ketë një fund sa më të shpejtë. Kapaku është ngritur, kutërbimi po mbyt mëngjeset dhe mbrëmjet e shqiptarëve, prandaj secili të marrë hakun. Kushdo të përgjigjet për pjesën e pronësisë që ka te bazeni i ujërave të zeza, që na është zbuluar poshtë këmbëve.

Pra ka ardhur koha që ta marrim shtruar, por me shumë zbërthim.

Babalja

Tashmë dihet historia e Albert Veliut, ose Babales së Vlorës. Dihet edhe shndërrimi në një kauzë politike, për të treguar lidhjet qeveri-krim që opozita i bëri përgjimit. Atij “kurthi” në dëshpërim e sipër të Babales, që me shumë dëshirë; për hakmarrje, për një shumë të majme në euro apo për të dyja bashkë, i bëri vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Sot jemi në fazën kur politika, media dhe opinioni publik janë ndarë në dy kampe ekstremisht të kundërt. Në lojë është futur, edhe prokuroria. Hetimi, çështja shtrohet; a është e vërtetë ajo që na serviri Babalja nëpërmjet opozitës? A u përdor apo u ble për 200 mijë euro nga eksponentë të PD-së për të goditur nr. 2 të qeverisë Rama, Fatmir Xhafajn?

 Por mbi të gjitha; a është e vërtetë që Agroni i shndërruar në biznesmenin Geron vazhdonte nga Vlora duke pasur në xhep “karta biankën”  vëlla i ministrit të Brendshëm, avazin e vjetër të trafikut të drogës?

Fakt është, se për të marrë përgjigjet e këtyre pyetjeve kemi dy hetime. Rilindja, gazetarët që janë vënë hapur në shërbim të saj dhe mbi të gjitha prokuroria, flasin vetëm për të parin; është i vërtetë audio-përgjimi i Babales me Afron Xhafajn apo jo?!

Për të dytin; pra veprimtarinë kriminale në vazhdim  të vëllait të ministrit, asnjë informacion, sekret i plotë ose në rastin më të keq, pauzë totale deri sa ti vijë momenti për arkivim.

Dhe mirë bëjnë; nëse nxjerrin blof përgjimin, me një gur vrasin dy zogj. Ose tre, më saktë; Familja Xhafaj nuk po përdor pushtetin për të vazhduar veprimtarinë kriminale dhe opozita inskenon në mënyrë kriminale histori, me qëllim rrëzimin e qeverisë.

Por mbi të gjitha kryeministrit Rama, për çdo “incident dhe aksident” që i nxjerr zbuluar njerëzit e tij si të lidhur me krimin, fajin ja ka opozita.

“Zogun e parë” dështuan pas 3 muajve tentativë që ta vrasin, me të vetmin gur efektiv; ekspertizën ndërkombëtare të zërave të dy protagonistëve. Italianët nuk e morën fare përsipër, kurse laboratori prestigjioz britanik e çoi çështjen sërish në pikën zero; zëri mund të jetë, por edhe mund të mos jetë i Agron Xhafajt!

Pas kësaj futën në lojë një dëshmitarë “të penduar”, Fredi Alizotin, (edhe ky një ish-trafikant e ish-burgaxhi që i kalon ditët  i dëshpëruar përpara gotës së rakisë) i cili i mërzitur se nuk “morri pjesën” nga Babalja, u vetë-ofrua për të nxjerr blof përgjimin. Por çmontimin e blofit, Babale-Basha, nëprmjet Alizotit ua nxori blof vetë ky i fundit, nëpërmjet një përgjimi tjetër ku rrëfen në kushte mosdije për filmimin, të kundërtën e asaj që ka firmosur në prokurori.

Pavarësisht gjithë kësaj tollovie, prokuroria po ecën në mënyrë partizane përpara. Furnizon gazetarë “investigativë” të partizanizuar papritur, me foto e përgjime që nuk thonë asgjë për thelbin e hetimit. Ndërhyn në mënyrë të paprecedentë në emisione televizive ku trajtohet çështja, duke mos pasur fare frikë, se kështu po bëhet palë...

Shqiptarët kërkojnë të dinë; ekziston apo jo në këtë histori elefanti dhe jo gjurmët psiko-paranojake që kanë lënë gjithandej Babalia, Alizoti apo qoftë, edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, deputetët Salianji e Balla dhe gazetari Jetmir Olldashi.

Dhe ekzistenca ose jo e elefantit vërtetohet, vetëm nëse kemi një përgjigje shkencore përfundimtare për bisedën, Babale-Agron Xhafaj. Kjo mund të zgjidhet fare thjeshtë, nëse ka vullnet. Të caktohet një fond special; të pajtohet një prokuror i huaj për të asistuar grupin hetimor te Krimet e Rënda; të shkohet në Prishtinë dhe ti merret zëri origjinal Albert Veliut; pastaj në burgun e Romës të kryhet e njëjta procedurë me Agron Xhafajn dhe le të presim përgjigjen, nga kushdo laborator i certifikuar i huaj.

Çështja tashmë është kthyer në një betejë për “jetë a vdekje”, mes mazhorancës dhe opozitës. Është 100% politike dhe këtë e deklarojnë të dyja palët.

Dhe Ramalja

Po përse nuk i bën të gjitha këto prokuroria dhe përse Edi Rama nga ana tjetër ka krijuar një grup hetimor paralel, me paratë e taksapaguesve shqiptarë duke përfshirë, edhe ish agjentë amerikanë?!

 Sepse Edi Ramës i duhet që telenovela “Babale”, të vazhdojë si një serial i ri nën okelion;  “Ramale”.

Thelbin e shkakut, se përse kryeministri i ka vënë gjoksin në të gjitha mënyrat kësaj çështje e kuptojmë vetëm te një fjali, që tha përpara deputetëve të tij; Nëpërmjet “filmit Babale” është synuar, që të rrëzohet qeveria jonë!

Për herë të parë Rama shfaqet i frikësuar, se “i bie” qeveria. Nuk e ka thënë këtë as kur i doli një varg deputetësh e kryetarë bashkishë të lidhur me krimin, as për “Çështjen Tahiri” e as për skandalin “Rraja-Xhisiela”.

Shndërrimi i Babales në Ramale ka të bëjë, me vetë strukturën e Rilindjes.  Ramalja duhet të mposhtë “Babalen”, me çdo çmim. Nuk ka rëndësi nëse ajo histori që u ka ngelur në derë është e vërtetë, apo jo. Përtej vërtetësisë së një bisede mes dy ish shokëve të një bande trafikantësh në Itali, të dënuar nga i njëjti hetim kemi një zinxhir shtetërorë, në çështjen e drogës në Shqipëri.

Kemi ministra të Brendshëm që janë bërë si kali i kuq në Bundestangun gjerman; kemi pastrim parash dhe pushkatim të ligjit Atimafia; kemi një kryeprokurore që të paktën është e kompleksuar nga mënyra si u “emërua” në atë post. Por mbi të gjitha u duhet një opozitë e ç`vleftësuar deri në ordinerizëm.

Ramalja është kthyer në një betejë finale nga Rama; për të shumëzuar me ZERO betejat e opozitës të certifikuara, edhe nga ndërkombëtarët. Ato që kanë nxjerrë sheshit planin e organizuar nga Rilindja për kanabizimi e vendit; kriminalizimin e parlamentit dhe gjithë administratës; simbiozën e qeverisë me “biznesin e madh” që pastron paratë e zeza të prodhuara këtu dhe që po hyjnë, edhe nga e gjithë bota.

Ekonominë e mbështetur në biznesmenë që i punojnë qindin monedhës Euro, duke e transformuar në beton e hekur ”;  në koncesione që nisin me llogari 10 mijë euro e kopsiten në qindramilionëshe, për dekada të tëra...etj, etj.

Ky është thelbi i Babales, të kthyer në Ramale. Prandaj kjo histori nuk ka për tu mbyllur kurrë, edhe nëse del përgjimi i inskenuar.

PS: Ndërkohë që po i vihej pika, këtij shkrimi të gjatë erdhi një mesazh; Linja e Vlorës është transferuar në grykëderdhjen e Vjosës, në Seman. Skafet e “Babales” kanë orar të ri tani...nisja çdo ditë në orën 4.30 të mëngjesit, koha kur matanë, anijet e Guardia Di Financa bëjnë ndërrimin e turneve!     

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

proletar12/10/2018 17:06

shume gjate...

X12/10/2018 14:51

Babale dhe ramale ke harru dhe fekale

Nje njeri i thjeshte11/10/2018 15:24

Nje shkrim mjaft i sakte mendoj une. Tek pjesa e Ramales, ka disa te verteta qe e bejne KM te dridhet dhe arsyet jane disa. E para dhe kryesorja eshte mbeshtetja e nderkombetareve qe praktikisht ka rene ne piken zero dhe mund te vije momenti qe keta te fundit te kerkojne koken e tij ne tepsi. ne keto kushte duhet ordinerizuar sa me shume opozita qe nderkombetaret te mos ta kthejne pllaken. Ketu e ka njefare te drejte KM sepse opozita ne vend qe te merret me "e lagu s'e lagu" duhet te kerkoje dorehwjen e KM dhe jo te MB qofte ky edhe nr. 2 i qeverise. E dyta, rrezimi nga qevrisja do sillte humbje te medha (mosfitime disa qindramilioneshe) per KM dhe kjo dihet se cfare do te thote per njerezit qe kane perr perendi lekun. Por me e rendesishmja nga te gjitha ato qe mendo eshtej se KM eshte peng i atyre qe e sollen dhe e mbajten ne pushtet dhe duke e ditur me mire se kushdo se cfare jane te afte te bejne disa nga keta njerez, renja nga pushteti nuk dihet se cfare "surprizash" mund t'i sillte. Opozita duhet te lere menjane ceshtjen e Babales sepse pak e rendesishme eshte kjo per publikun e gjere tashme, PD duhet ribashkohet, pra te therriten te gjithe ata njerez qe me ose pa deshiren e tyre jane larguar nga PD dhe te mase forcat me qeverine (ketu nuk e kam fjalen per force fizike, por per force njerezore sepse jam absolutisht kundra revolucioneve te dhunshme, por e kam fjalen per forcen njerezore) dhe e pushtoje sheshet. Kurre ndonjehere nuk kane patur perpara nje KM me te frikesuar

krasasi tp11/10/2018 15:13

Telenovela "Babale" ka per skenarist Z.Rama dhe regjizor Z.Basha.Per spektator shtepiak(et) kudo ndodhen, ku fale mjeteve te shumta te komunikimit ju serviret "falas" ,Njera telenovele pason tjetren dhe kurioziteti eshte se kush do jete telenovela e radhes.Ne vend te analizojme dhe komentojme bemat e qeverise dhe çbemat e opozites, qe lidhen me reformat per integrim, perfshi edhe shtyrjen para te implementimit te Reformes ne Drejtesi,te gjithe jane vene ne gare se çfare shikojne pas hundeve "palle" te Babales -Agron(Geron)-Alizoti.Me kujtohet qe ndoshta nga viti 1994 si keshilltar i komitetit pluraliste ne nje rreth , na u ofrua dhe firmosen nje deklarate se çfare pasurije dispononim ne ate kohe.Besoj kjo praktike eshte ndjekur per te gjithe te zgjedhurit perfshi deputet K/K e K/B.etj.Cfare pasurije ka sot Fatmir Xhafa dhe vellaji i tij,po ish ministrat e brendshem para tij, cfare pasurije ka Kryeministri dhe te tjere para tij, cfare pasurije kane K/partive, udherrefyesit tane te shnderritshem .Si mund te kete zgjedhje vendore dhe te pergjithshme nese nuk kalojne ne kete "vrime"udheheqsija jone e ardhshme,Me telenovela do na shtyjne.

Shto koment

Denonco