Dritëhijet e një vizite 'të habitshme', të komisionierit Hahn në Tiranë!

Dritëhijet e një vizite 'të habitshme', të komisionierit Hahn në Tiranë!

Nga Poli Hoxha - 18/07/2018

Komisionieri për Zgjerim, Johannes Hahn, qëndroi në Tiranë 5 orë dhe iku duke lënë prapa kryeministrin tonë të fryrë si gjel, në majë të vendimit të Këshillit të Europës për Shqipërinë, që nxin dhe sterron.

Nuk i shtroi tapet të kuq, por i vuri në dispozicion autostradën dhe rrugët nga Rinasi në kryeministri, të thuash se vendin po e vizitonte Merkel apo Macron.

Përgjegjësi kryesor i përpilimit të atij rekomandimi të sheqerosur të Komisionit Europian, me vizitën e tij në Tiranë na tregoi sërish se asgjë nuk ka qenë keqkuptim, por strategji. Tani që na vërtetoi se brenda Bashkimit Europian ka individë dhe grupime, që bëjnë qoka me raporte  për hapjen e negociatave, të cilat më pas i hedh poshtë Këshilli Europian ka ardhur koha, që të drejtohen prozhektorët te ajo pjesë e Brukselit, e cila për arsye “misterioze” bën qorrin për realitetin kriminalo-ekonomik në vendin tonë. Duke i dhënë shiringa pushtetit të Edi Ramës dhe çetës së tij narko-ekonomike dhe duke shtyrë lëngatën e Shqipërisë, drejt BE-së.

 Në pikën 7 të detyrave që ka një Komisionier Zgjerimi, të përcaktuara nga BE, thuhet tekstualisht;

“Konceptoni një qëndrim Tuajin në lidhje me Kërkesat për anëtarësim të vendeve kandidate: përshkruani situatën politike dhe ekonomike të këtyre vendeve, evidentoni problemet gjatë bisedimeve për anëtarësim...”.

Zoti Hahn erdhi dhe nuk përmbushi ndaj popullit shqiptarë, asnjë nga këto detyra që i përcakton “kushtetuta” e BE-së. Nuk zuri në gojë, asnjë nga kërkesat e anëtarëve të Këshillit për Shqipërinë; veçanërisht çështje si krimi i organizuar dhe korrupsioni në nivelet më të larta të qeverisë. Nuk tha asnjë fjalë për situatën politike në vend, injoroi në mënyrë demonstrative opozitën dhe çështjet që ka ngritur ajo sistematikisht, të cilat më pas u certifikuan edhe nga krerët e BE-së.

Por më kryesorja, preferoi që të mos artikulonte qoftë edhe një fjali për debatet dhe problematikën e nxehtë, që doli gjatë diskutimeve të kryeministrave dhe ministrave të Jashtëm të BE-së, kur u diskutua për vendin tonë dhe si pasojë u morr vendimi për shtyrjen e bisedimeve (do hapen, apo jo negociatat), deri në fund të vitit tjetër.

Zoti Hahn i cili është përgjegjës edhe për Maqedoninë në këtë proces, veproi krejtësisht ndryshe gjatë vizitës në Shkup. Aty ai i takoi të gjithë faktorët dhe i dha rëndësinë që ka në të vërtetë, opozitës.

Në Vendimin e Këshillit të Europës u theksua dhe u stërtheksua, se vendi ynë duhet të thellojë reformat. Por ato nuk mund të bëhen thjesht nga qeveria, pa një konsensus me partitë e tjera parlamentare. Vetë procesi drejt anëtarësimit në BE në thelb nuk është gjë tjetër, përveçse një konsensus mes pozitës dhe opozitës. Ky është kusht, të cilit nuk i ka shpëtuar dot asnjë vend.

Nëse zoti Hahn së bashku me Edi Ramën kanë vendosur që të zgjedhin rrugën e Erdogan, i cili as që  llogarit ka apo nuk ka në sulltanatin e tij opozitë, atëherë kemi të drejtë të mendojmë për një simulim sabotues, të procesit të afrimit të Shqipërisë drejt BE-së.

Një vend që ka 25 vite në tranzicion të brendshëm dhe mbahet njëkohësisht në tranzicion lëngues në procesin drejt BE-së është detyrimisht, edhe një parajsë për autoritarizmin, korrupsionin qeveritar, licensimin dhe infiltrimin e krimit të organizuar në ekonomi.

Ai dje lejoi Edi Ramën, që të përgënjeshtroj shefat e tij të mëdhenj në BE, të cilët e thanë troç që Shqipëria jo vetëm nuk është gati por ka probleme të shtuara me krimin e organizuar, korrupsionin, plus çështjen e emigracionit të cilën e shtoi Macron, si “qershia mbi tortë”.

Hahn në mënyrë “misterioze”, certifikoj fushatën e kryeministrit “për përdorim të brendshëm”, sipas të cilës në vendin tonë çdo gjë shkon vaj, përveç se duhet të përshpejtohet Vettingu!

Nuk ka drogë, siç thonë institucionet përgjegjëse të Italisë, Gjermanisë dhe SHBA; nuk ka koncesione (PPP) të tipit mafioz që janë shndërruar në minë me sahat për ekonominë, siç thotë FMN dhe BB; nuk jemi vendi që rivalizojmë me Sirinë në luftë, për emigracion; nuk kemi ish-kryebashkiakë e ministra në detyrë të akuzuar dhe me dosje të hapura e të mbyllura në mënyrë të errët, për lidhje me krimin e narkotrafikun, apo malavitën e ekonomike; nuk ekzistojnë as raportet e Departamentit të Shtetit dhe ato të agjencive të huaja të inteligjecës, të cilat thonë se vendi ynë është shndërruar në një lavatriçe gjigante të pastrimit të parave, për gjithë Europën; nuk jemi një nyje kryesore, distributor tashmë, edhe i drogave të rënda si kokaina dhe heroina, nga Amerika Latine ajo Qendrore dhe Azia.

Erdhi në Tiranë për Edi Ramën dhe refuzoi që të takonte e dëgjonte, edhe 5 minuta, krerët e opozitës siç e detyron edhe  “kushtetuta” e BE-së, qoftë edhe për tu thënë; boll “shpifët” për vendin tuja, d.m.th, për Edi Ramën!

Takoi presidentin e vendit, sërish në dritën e një axhende personale të dyshimtë. Sipas burimeve mediatike afër presidencës, thelbi i këtij takimi ishte kërkesa e Hahn ndaj Ilir Metës, që të mos pengonte marrëveshjen okulte të Ramës me Greqinë, për çështje e rikonfigurimit të vijës detare në detin Jon dhe specifikisht, atë në Zonën Eksluzive Ekonomike, ku ka interesa të mëdha financiare greke dhe të disa konsorsiumeve ndërkombëtarë të hidrokarbureve, që zoti Hahn i njeh mirë.

Cili jeni në të vërtetë ju zoti Hahh dhe, për kë punoni?

Si ka mundësi dhe për çfarë arsye, puna juaj me Shqipërinë konvenon, vetëm me axhendën e dyshimtë të Edi Ramës?! A ekziston ndonjë opsion që ju të jeni aq naiv apo sylesh, sa që nuk e dini se vetëm duke vënë gishtin mbi plagë, mund të ndihmohet Shqipëria?

 Apo i vetmi opsion i juaji është ai që thotë në gazetën e tij, Nikoll Lesi: Vini në Tiranë me çantën bosh dhe largoheni, me çantë plot e përplot…

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

toni19/07/2018 14:42

dihet mir se c europ eshte vetem shihni me italin.

Tiku18/07/2018 23:04

Analize e qarte me shume te vereta fatkeqesisht. Eshte vertet shume e habitshme ajo qe po shohim, dy BE krejtesisht te ndryshme. Njera e ketyre burokrateve te Brukselit qe i shihin vende si Shqiperia si nje mundesi per te punuar per veten dhe tjetra, ajo e qeverive serioze si Gjermania dhe Franca.

t18/07/2018 13:19

me qarte se kaq nuk ka,por opsioni i ketij ham-hani eshte ai e lesit, erdhi se kishte qoken e radhes.

hane18/07/2018 13:12

Han erdhi ne Tirane per te marre nje dore te mire me pare .
Edhe Han eshte njesoj si uqerit e tjere te uritur ne BE per paret e droges shqiptare
Kjo para eshte e mbel sidomos para ikjes nga kolltuku
Rruge tjeter nuk ka,
Ndryshe nukka se sesi te shpjegohet kjo mbrojtje e han per narkoqeveritarin rama

Shto koment

Denonco