Pse nuk duhet dënuar gjesti i Xhakës e Shaqirit

Pse nuk duhet dënuar gjesti i Xhakës e Shaqirit

Nga Marco Bernardini - 23/06/2018

Është e vërtetë që sporti duhet të përfaqësojë momentin më fisnik për mendimin njerëzor, sidomos kur eventi është planetar siç është rasti i Olimpiadave apo i Kupës së Botës në futboll.

E nëse në lashtësi edhe mbretëri luftarake si ato të Greqisë gjatë periudhës “së shenjtë” të lojërave pezullonin çdo aksion lufte, ndodhte për shkak se ndonjëherë mosarsyeja mund të mposhtet nga arsyeja.

Parë nën këtë këndvështrim, të paktën formalisht, ‘gjesti i shqiponjës’, me të cilin dy lojtarët kosovarë të Zvicrës, Xhaka e Shaqiri, shfaqën para gjithë botës gjendjen e tyre shpirtërore pasi mundën Serbinë, shkon kundër etikës sportive dhe mund të ndëshkohet.

Në realitet, gjërat nuk janë kaq të thjeshta e para se të gjykohet për dënim, jashtë vendi sipas meje, duhet reflektuar e arsyetuar mbi atë çka i ka shtyrë dy lojtarët helvetë të bëjnë një veprim që irritoi jo pak qeverinë e Beogradit dhe vuri në alarm FIFA-n.

Shpirti human, meqenëse fatmirësisht ende nuk jetojmë si inteligjencë artificiale, në raste të caktuara i largohet atij që duhet të jetë qëndrimi i sugjeruar nga racionaliteti. Impulse, pak a shumë të fshehura, e ndjenja të ndryshme që kujtimet i sjellin nga larg sundojnë mbi arsyetimin e ftohtë dhe vendosin mbi sjelljen e individit.

Historia e Xhakës e Shaqirit duhet të jetë emblematike edhe për ata që mendojnë e thonë që midis politikës e sportit nuk duhet të ketë përzierje.

Në këtë rast, më tepër se për politikë duhet folur për luftë. Për atë luftë tragjike të përgjakshme që në fundin e viteve ’90 e shndërroi rajonin e Ballkanit në një lloj kasaphane të tmerrshme në qiell të hapur.

Në veçanti Kosovën, ku milicitë serbe të Millosheviçit e shpërthyen tërbimin e tyre kundër popullsisë shqiptare në një gjakderdhje pa precedent për epokën kontemporane. Dikush arriti të largohej, duke lënë tokën e tij bashkë me miq e të afërm që nuk i pa më kurrë.

Ishin, me plot kuptimin e fjalës, pararoja e asaj ushtrie gjigante të përbërë nga ‘emigrantë’ në arrati për të mbijetuar që herë pas here turbullon Evropën. Xhaka e Shaqiri në atë kohë ishin dy fëmijë që, bashkë me prindërit e tyre, ndryshe nga shumë të tjerë, patën fatin t’ia dilnin e të adoptoheshin nga Zvicra deri në bërjen qytetarë helvetë (Në fakt Xhaka është lindur në Bazel, Shaqiri në Gjilan të Kosovës-Shënim SYRI.net).

Por futbollistët, para se të arrinin të largoheshin, u shënjuan në shpirt e mendje. Bomba, ekzekutime, vdekje e frikë. Shumë frikë. Mbrëmë, në momentin e gëzimit më të madh personal, mund ta shmangnin rishikimin si në një film horror të skenave që, për fajin e baballarëve të kundërshtarëve në fushë, i detyruan të jetonin një fëmijëri ferri mbi tokë.

E kështu, me radhë, bënë të fluturonte shqiponjën. Ja pse jo vetëm që nuk duhen dënuar, por duhen kuptuar e mbështetur nga solidariteti i të gjithëve.

Calciomercato.com-Përgatiti SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

shqiptar25/06/2018 10:27

As që ju ka shkuar në mënd dy futbollistëve shqiptarë të përfaqesueses zvicerane, që në momentin e gëzimit e emocionit të tyre të natyrshëm të shënimit të golave, të bëjne "politikën e madhe" nacionaliste.
Thjeshtë demostruan në mënyre spontane një realitet të pakundërshtueshëm, se veç faktit si nënshtetas të Zvicrës ata janë me origjinë shqiptarë.
E bënë në mënyrë "provokative" këtë demostrim të së vërtetës apo "u hakmorën" kundër serbevë ?
Në çdo ngjarje që duhet "hetuar" nga drejtësia, pista e parë e hetimit duhet të jetë se cilat janë shkaqet, për të arritur tek pasoja.
Së pari duhet shtruar pyetja.
Cilat kanë qenë arsyet që familjet shqiptare të këtyre sportistëve, emigruan në Zvicër ?
E bënë këtë se donin të braktisnin origjinën e tyre shqiptare e të deklaroheshin si zviceranë, apo ngaqë shteti serb që mbante të pushtuar Kosovën, ju a kishte bërë jetën sterrë në vendin e tyre., ju kishte mohuar çdo të drejtë njerëzore, i burgoste e i vriste se kërkonin lirinë ?
E bënë për "hakmarje" gjestin simbolik të kryqëzimit të duarve në formën e shqiponjës ?
Edhe nëse do ta kishin bërë për "hakmarje", shqiponja që kemi ne shqiptarët si simbolikë kombëtare, është një simbol i lirisë e jo simbol i urrejtjes e pushtimit të kombeve të tjera..
Nuk shkoi UÇK që të pushtonte e masakronte popullin serb në shtetin e teritoret e banuara me serbë. Nuk shkoi të pushtonte Beogradin.
Ishin forcat ushtarake e policore serbe që erdhën edhe me tanke për të masakruar e dëbuar nga tokat e tyre shqiptarët.
Dy shuplakat e kryqëzuara në gjoks, në zemër, është idiotësi që ti komentosh si "hakmarje politike". [ Ky është një gjest tërësisht paqësor e human..
Nese dikush e ndjen veten të "provokuar" nga ky simbol paqësor, kjo do të thotë se ka kompleksitetet e fajit, krimit e më shumë se sa një "hakmarje" ky gjest i shqiptarëve duhet konsideruar si një demaskim i krimit për shkeljen e të drejtave themelore të njeriut.

Shto koment

Denonco