Pragprotesta/ Nga rezistenca e heshtur drejt një stacioni zamadh!

Pragprotesta/ Nga rezistenca e heshtur drejt një stacioni zamadh!

Nga Ilir Nikolla - 24/05/2018

Vërehet këto ditë një sponsorizim i neveritshëm i opinionit se Rama është i plotfuqishëm, nuk dëgjon efektet e protestave, bile është shurdh edhe ndaj “këshillave” të miqve ndërkombëtare. Paralel, s’ka të ndalur fushata klasike antiopozitare, frymëzimi i së cilës tashmë dihet. Kjo propagandë e shfrenuar po mbars një klimë skepticizmi e cila s’mund të thuhet se po kalon pa pasoja, sa i përket in(sh)kurajimit të pjesëmarrësve në protestë. Edhe vënia përballë e betejës opozitare me aspiratën e hapjes së negociatave, po paketohet në të njëjtën hulli.

Pyetja mbizotëruese që mbetet në fakt është bërë prej mijëra vjetësh: ç’do bëhet përballë një pushteti autoritar që e ka humbur arsyen e trashur zullumin?.

Shembujt ndërkombëtarë mund të çalojnë në krahasim, por të gjetur nën thundrën e autoritetit të paarsyeshëm, shqiptarët janë shquar në përpjekjet e tyre për të mos e lënë veten në mëshirën e pështirë të padronit. Në Vitin e Skënderbeut, besoj se s’ka më shembull kuptimplotë sesa qëndresa e tij, e cila sot e kësaj dite cilësohet nga turkoshakët tanë si disi e tepruar, e paarsyeshme e joefektive. E pra, ajo solli 25 vjet liri madhështore dhe 500 vjet kujtesë qe u shërben shqiptarëve sot e gjithë ditën.

Për tu kthyer në kohë më moderne, maji është përvjetori i revoltave të Spaçit dhe Qafë-Barit, dy shembuj të tjerë se si rezistenca e shqiptarëve nuk matet me kuota bastesh, as me gjasat e dialogut që mund të lëshojë “veshi i shurdhër” i Padron- kryeministrit. Shembujt janë aty e rrënojnë ngrehinën që po ngre propaganda, e cila mbahet nga shtyllat e “popullit të lumtur”, “pamposhtshmërisë së kryeministrit”, “urgjencës së negociatave” dhe “pafuqisë së Opozitës”. Vendi po braktiset, por kush po qëndron këtu po përpiqet t’u shmanget pagesës së taksave të larta, ka bllokuar çfarëdolloj investimi për një kohë më të mirë dhe po vëzhgon për rastin kur do çlirohet nga zgjedha e padron-kryeministrit. Kjo rezistencë e heshtur e ka çuar borxhin publik në kupë të qiellit, financat në kolaps dhe investimet publike në nivelin më të ulët historik. Kjo rezistencë e heshtur mund të japë rezultat në një kohë afatmesme, por kjo do të rriste koston që shqiptarët do paguajnë për largimin e klikës.

Protesta e të shtunës është një përpjekje madhështore për prishjen e status-quo-së dhe një rast për shndërrimin e rezistencës së heshtur në një revoltë zamadhe. Propaganda që intimidon revoltën është treguesi i parë se pushtetit buratin po i dalin gozhdët.

Një projekt fizibiliteti i protestës rrëfen për ndihmën e madhe që do i jepej procesit të integrimit në rast se ajo do përfundonte me një zgjidhje politike. Edhe nëse goditja e së shtunës nuk do të jetë aq efektive, kalimi i paravendosur nga rezistenca e heshtur në revoltë është një rrugë që ka veç një rezultat; rrënimin e pashallëkut të Edi Ramës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco