Negociatat nuk i pengon e vërteta, por ministrat nën akuzë

Negociatat nuk i pengon e vërteta, por ministrat nën akuzë

Nga Patrik Sadikaj - 15/05/2018

Ashtu siç edhe pritej, në mungesë të argumenteve, PS-ja e rilindur mbrojti edhe ministrin e dytë të akuzuar familjarisht për trafik droge, duke përdorur kartën e integrimit dhe të reformës në drejtësi.

Pa iu dridhur qerpiku, selia rozë përsëriti të regjistruar me pikë dhe më presje shprehjen: PD, duke akuzuar ministrin Xhafaj (Tahiri etj.), synon të hedhë baltë ndaj procesit të negociatave me BE-në. Normalisht një qytetar I thjeshtë nga shtëpia, ulur para TV-së nuk ka kohë të thellohet dhe ha pa e përtypur çorbën e gatuar në kuzhinën e PS.

Por, nuk është aspak kështu. E për këtë kam një pyetje krejt logjike që asnjë prej mbrojtësve të ministrave të zënë tashmë gafil në trafik droge, nuk i jep përgjigje: Kush hedh baltë e pengon procesin e integrimit, dikush që ngre akuza të vërteta për afera kriminale në kupolën e qeverisë, apo stërkëmbshin integrimit ia vendosin vetë ministrat që njëri pas tjetrit vendosen në bankën e të akuzuarve si të lidhur me krimin?

E vendosim në peshoren europiane dhe të jemi të sigurtë që ajo anon nga ministrat që mbartin në kurriz tonelatat e drogës së trafikuar pikërisht në vendet e BE-së. Nuk ka një drejtues europian, I cili ka në dorë fatet e negociatave, që nuk e bën dot dallimin mes atyre që zbulojnë skandalet me ata që i bëjnë skandalet.

Kush është më e rëndësishme për Brukselin, Berlinin apo Parisin? Akuzat që ngre e shqetësuar opozita, apo fakti që ministrat e rilindjes janë sot njëri nën arrest e tjetri duke e ndjekur në të njëjtin fat?! Normalisht që një organizëm i themeluar mbi parimet e zbatimit të ligjit dhe demokracisë e kupton se nuk është PD dhe as akuzat e saj legjitime që i bëjnë dëmin negociatave të integrimit.

Dëmin më të madh ia bëjnë lidhjet që një qeveri ka ndërtuar me krimin, krim i cili ia dha pushtetin e tani kërkon haraçin.

Për të gjithë ata që e kanë sot merakun e negociatave, duhet ta kuptojnë se ka vetëm një shkak që mund të na e mohojë rrugëtimin europian. Lidhja e fortë e qeverisë me krimin është shqetësimi më i madh që ka parlamenti dhe qeveria gjermane, presidenti francez apo qeveria holandeze.

Sado që të lodhet Edi Rama që të sajojë histori me armiq të brendshëm e të jashtëm, armikun e ka në krah, e ka të ulur këmbëkryq në qeverinë e tij dhe këtë tashmë e ka kuptuar mbarë bota. Madje edhe miqtë e tij që bënë çmos që era e hashashit të mos i kalonte kufijtë.  

Një tjetër koracë me të cilën mbron rilindja ministrat e vet të kapur në arat me hashash, është reforma në drejtësi. Nëpërmjet mëk-mëkëve të kryetarit të komisionit të ligjeve, megjithëse me shumë vështirësi, kuptuam se fajtore edhe në këtë rast na qënkërka zbuluar PD, pasi sipas Ulsiut hedh baltë mbi Reformën në Drejtësi, duke zbuluar sesi Fatmir Xhafaj me shokë e falsifikoi natën këtë reformë duke i dhënë me Kod Penal mbrojtje të vëllait që kërkohej nga Italia.

Edhe në këtë rast pyetja është e njëjtë: kush po e vret reformën? Normalisht që ata që po e masakrojnë duke e kthyer në një vegël të pushtetit të tyre të dalë nga krimi e droga dhe këtë as BE dhe as SHBA nuk e ha më si të vërtetë.

Aq më pak kur gjithë “ajka”juridike e shumicës nuk gjeti qoftë edhe një letër të na mbushte mendjen për të kundërtën e asaj që thotë PD. Opozita nuk hedh baltë duke nxjerrë të vërtetat sado të dhimbshme të jenë këto për qeverinë. Minat, drejtësisë ia ka vendosur qeveria e cila po e kap për fyti duke tentuar ta kthejë në një vegël të saj që të shpëtojë ministrat e kapur botërisht në trafik droge.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

gramoz15/05/2018 15:25

Prit Patrik se nuk kemi pare gje akoma, gojet e liga thone se fatzi xhafa do te dorhiqet por ne vend te tij minister i brendshem do vihet balili!

Shto koment

Denonco