A është futur Rama në emergjencë, për të shpëtuar kokën e tij?

A është futur Rama në emergjencë, për të shpëtuar kokën e tij?

Nga Poli Hoxha - 02/05/2018

Edi Rama deri të shtunën e kaluar, në çdo dalje televizive sa herë që pyetej për ndryshime në qeveri e kishte gati një përgjigje të prerë: As që bëhet fjalë, ata janë duke kryer me sukses objektivat e “Shqipërisë që duam”. Por si një rrufe në qiell të hapur në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare, ai paralajmëroi tërmet në qeveri dhe parti.

“Ne do të vlerësojmë çfarë ndryshimesh do të bëjmë në qeveri në shtator, nëse do duhen bërë. Cilët ministre apo ministra, cilat ministri apo sektorë nuk janë në lartësinë e kësaj nevoje, që jo thjesht të tregojnë shifrat dhe statistikat, por të kenë vendin e tyre në mendjet e në zemrat e atyre që na kanë dhënë besimin.”, tha Rama, duke njoftuar njëkohësisht, se këto ndryshime do të bëhen pas një fushate takimesh dhe konsultimesh, “gju më gju me popullin”!

Në fakt gënjeu, sepse tashmë të gjithë njerëzit afër tij e dinë planin që ai ka kohë që po përpilon në kokë dhe konkretisht, për të hapur një front të ri, me synim tërheqjen e vëmendjes nga skandalet e shumta që ka nëpër këmbë dhe ato më të mëdhatë, që priten ti plasin në oborr së shpejti.

Nga fijet që po shkojnë direkt tek ai prej dosjes “Tahiri”, tek zbulimi i skemës korruptive të ARMO&GULF; nxjerrja zbuluar e tenderimeve abuzive dhe klienteliste; loja e madhe grabitëse dhe kriminale me inceneratorët; rrënimi i ekonomisë, shtimi i varfërisë, mungesa e investimeve të brendshme dhe ato të huaja që kanë bukosur zhvillimin dhe veçanërisht, për të mbytur frikën që e përndjek që nga protesta e kuksianëve.

Që kryeministri tashmë e ka vendosur, se cilat do të jenë “kokat që do të priten” në funksion të këtij plani, e zbuloi “pa dashje” ushtari dhe përmbaruesi i punëve prapa skene në parti dhe grupin parlamentar, Taulant Balla.

Ditën e djeshme ai dekonspiroi, se analizat dhe takimet me popullin gjatë muajve deri në Shtator janë thjesht një farsë propagandistike, pasi në fakt “letrat” formale të ministrave që do të largohen, tashmë janë kopsitur dhe janë në zyrën e Edi Ramës.

 “Tashmë është hartuar një raport i performancës së secilit prej ministrave në sektorin që ai mbulon”, tha Balla duke nxjerrë zbuluar hipokrizinë  e Ramës në Asamble, për të ashtuquajtura takimet me bazën me synim vlerësimin e punës së anëtarëve të kabinetit të tij.

Pra dosja e ministrave dhe shënimi përkatës, “suksese në jetë”, për ata që do sakrifikohen në Shtator tashmë gjendet në zyrën e kryeministrit dhe kjo është një punë e kryer.

Pyetja është; përse Edi Rama po e shtrin vendimin e tij në muajt Maj dhe Qershor, ndërkohë që ju ka kopsitur ministrave “biografinë” e punës dhe motivacionin e flakjes (si miliarder ama), kur e ka në dorë që ti shkarkojë që sot?!

Së pari, me këtë plan-show për të shitur në opinion perceptimin, se është gati të ndëshkojë ministrat-kukulla, nuk do shumë mend për të kuptuar se ai kërkon që të shpëtojë kokën e tij. Rama mbahet si një personazh tipik, që sa herë ndjen rrezik shndërrohet në një makiavelist të egër. Ndërkombëtarët dhe opinion këtu brenda; Rilindjen, qeverinë, dhe të gjitha pisllëqet dhe inkriminimin e saj, e identifikojnë me një emër të përveçëm.

Rama ka punuar për këtë, duke mbrojtur dhe justifikuar çdo skandal apo dështim jo vetëm të ministrave që ka përzgjedhur vetë, por edhe të kryebashkiakëve dhe drejtorëve të rëndësishëm.

I ka vënë gjoksin personalisht damkave të tilla; që nga infiltrimi i krimit të organizuar në legjislativ, qeveri e pushtet lokal, nga kanabisimi i vendit, Tahirit, inceneratorëve, kullave, shembjes së Teatrit, ligjit për importin e plehrave, e deri te koncesionet dhe rritja drastike e taksave.

Ka zëra publik, por më të shumtë në ambiente konfidenciale të cilët shtohen çdo ditë, që thonë “me garanci”, se në këtë situatë zgjidhja e vetme që i është ofruar nga faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë është largimi i Ramës si kryeministër dhe vazhdimi i qeverisjes socialiste, deri në zgjedhjet e vitit 2021. Kjo periudhë përkon, edhe me mbylljen e Reformës në Drejtësi dhe nisjen e funksionimit të “gijotinës” ndëshkuese, pa dallim.

Aktualisht dilema që duhet të zgjidhin vetë socialistët me ndihmën e ndërkombëtarëve, pak a shumë është kjo; Një Shqipëri e izoluar gjithmonë e më shumë me Ramën kryeministër dhe si pasojë, një fundosje e gjithë barkës, apo sakrifikim i tij për të zgjidhur qoftë edhe përkohësisht, kurthin ku ka ngecur vendi dhe më së shumti ata vetë. E gjitha kjo; edhe nën panoramën e një opozite të shkalafitur, e herë-herë të kapur po nga Edi Rama.

Kjo shpjegon edhe sinjalet e forta, se Edi Rama po synon ta parandaloj një zhvillim të tillë duke ndryshuar strategji. Pasi nuk i pi më ujë loja naive në rastin më të mirë, dhe debile në atë më të keqin, për të shkarkuar mbi opozitën degradimin e qeverisjes së tij, ai ka vendosur që të bëjë “çorbë” Partinë Socialiste gjatë këtyre 2 muajve në vazhdim.

Nga ana tjetër me anë të këtij plani “vetë-pastrimi”, kryeministri po tenton që tu japë sinjale “skeptikëve” në BE, por edhe SHBA, se është gati që të reflektojë për “parakushtet” e Kancelares Merkel dhe raportet e fundit të Departamentit të Shtetit, nëse në Qershor merr viston e hapjes së negociatave. Ai mendon se kjo përkthehet, në një shiringë mbijetese për atë vetë në krye të qeverisë deri në fund të mandatit.

Tashmë dihet se “parakushtet” e Kancelares janë kapja e qeverisë, nga krimi i organizuar dhe korrupsioni i kthyer në sistem.

Nëse Edi Rama e ka seriozisht që të ndërhyjë në këto dy qeliza malinje (që në fakt janë karakteristikat kryesore të qeverisë së tij), apo qoftë edhe të bëjë një operacion modifikues sa për të kaluar lumin, shtrohet pyetja, retorike në fakt; përse nuk i bën tani shpejt përpara Qershorit kur vendet anëtare të BE do të marrin vendimin për vendin tonë, por e  shtyn për në Shtator?!

Edi Rama mund të bëjë sa të dojë lojëra dhe spektakle si ky me “pastrimin” e qeverisë e partisë. Mund edhe të nis zbatimin e një plani emergjence, për të shpëtuar kokën e tij që pas kthimit i trullosur nga Berlini.

Por një gjë është e sigurt; as përmbysja e PS-së; as “flakja” e 3-4 ministrave në Shtator, nuk mund të jenë zgjidhje dhe shpëtim.

Se çfarë duhet të bëjë me fatin e tij, jo vetëm për këto katër vite në vazhdim, le të pyes më mirë ata 3-4 biznesmenët bashkëpunëtor, të cilëve ju ka vënë nën këmbë gjithë Shqipërinë!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

lu02/05/2018 18:21

Kjo eshte loja e tij qe populli e pret se do beje dicka te rendesishme.E mbani mend ate listen me mbi 100 drejtues ne institucionet publike qe do ti largonte pas zgjedhjeve.U kenaq populli se ankesat e tij u degjuan por shpejt e kuptuan(ata qe shikojne ) se ata jane prape ne krye ,gjithcka ishte nje mashtrim i rradhes.E si mund te prishet KLIENTELA ,e si mund te keputet zinxhiri i korrupsionit vertikal e horizontal.Ata ja dine te gjitha njeri tjetrit .Keshtu mos u genjeni,njehere beson njeriu qe ka mend ne koke ,po u genjue heren e dyte atehere s'ka ci do me mendte.

Shto koment

Denonco