Si gabuan mendimtarët tanë?

Si gabuan mendimtarët tanë?

Nga Artan Fuga - 02/05/2018

Migjeni deshi t'ja fuste me grusht malit që s'bëzajte, por sigurisht më shumë ishte një mllef, sesa kishte një platformë mendore sesi mund ta gjente Shqipëria dhe shqiptarët rrugën për t'u bërë dinjitozë.

Prisnin shqiptarët nga Fan Noli, erudit, vjershën anës detit të palarë, por vështirë se arritën të kuptonin se çfarë donte të bënte ai me Shqipërinë. Reformë agrare dhe pastaj?

Sami Frashëri, dijetar, rreket në utopi për të mirën e Shqipërisë dhe shkruan Shqipëria çfarë ka qenë, çështë dhe çfarë do të bëhet? Se çfarë ishte më parë, as ai as ne nuk e dimë me siguri, se çfarë ishte në kohën e tij mbase ai e dinte kurse ne nuk e dimë, se çfarë do të bëhej ai nuk e dinte, kurse ne e dimë dhe e kemi mbi supe për natë. Larg së qeni ajo që ai mendonte. Pa lidhje fare.

Nacionalistë shqiptarë në vitet '40 e mendonin të ardhmen e Shqipërisë si të mbrojtur nga fuqia e ashtuquajtur ariane që do të ngrihej mbi sllavët duke iu kundërvënë Europës latine dhe anglosaksone. Kurse komunistët e gjenin fatin e shqiptarëve te sllavët.

Pak më parë Branko Merxhani kartezian, aty në vitet '30, ndikuar nga ogystkontizmi, shpresonte se Shqipërinë do ta merrnin në dorë intelektualët dhe përfaqësuesit e kulturës. Huq edhe ai, pavarësisht shopresave të mira. Politikani i zakonshëm shqiptar sot ka nivel kulturor më të ulët sesa mesatarja e shqiptarit të mesëm.

U rrejtën në ëndërra të kota komunistët internacionalistë që kërkonin të ardhmen te një komunizëm i ndritur, apo me një model sovjetik, sikurse hrushovianët që ëndërronin thjesht për një stalinizëm të liberalizuar.

Kot të flasësh për liberalë sepse edhe sikur të kishte të vërtetë dhe jo karagjozë rrugësh, tregu në Shqipëri as duket e as ka sy për qabe.

Kush flet për socializimin triumfues,mjafton t'i kujtojmë ku përfundoi ai pas katër dekadash në tallonat e mishit të grirë me kushedi çfarë origjine.

Nga ëndërrat për bashkim kombëtar nuk dihet se cila ende shihet si një ideal me sy zgjuar. Askush nuk e përmend më. As këtej dhe as andej Kukësit, kurse Kukësi qendron në mes si dopjo gjashta e historisë që na ka mbetur në dorë.

Bashkimi kombëtar ka përfunduar në një histori pushimesh plazhi dhe në luftë të patates!

Ku janë utopitë e viteve '90 për Shqipërinë si Zvicra, për qytetarin e pasur, me pronë, në mirëqënie me një drejtësi të pavarur dhe të drejtë, të ditur dhe të hapur ndaj botës?

Pse kemi gabuar në parashikimin e historisë sonë të ardhme? 
Pse kemi ikur në drejtime të tjera nga ato që kemi menduar?
Na ka lënë arsyeja, apo na ka tradhëtuar historia? 
Përse kemi mbetur në bisht të historisë, në vagonin e fundit të popujve të tjerë?

Pse heronjtë tanë përjetësuar në monumente apo rrëzuar nga piedestalet kanë gabuar në parashikimet e tyre, ndërsa kanë qenë të ushqyer me shpresa të mëdha?

Kanë gabuar të gjithë.

A thua një demon u ka pëshpëritur nëe vesh formulën e gabuar.
A thua diçka i ka penguar të mendojnë me realizëm dhe saktë.

Cfarë ka ndodhur?

Ka ardhur koha të gjendet gabimi, ndryshe nuk dihet se ku do të përfundojmë.

Cfarë është kjo Shqipëri që sot na ka mbetur në kurriz për ta bartur në rrugëtimin tonë drejt nuk dihet se kujt aventure dhe të papriturash që nuk kemi ende idenë se çfarë do të na rezervojnë fshur pas ferrave të historisë?

(skicë e një memorandumi)

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Tiku02/05/2018 15:36

"Ka ardhur koha të gjendet gabimi, ndryshe nuk dihet se ku do të përfundojmë." Po gjeje gabimin i nderuar professor doctor shkencash, Kush po te ndalon? Gjeje gabimin dhe sugjero edhe zgjidhjen. Cfare pret, qe ta gjeje gabimin macja e lagjes?

i deleguari02/05/2018 14:24

"Cfarë është kjo Shqipëri"..."që nuk kemi ende idenë se çfarë do të na rezervojnë fshehur pas ferrave të historisë?"
Ky filozofi i leshit qe shtron kete pyetje,ArtanFuga,eshte vellai i nje tjeter filozofi,Perparim Fuga (drejtor dekan rektor or or or i UET te Henri Pacavure Cilit qe ka uzurpuar te gjithe doktoraturat shteterore ne dakordesi me Edvin Ramen) dhe njekohesisht kusheri me i afert se i pare i Endri Fuges,ideollogu i Edvin Kristaq Noriega Rames.
Me shume se gjithecka ,ka kuptim pyetja :"c'eshte kjo lajthitje filozofike e komleksit te filozofeve te leshit shqipetar" qe e kane bere lesh e li (jo LU) te ardhmen e Shqiperise?! A mjafton spjegimi se keta jane rrace filozofesh dhe shqipetaret duhet tu shkojne prapa dhe cilit prej tyre? A nuk eshte me e drejte qe keta te bindin sho-shoqin pastaj t'i cajne trapin shqipetareve?

Tarasi02/05/2018 13:32

Fatin si do ta kerkosh do ta gjesh. Une do te jap konstatimet e mia! 1.- Populli Shqiptar nuk i ka degjuar kurre burrat e mençur te ketij vendi. Nje krahasim i thjeshte ;Gjate luftes se dyte boterore populli i besoi me shume udheheqjes komuniste me ne krye bastardin Enver Hoxha se sa mendjendriturin Mit'hat Frasheri. 2.- Po ashtu dhe politikanet e dale pas luftes se dyte boterore qe udhehoqen vendin u lidhen me qeveri , si serbet ruset e kinezet qe historikisht ne mos themi jane anti shqiptare , nuk jane dashamires . Dashamiresit e shqiptareve kane qene e jane Austro-Hungaria, Gjermania e Turqia 3.-Gabimi tjeter pas viteve 90-te, kemi zgjedhur te na drejtone po ish komuniste te kamufluar , aq me keq hajdute e te korruptuar., ne vend qe duhet te zgjidhnim pasardhes te Mit'hat Frasherit. Mjerisht propoganda enveriste si dje dhe sot vazhdon, populli trushpelare e beson e produkti shihet, Shqiperia vendi mei korruptuar ne bote e vendi me i varfer. Fajin e kemi vete. E MERITOJME!

Ajo02/05/2018 12:32

Faleminderit Z. Fuga!
Kjo eshte e verteta e hidhur e shqiptareve, te cilen, shumica me nje patriotizem folkrorik nuk duan ta pranojne. Biles te hidhen ne fyt dhe te mbytin nese iu cenon mitet e krijuara, sidomos qe ne kohen e baba Enverit.
Une nuk jam dakort me shume mendime te Z. Jazexhiu, por kjo nuk do te thote se ai nuk e njeh historine dhe shpesh thote edhe disa te verteta te hidhura, te cilat ui vrasin veshin “ patrioteve” te thekur. E sulmojne, e kercenojne, e fyejne dhe poshterojne a thua se e verteta qendron vec ne anen e tyre. Te pakten ai eshte i sinqerte per menyren se si e shikon historine, pavaresisht se hymnizon perandorine osmane, e cila ka qene vertet nje fuqi boterore e rendesishme, por fatale per te ardhmen e kombit tone. Eshte pikerisht sundimi 500 vjecar i otomaneve, konvertimi i shumices shqiptare ne myslimane qe pashmangshmerisht solli percarjen ne vizionin e shqiptareve se drejt kujt duhet te shkojme: perendimit apo lindjes: mos harroni qe ky vend per shkak edhe te pozites se tij gjeografike ka qene i dyzuar ndermjet kultures se perendimit ( katoliket dhe Vatikani), lindjes ( Bizanti dhe kisha ortodokse) dhe fatkeqesia me e madhe per te u be Perandoria otomane e cila, e ka lene kete vend ne gjendjen e “ limbo”-s, nje gjendje e ndermjetme qe edhe sot eshte mese e dukshme. Ne si shqiptare shpresojme ( me gjithe shpirt, te pakten shumica!) te jemi perendimore, por mendojme dhe veprojme si lindore.

cuf dabjoni 02/05/2018 11:41

O Tani !! po ler nje shteg per nja dy-tre veta qe nuk jane gabuar teresisht... se ndryshe dhe ti nuk duhesh lexuar

Shto koment

Denonco