10 vende të braktisura nga njeriu, por të pushtuara nga natyra

10 vende të braktisura nga njeriu, por të pushtuara nga natyra

15:18, 17/12/2023
A+ Aa A-

Habitatet natyrore dhe kafshët e egra janë shpesh nën kërcënimin e aktiviteteve njerëzore. Mirëpo hulumtimet, së fundmi, tregojnë se me kalimin e kohës, hapësirat e dëmtuara apo speciet e rrezikuara, mund të rikthehen.

Në të gjithë botën, nga rrënojat e tempujve e deri tek ish-zonat e luftës, ka shembuj të mrekullueshëm se si natyra rikuperohet sapo njerëzit largohen. Po rendisim më poshtë 10 raste të tilla.

Ta Prohm, Kamboxhia

Ky tempull ndodhet në lindje të Angkor Thom, një kryeqytet i lashtë i Perandorisë Kmere. I ndërtuar në fund të shekullit të 12-të si një manastir budist, mbi 12.500 njerëz jetonin përreth dhe i shërbenin tempullit. Tempulli dhe zonat pyjore u braktisën tre shekuj më vonë, kur mbreti largoi kryeqytetin e perandorisë nga Angkor.

Që atëherë, kjo zonë ka mbetur kryesisht e paprekur, duke lejuar që pemët të rriten në të gjithë kompleksin, ku më të famshmet janë pemët banyan dhe fiku gjigant, rrënjët e të cilëve mbështjellin muret e tempullit.

Image

Houtouwan, ishulli Shengshan, Kinë

Dikur ishulli strehonte një popullsi prej mbi 3000 banorësh, por vendndodhja e largët, e bëri të vështirë qasjen në arsim, punë dhe ushqim. Njerëzit filluan të shpërnguleshin në vitet 1990 dhe deri në vitin 2002, fshati u braktis plotësisht.

Dikur një fshat peshkimi, Houtouwan në ishullin Shengshan, pjesë e arkipelagut Zhoushan, tani duket si një qytet fantazmë post-apokaliptik. Dekada të tëra mospërdorimi i kanë lejuar natyrës të rimarrë tokën, me bimë të gjelbra kacavjerrëse që mbulojnë gjithçka që kishte mbetur pas.

Image

Lugina Mangapurua, Zelanda e Re

Pas Luftës së Parë Botërore, toka në Luginën Mangapurua në ishullin verior të Zelandës së Re, iu ofrua ushtarëve që ktheheshin nga shërbimi ushtarak. Por largësia e luginës dhe tokat e varfra bujqësore bënë që nga mesi i viteve 1940, zona të braktisej plotësisht, duke lejuar që pylli të rritej përsëri dhe kafshët të ktheheshin.

Image

Anija Yongala, Australi

Pas më shumë se një shekulli në fund të detit, anija më e madhe dhe më e paprekur e Australisë, SS Yongala, është bërë një ekosistem, duke siguruar një habitat për disa nga faunat më madhështore të oqeanit.

Në vitin 1911, një vit përpara se Titaniku të lundronte, cikloni Yasi fundosi anijen Yongala në parkun detar të Great Barrier Reef, duke bërë që të gjithë pasagjerët dhe ekuipazhi të humbnin në det. Sot, mbetjet e rrënojave janë të mbuluara nga koralet shumëngjyrëshe dhe janë shtëpia e qindra specieve të ndryshme.

Image

Ilha da Queimada Grande, Brazil

I vendosur në brigjet e Sao Paulos në Brazilin juglindor është një ishull i rrethuar nga shkëmbinj dhe i mbuluar nga pyje tropikale dhe kullota. Edhe pse e vogël, Ilha da Queimada Grande, është shtëpia e 2000 gjarpërinjve me kokë të artë.

Në fillim të shekullit të 20-të, ishulli banohej, por u braktis në vitet 1920. Sot, është në pronësi të qeverisë braziliane dhe është një zonë e mbrojtur. Për të ruajtur ekosistemin e tij, është e paligjshme të vizitosh ishullin pa leje.

Image

Zona e demilitarizuar, Kore

Shtatëdhjetë vjet që nga fundi i Luftës Koreane, zona e çmilitarizuar që ndan Korenë e Veriut dhe Korenë e Jugut, ka mbetur një tokë e askujt. Mungesa e ndërhyrjes njerëzore ka lejuar që toka të bëhet dalëngadalë një strehë e kafshëve të egra. Zona tani është një shtëpi e lulëzuar e mbi 6000 specieve bimore dhe shtazore. 

Image

Fshati Al Madam, Emiratet e Bashkuara Arabe

I vendosur 70 kilometra nga qyteti i Dubait, në Emiratet e Bashkuara Arabe, Al Madam është një vend fantazmë, i cili vitet e fundit është kthyer në një atraksion turistik. Fshati u braktis me nxitim, duke lënë pas vendbanimet që tani po rikuperohen nga shkretëtira.

Pjesa më e madhe e historisë së tij është e mbuluar me mister. Fshati u ndërtua në vitet 1970, si pjesë e një projekti strehimi publik për njerëzit beduinë, megjithatë nuk ka asnjë përgjigje përfundimtare se pse fshati u braktis.

Image

Fukushima, Japoni

Tërmeti i madh i Japonisë Lindore dhe cunami pasues në vitin 2011 shkaktuan katastrofën e dytë më të rëndë bërthamore në botë në termocentralin Fukushima në Japoninë veriore. Në ditët në vijim, më shumë se 150.000 banorë u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre. Që atëherë, shumë zona mbetën të boshatisura dhe natyra sigurisht pushtoi ndërtesa dhe rrugë të tëra.

Image

Kilda, Skoci

Nga shkëmbinjtë gjigantë dhe pirgjet e jashtëzakonshme të detit deri te ujërat e pastra dhe shpellat e zhytura në ujë, arkipelagu i ishullit St. Kilda është një bukuri natyrore mbresëlënëse. Në vitin 1930, pas mungesës së ushqimit, kujdesit mjekësor dhe një popullsie në pakësim, 36 banorët e mbetur të ishullit kërkuan të zhvendoseshin, duke e lënë vendin bosh.  Pa aktivitet njerëzor, Shën Kilda është bërë një pikë e nxehtë e kafshëve të egra dhe një vend me interes ekologjik, shtëpia e gati 1 milion zogjve të detit.

Image

Stack Rock Fort, Uells

E ndërtuar në vitet 1850 për t’u mbrojtur kundër një pushtimi nga deti, Stack Rock Fort fillimisht strehonte armë dhe ushtarë, por përdorimi i saj u zbeh me kalimin e viteve. Gjatë Luftës së Parë Botërore, vendi drejtohej nga një numër i vogël ushtarësh dhe përfundimisht u çarmatos në vitin 1929. E paprekur për gati 100 vjet, kalaja nisi të rikuperohej ngadalë nga flora dhe fauna.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco