Pablo Picasso, gjeniu i sprovave të kurajshme, hovi i shpenguar i sublimitetit në art

Pablo Picasso, gjeniu i sprovave të kurajshme, hovi i shpenguar i sublimitetit në art

21:43, 25/10/2023
A+ Aa A-

Pakkush në historinë e artit ka mundur të rrok në vetvete kaq heroike njeriun e sprovave estetike, të turlillojshme, fataliste dhe marroke, sa ç’ngulmoi t’ia qëmtojë pranisë në art, Pablo Picasso.

Pablo Picasso u lind më 25 tetor 1881 në Málaga të Spanjës. Ai ishte piktor, skulptor, punues qeramike, projektues grafik, poet dhe dramaturg, publicist dhe kumtues. Ç’mos ishte ai. Kudo la gjurmë me sprova t’kurajshme dhe ndryshesa çapërluese e transformuese. Me ç’nuk i mbushi ai të 91 vitet e moshës, deri më 8 prill 1973 kur u shua.

Image

Si të gjithë fillimtarët e ndryshesave tranformuese edhe Picasso guxoi. U përplas me kohën. Mendësitë dhe doktrinat gjetën tek ky kurm gladiatori, qëndresatarin. Pablo Picasso erdhi për të mbetur një piktor krejt tjetërqysh nga krejtkush mbërriti deri asohere. Kumtoi një art, pa rregulla, pa simetri, pa limite, pa kurrçka që morali u qas të orvatet përreth botës që ngjan një shpërthimi pa formë. Një plazmimi mbi letër të paanë dhe telajo që jo rrallëherë të përpinte nga përmasat që rrek, herë të stërmëdha dhe tek-tuk, copëza letre dhe bocete. Tankund shtegtoi piktori drejt yllit të tij gjithkahshndritës, kumtojnë një zgrip të thekshëm.

Të bësh art, për të, ishte njëlloj sikur të fitoje një lloj lirie të dhunshme. Piktura për të, ishte një çështje spirituale, një yshtje dalldisëse gjëndjeje papajtueshmërie dhe pamjaftueshmërie. “Piktura është më e fortë se unë, më detyron të bëj atë, çfarë do ajo”,- thoshte Pablo Picasso. Robërimi prej pasioneve shpërthyese estetike, dukshëm e nënshtron vullnetlirin e ideve përtëritëse. Asnjë nga ngulmëtarët e mëhershëm të modernizmit, nuk e ndiente aq fuqishëm artin, as Matisse, as Mondrian dhe padyshim, as Braque, sa ai. Padyshim që nuk do të ishte e lehtë.

Image

Kremtoi me solemnitetin e allasojtë identitetin e tij, si në pikturë, si në forma, si në frymësinë e të gjitha gjendjeve dhe gjërave që ai mëtoi, me tërësinë gjithnjë shpërthyese, prej artisti të madh dhe një gjenialiteti që rritej nga format e rikthyera të fëmijërisë. Ai bashkërrëfyes i një prej rrymave më të fuqishme, që historia e artit do të përçonte në fillin e vet të krijimit, kubizmit.

Dukshëm me këtë, ai guxon të shembë gjithë atë masiv muri rrethues rregullash dhe limitesh, brenda të cilave vërtitej me një potere të frikshme arti dhe krijimi i deriatëhershëm e i derisotëm. Duke veshur fëmijërinë në pikturë, e hullit korpusin mëtues për nga një shteg, ku krijimi dhe kjo qasje do ta nxjerrë në një pamatësi lirie, si ajo që guxon ta gllabërojë shtegu i vërshimit. Gardhet akademike ishin dhe mbeten deri në fund për të, skllavëri e vullneteve të shpenguara. As nuk e ka kuptuar dhe s’kishte pse ta bënte një gjë të tillë, jo vetëm në krijimtari, por në gjithë perimetrin e tablosë ku shtrihet portreti njerëzor i tij.

Më i zallamahishëm se çdo artist tjetër, ai ka qenë një vlagë e rëndë në tokën e ashpër, një mjeshtër, një njeri i paqëndrueshëm, rebel, e mbi të gjitha, i lirë. Dora e tij ka shkundur lëvizjen botërore të artit të shek. XX, duke i dhënë një frymëmarrje eterne dhe përmasa të pamatësisë gjithçkasë që do të hidhte hapin aty e këndej.

Image

Mendimet e gjeniut të shkencës/ “Nikola Tesla parashikon një burim të ri energjie në vit.”

Rreth 15.000 piktura, vizatime, grafika, plastika dhe qeramika, dëshmojnë jo dhe aq volumin e tij të jashtëzakonshëm, se sa vlerat shumëdimensionale, me të cilat ai promovoi emrin dhe veprën e tij, duke qëmtuar kështu për të vendosur majën më të lartë. “Kur isha fëmijë, dëshiroja të pikturoja si të rriturit. Tani kur jam rritur, e madje, edhe moshuar, dëshiroj të pikturoj  si fëmijë”, – është kjo perifrazë shkëputur nga ligjërimet e piktorit të madh, dhe njëherazi, një nga filozofitë e krijimit dhe përjetimit.

Më i zallamahishëm se çdo artist tjetër, ai ka qenë një vlagë në tokën e ashpër, një mjeshtër, një njeri i paqëndrueshëm, rebel, e mbi të gjitha, i lirë.  Dora e tij ka shkundur lëvizjen botërore të artit të shek. XX, duke i dhënë një frymëmarrje eterne dhe përmasa të pamatësisë gjithçkasë që do të hidhte hapin aty e këndej.

Image

Pablo Picasso padyshim mund të cilësohet dhe si piktori që lakuriqësinë e vishte me ndjenja, me atë formësi dhe forcë, që vetëm shpirti i tij mundi të ravijëzonte në trajta dhe forma, në gjendje dhe sende. I dha kështu artit një dimension pa limite. I hapi qiejt dhe u dha zë dhe zemër gjithëçfarë pasionet e fshehta mbrunin duke e strukur në brendi shumësinë e impresionove dhe shkulmeve. Sakaq mëtoi diçka ndryshe në botëkuptimin dhe perceptimin artistik të kohës. E bëri këtë, ndoshta me kushtrim britës sa prishaqejfi shumë mendësi dhe mprehu urrejtjen e shumë anatemave. E bëri këtë dhe nuk mendoi se çfarë do të vinte pas, çfarë vendi do të zinte në eter ylli i tij.

Pablo ishte njeri supersticioz dhe sarkastik, baba i keq dhe shpesh një kafshë për gruan, shprehi e cila shpërfaqet në vizatime dhe piktura, në qëmtime dhe kumtime, ku rrebeshi mendor dhe emocional marrin drejtimin e ravijëzimeve mbi telajo dhe letër.

Foto/ Mes zjarreve në plazh dhe miqve të ngushtë, modelja Isabelle Goulart feston 39-vjetorin

Ai kishte përbuzje të neveritshme për artistet femra, të cilën gjithashtu nuk e fshehu. Siç nuk e bëri me asnjë nga çmenduritë e tij prej artisti relievthyer. Nga komentet më tipike për gratë dhe nga domethëniet, njëherazi të dendura, me penelata të forta dhe shumëformëshe është: “perëndesha apo këmbësore”. I keqkuptuar apo i anatemuar, për kësi sajesash të bruzta dhe shpërthyese, njiherash edhe për vulgaritetin, dhunën dhe rrëmujën, ku i futi ai marrëdhëniet e tij me femrat. Gjithëkjo do ta bënte një nga më të urryerit e feministeve. Labirintet e ndërtuara çakërrqejf prej tij, do të ishin jo veç ekuacionet e konstruktit emocional dhe kreativ, por dhe rebuse të dekorit dhe gjeografisë fizike të perimetrit prej mishi, kockash, gjaku dhe ndjesish. Shpengimi i rrëfente gjithnjë rrugët e duhura. Deformacioni dhe trandja që mëtoi papushim, më vonë dhe përgjithmot do ta rendiste në piedestalin e penelatave më kumtuese dhe zotëruesin më vital, të përmasave impresionuese. Teveqel dhe orakull gjithashtu, dëshmon dhe në përkatësinë politike. Asnjë piktor apo  skulptor, i deriatëhershëm, madje as mjeshtërit e penelit dhe të daltës, që konturuan dhe ravijëzuan veprën e tyre në memorien e përjetësisë, nuk kanë rrokur kaq përmasa lavdie sa Pablo Picasso. Ai e rrëmbeu në një farë mënyre, trofeun e lavdisë në duart e nguruara të kohës.

Image

Eshtë shumë e mundur që asnjë tjetër do të ishte rrokakohës sa Pablo Picasso. Edhe asohere kur ngulmi  për të patur domethënie sociale, për të artikuluar mite dhe për të gjeneruar imazhe – sa madhështore, i ka kaluar fotografisë, filmave dhe televizionit. Edhe pse Marcel Duchamp, dhelpra e vjetër dinake e ironisë konceptuale, ka qenë disi më i famshëm se spanjolli në fjalë. Pablo Picasso ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë, pionieri i bindjes së asaj kohe, që gjuha e pikturës dhe skulpturës kishte për njerëzit rëndësi më të madhe se vetë artisti që i krijonte. Ai ishte artisti i parë që u kënaq me vëmendjen obsesive të masmedias. Pablo Picasso qëndroi në vijën ku takoheshin këto dy botë dhe luajti po atë rol, maskë, të cilën nuk e hoqi deri në fund. Nëse nuk do të kishte qenë ashtu, ndryshimi oshilant i stilit dhe çmenduria, forma dhe brendia, mesazhi dhe revolta, nuk do të kishte krijuar aq shumë polemika dhe natyrisht, nervacingëritje skolastike dhe akademike, padyshim as famë.

Në botën e sotme të artit, një vend pa heronj kulturorë, nuk do të ishte kurrë e imagjinueshme të ekzistonte një “mostër” i tillë despotik. Gama e tij e prodhimeve ishte shumë e gjerë. Ky, kryekëput nuk është një virtyt në vetvete. Nga pikturat e Vermeerit apo të vëllezërve Van Eyck, kanë mbijetuar shumë pak, por ato janë të rrënjosura në histori shumë më tepër se ç’ka qenë apo do të jetë ndonjëherë Pablo Picasso.  Megjithatë, manovrat e Pablo Picassos kanë pushtuar botën dhe lanë një shenjë të përhershme në çdo disiplinë ku ai i fuste hundët për të mbetur aty si një gur themeli. Puna e tij u përhap masivisht, me imazhe që ndiqnin njëra-tjetrën, pa pushim pas vdekjes.

Ai ishte artisti me të cilin çdo artist tjetër duhej që virtualisht të krahasohej dhe nuk ka patur gati asnjë lëvizje të shek. XX që mos të ketë qenë e frymëzuar nga ai, për të cilën të mos ketë kontribuar apo që të mos ketë qenë e shpikur nga vetë ai. Për shembull, kubizmin, i cili është një nga bashkëpunimet më të mëdha të artit, Pablo Picasso e shpiku bashkë me Georges Braque. I vetmi përjashtim, për shkak se Pablo Picasso nuk ka pikturuar kurrë ndonjë pikturë abstrakte në jetën e tij, ka qenë pikërisht art abstrakt. E megjithatë, ka lënë edhe aty shenjat e tij të gishtërinjve dhe shembull për këtë është që ai ka patur një ndikim shumë të madh tek piktorët e artit.

Pjesa më e madhe e historisë së skulpturës moderne është e lidhur ngushtë me mbledhjen dhe shkrirjen e imazheve nga fletët e metalit dhe jo me modelimin e argjilave, derdhjen e bronxit apo me gdhendjen e drurit.

Image

Kjo traditë e formave të hapura të ndërtuara, në vend të shformimit të masave të ngurta, lindi nga një kitarë e vogël, të cilën Pablo Picasso e bëri copa-copa dhe e riformoi përsëri me teneqe, në vitin 1912.

Kolazhi, ngjitja e copave dhe imazheve, që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, në një sipërfaqe të sheshtë, u bë metoda kryesore e artit modern, që ishte gjithashtu meritë e bashkëpunimit kubist të Pablo Picassos me Braque. Ai nuk ka qenë kurrë pjesëtar i grupit surrealist, por gjatë viteve ’20 dhe ’30, ai prodhoi disa nga deformimet më të frikshme të trupit të njeriut dhe imazhet më të dhunshme, irracionale dhe erotike. Ai nuk ishte një piktor realist dhe as muralist i askujt, por megjithatë Guernica vazhdon të jetë një nga imazhet më të fuqishme politike të artit modern.

Pablo Picasso nuk ka qenë një filozof apo matematikan, por puna që ai bashkë me Braque bënë, gjatë viteve ’11 dhe ’18, kanë qenë të lidhura ngushtë intuitivisht me perceptimet e mendimtarëve, si Ajnshtajni dhe Alfred North Whitehead. Ata thoshin se realiteti nuk është një figurë apo një hapësirë boshe, është një marrëdhënie, një fushë vezulluese eventesh, që i kundërpërgjigjen njëra-tjetrës. Kubizmi ishte i vështirë të kuptohej, qëllimisht konfuz, megjithatë edhe shumë popullor. Asokohe e derimsot, vazhdon të jetë dialekti artistik më me influencë, ashtu siç ishte gjatë viteve ’20. Si për ta distancuar veten nga imitatorët e tij, Pablo Picasso kaloi në ekstremitetin tjetër të artit të vjetër klasik, me pikturat e tij të grave të shëndosha, që shihnin ëndrra mesdhetare, si homazh ndaj Cort dhe Ingres. Edhe pse publiku e shikonte atë si prototip modernist, Pablo Picasso ishte shumë i shkëputur nga arti modern.

Disa nga artistët më të famshëm modernistë, si Kandinsky ose Mondrian, e konsideronin punën e tyre si një instrument evolucioni apo zhvillimi njerëzor.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco