Orgesa Zaimi, e lindur më 25 korrik 1985 në Poliçan të Skraparit, është një nga zërat e njohur të muzikës shqiptare, këngëtare dhe prezantuese radiofonike. Ajo u rrit në një familje ku muzika ishte pjesë e jetës së përditshme, duke marrë frymëzimin e parë nga babai i saj, muzikant dhe udhëheqës artistik, i cili kompozoi edhe këngën “Balerinë e Vogël”, me të cilën Orgesa fitoi çmimin e parë në Festivalin e Fëmijëve kur ishte vetëm 6 vjeçe.
Që prej asaj kohe, ajo nisi rrugëtimin artistik, duke u aktivizuar në aktivitete shkollore, kor, këndim, kërcim dhe prezantim. Më pas karriera e saj u zhvillua me pjesëmarrje në festivale, programe televizive dhe me një profil të konsoliduar si moderatore radioje.
E ftuar në emisionin “A Show”, Orgesa Zaimi u kthye pas në kohë për të rrëfyer kujtimet që e kanë formësuar, rrugëtimin artistik, familjen dhe bindjet që e kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.
“Shumë në të kaluarën. Jam shumë nostalgjike, kam edhe një këngë që quhet ‘Nostalgjia’ dhe kujtimet janë pa diskutim ato që na mbajnë gjallë”, u shpreh këngëtarja, duke treguar lidhjen e fortë që ka me të shkuarën.
Për Orgesën, fëmijëria në Poliçan nuk ka qenë një kufizim, por një shtysë për të ëndërruar më shumë. Ajo kujton se qyteti i vogël ku u rrit i dha mundësinë të njihte njerëz nga e gjithë Shqipëria dhe të ndërtonte një botë më të madhe sesa kufijtë e vendit ku jetonte.
“Më ka formësuar jashtëzakonisht shumë, më ka bërë që nga një vajzë e një qyteti të vogël të kem ëndrra të mëdha. Janë pikërisht ato ëndrra që më kanë çuar përpara dhe më kanë nxjerrë nga territori i provincializmit”, tha Zaimi.
Një nga momentet më të rëndësishme të karrierës së saj ishte pjesëmarrja në “Ethet”, një eksperiencë që ajo e konsideron si një shkollë të madhe artistike. Edhe pse nuk vinte nga një shkollë muzikore, Orgesa tregon se aty fitoi një përvojë që i shërbeu gjatë gjithë rrugëtimit të saj.
“Ethet më kanë dhënë diçka që nuk e kisha mundësinë ose luksin, sepse nuk vij nga një shkollë muzikore. Shkolla ime e vetme muzikore ka qenë im atë, i cili më ka kultivuar dhe edukuar”, rrëfeu ajo.
Ajo thotë se nuk e ka parë atë periudhë vetëm si një garë, por si një mundësi për të mësuar.
“Unë nuk jam nga ata njerëz të zhgënjyer që thonë ‘nuk fitova’. E kam marrë si një eksperiencë, si një shkollë dhe më ka shërbyer”, u shpreh këngëtarja.
Një tjetër kapitull i rëndësishëm i jetës së Orgesës është marrëdhënia me motrën e saj, Elvana Zaimin, të cilën e konsideron një figurë vendimtare në formimin e saj.
“Të ishe motra e Elvanës ka qenë e vështirë, sepse Elvana është heroi im. Motra e madhe është ajo që më ka rritur, më ka formësuar dhe më ka mbajtur afër. Mami i dytë është Elvana”, tregoi ajo me emocion.
Ajo kujtoi edhe ndikimin e bashkëshortit të motrës së saj, Agron Tufës, i cili përveçse pjesë e familjes, ka qenë edhe pedagogu dhe mentori i saj gjatë studimeve për gjuhë-letërsi.
Orgesa rrëfeu se tema e diplomës së saj lidhej me periudhën e komunizmit dhe se kjo zgjedhje ishte një shprehje e natyrës së saj rebele dhe kërkuese.
“Kam qenë shumë e zëshme për këtë pjesë. Thosha: si është e mundur që njerëzit nuk i dinë këto gjëra? Si është e mundur që askush nuk flet për artistë që kanë pasur një të ardhme të shkëlqyer, por që kanë kaluar kushte të tmerrshme?”, tha ajo.
Duke folur për veten dhe brezin e saj, Orgesa u shpreh se ka përjetuar disa periudha të rëndësishme të historisë shqiptare.
“Jam brezi i të gjithave. Jam brezi edhe i pesë viteve të komunizmit, edhe i tranzicionit, i ’97-ës. Çdo lëvizje politiko-kulturore që ka ndodhur në Shqipëri kam qenë dëshmitare”, tha ajo.
Krahas muzikës, radioja është kthyer në një pjesë të pandashme të jetës së saj. Orgesa tregon se programi i saj radiofonik nuk është thjesht një punë, por një pasion ku ajo investon dije, kërkim dhe shumë dashuri.
“Për mua radio nuk është diçka që ta kem si pikë reference për t’u mburrur. Nëse pas disa vitesh mund të them që e kam bërë dhe e kam bërë mirë, do të më duhet shumë punë dhe shumë vite”, u shpreh ajo.
Ajo tregon se magjia e radios qëndron te lidhja me dëgjuesin dhe te historitë që sjell përmes muzikës.
“I ndjek shumë historitë e këngëve, si janë regjistruar, si kanë ndryshuar botën. Mbase kjo e ka bërë edhe emisionin tim interesant, sepse shoh reagimin e njerëzve”, tha Orgesa.
Edhe pse prej vitesh është pjesë e ekranit dhe skenës, ajo ka zgjedhur të ruajë një pjesë të misterit të saj dhe të mos jetë pjesë e çdo formati televiziv.
“Gjithmonë kam menduar që një artist duhet të ruajë pak mister. Nuk duhet të shfaqet shumë dhe duhet të mbajë disa gjëra për vete”, tha ajo.
Sot, Orgesa Zaimi vijon të jetë aktive në muzikë dhe radio, duke ruajtur të njëjtën energji me të cilën nisi rrugëtimin e saj si një vajzë e vogël nga Poliçani që ëndërronte skenën.
“Nuk dua të bëhem pjesë e masës. Unë jam ajo që jam dhe ata më kanë pranuar ashtu, me mënyrën time për ta bërë radion dhe muzikën”, përfundoi ajo.
© SYRI.net