Nikolla Qafoku anëtar i Akademisë së Shkencave, Lluka Qafoku publikon shkrimin e Rexhep Ukës: Lajme si ky duam!

Nikolla Qafoku anëtar i Akademisë së Shkencave, Lluka Qafoku publikon shkrimin e Rexhep Ukës: Lajme si ky duam!

15:13, 19/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Lluka Qafoku ka shpërndarë një shkrim të Prof. Dr. Rexhep Ukës, kushtuar pranimit të Prof. Dr. Nikolla Qafokut si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Qafoku bën me dije se artikulli publikohet me leje të autorit, duke sjellë një vlerësim mbi figurën, karrierën dhe kontributin shkencor të Prof. Dr. Nikolla Qafokut.

Më poshtë sjellim të plotë shkrimin e Prof. Dr. Rexhep Ukës:

LAJME SI KY DUAM!

Pranimi i Prof. Dr. Nikolla (Niko) Qafokut si anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shtetit të Washingtonit (WSAS) është një triumf jo zakontë i mendjes shqiptare, është një dëshmi e triumfit të meritokracisë absolute dhe një krenari e ligjshme veëanarisht, për të gjithë ne që e njohëm rrugëtimin e tij që nga bankat e universitetit. 

Ky stacion i fundit elitar në SHBA nuk është thjeshtë një titull akademik; është çertifikimi botëror i një jetë të tërë të dedikuar shkencës së tokës, bujqësisë dhe mjedisit. 

Për mua, si ish pedagog i ILB që në vitin 1980, kur njoha Nikon si student, më pas koleg, bashkëpunëtor dhe mik, kjo ngjarje përbën një lajm të gëzueshëm, dhe jo vetëm për ne, por edhe për mbarë botën shkencore shqiptare. Ky lajm përfaqëson përmbushjen më të lartë të një rrugëtimi që nisi nën dritën e sfidave të mëdha tranzitore dhe lulëzoi në oqeanin e pakufishëm të lirisë akademike. 

Niko u shqua që në bankat e studentore si shkëndija e parë e gjeneratës së re që po vinte, me vision tjetër për të ardhmen, si e ngarkuar me misionin për të ndryshuar gjendjen, status quo, të rënduar nga sundimi i rëndë i sistemit të diktaturës së proletariatit. 

Që në hapat e tij të parë në auditorët e Institutit të Lartë Bujqësor, Nikolla spikati si një talent i rrallë, me një etje të pashterrur për dije dhe një disiplinë shkencore që premtonte shumë. Ishte pikërisht ky potencial i jashtëzakonshëm që bëri që të shquhesh në atë gjeneratë të rinjsh studentësh që sot nuk jam në gjëndje të parashikoj nëse do përsëritet më. Niko ishte i shquar mes të tjerëve, talente që shpërthyen pas viteve ‘90”. Ai nuk ishte thjeshtë një student i shkëlqyer, por një mendje kërkuese që ‘’refuzonte’’ me urtësinë e tij, shabllonet e kohës, i gatshëm për të projektuar të ardhmen e një shkence moderne bujqësore dhe më tej, në Shqipëri. Paralelisht, si pedagog, ai përcolli tek studentët e tij standardet e reja të kërkimit të lirë shkencor, duke mbjellë farën e parë të modernizimit të kërkimit shkencor të bujqësisë shqiptare.

Në vitin 1992, në kapërcyellin e madh epokal, kur Shqipëria sapo kishte dalë nga izolimi komunist, e ftova Nikollën, dhe të tjerë, bashkëkohës të tij, të bëhej pjesë e stafit të lartë drejtues të Ministrisë së Bujqësisë. Ky doli të ishte një vendim historik. Niko, pa humbur kohë, me një kthjelltësi, me koncepte, baza dhe bindje të forta shkencore, u bë hartuesi kryesor i strategjisë dhe programit të parë të kërkimit shkencor dhe ekstensionit në bujqësinë e re post-komuniste. Ai model u bë paralelisht pikë reference edhe për reformimin edhe për fushat e tjera dhe institucionet kërkimore shkencore. Ky program, i ndërtuar mbi parimet dhe institucionet më prestigjioze të kohës, ishte aq i strukturuar dhe i avancuar saqë u mor si model referimi edhe për lëmitë dhe ministritë e tjera në vend

Pasi emigroi, jashtë vendit, jo vetëm nuk harroi atdheun e tij por mund ta them me siguri se, gjeti mënyrën më të mirë për të kontribuar, mbase më mirë se të ishte i pranishën këtu, u bë bashkëthemelues i Institutit "ALB-SHKENCA", ura që bashkoi mendjet e diasporës me intelektualët e kudondodhur. Nikolla kurrë nuk i shkëputi rrënjët nga atdheu. Ai ishte një nga shtyllat kryesore si Institutit "Alb-Shkenca" (një institucion dhe rrjet elitar që bashkon studiuesit shqiptarë anembanë botës), duke shërbyer edhe si kryetar i tij. Përmes kësaj platforme, ai arriti të kthejë dijen e tij në një pasuri të përbashkët kombëtare, duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet shkencëtarëve të diasporës dhe atyre në trojet shqiptare, larg interesave politike dhe ngushtësisht në shërbim të progresit shkencor.

Nuk kaloi shumë kohë, në saj të këmbënguljes seriozitetit aftesive te tij shoqëeruar me modestinë e tij që e ka shoqëruar në çdo kohw, arriti të renditet si shkencëtar i përmasave Botërore në "Oqeanin" e Lirisë në SHBA. Pasi preku tokën e premtuar të Amerikës, pa prangat e burokracisë dhe politizimit, talenti i Nikos mori përmasat e tij të vërteta "pa kufi":

Në majat e Kërkimit global: si Shef shkencor dhe Laboratory Fellow në Laboratorin Kombëtar të Veriperëndimit Paqësor (PNNL) – një nga laboratorët më prestigjiozë të Departamentit të Energjisë në SHBA – ai udhëhoqi kërkime të nivelit të lartë në kiminë mjedisore të tokës dhe gjeoshkencat.

Emri i tij u rreshtua zyrtarisht nga Universiteti Stanford në listën prestigjoze të 2% të shkencëtarëve më me ndikim në mbarë globin.

Profesor dhe Mentor, si Profesor i Associuar (Affiliate Professor) në University of Washington, ai vazhdoi të edukojë brezat e rinj të shkencëtarëve amerikanë dhe ndërkombëtarë.

Ky pranim i fundit në Akademinë e Shkencave të Shtetit të Uashingtonit është kurorëzimi i një lidershipi unik shkencor dhe kontributi të jashtëzakonshëm në shkencat bujqësore dhe gjeoshkencat mjedisore. Ky sukses mbart një mesazh të thellë filozofik dhe shoqëror për realitetin tonë. Kur një mendje brilante shqiptare si Nikolla Qafoku hidhet në "oqeanin" e lirisë dhe demokracisë perëndimore, ku rregulli i vetëm i lojës është meritokracia e pastër, kufijtë e rritjes së tij thjeshtë zhduken.

Në një sistem ku vlerësohet puna kërkimore, integriteti dhe inovacioni, dhe nuk ka vend për politizimin, cmirën profesionale apo sulmet pas shpine, fenomene këto që, fatkeqësisht, vazhdojnë të mbytin dhe të pengojnë talentet brenda kufijve të vendit tonë. Suksesi i tij në SHBA është dëshmia më e pastër se kur vlerat maten me peshën e mendjes dhe jo me servilizmin apo teserën e radhës, shqiptari është i aftë të udhëheqë shkencën botërore.

Nikolla Qafoku është prova e gjallë se investimi te dija, te studentët dhe te reformat e ndershme vizionare korr gjithmonë suksesin më të lartë. Ky sukses është i tij, i familjes së tij, por është po aq edhe i gjithë miqve të tij që e kanë adhuruar dhe vlerësuar.

Ndjej një lumturi të një lloji të veçantë por përsëri jam me bindje të plotë se sukseset e Nikos do vazhdojmë ti shohim të konkretizuara në mënyrën që di vetëm ai!

Niko, të uroj shëndet të plotë dhe realizim të endrrave tua për gjithçka ke investuar në jetë, për vete familjen dhe shoqërinë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco