Shqipëria është bërë pjesë e një prej produksioneve më të mëdha kinematografike të viteve të fundit. Kolona zanore e filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, është frymëzuar nga tingujt e iso-polifonisë labe dhe instrumentet tradicionale të jugut të vendit.
Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar nga afër iso-polifoninë shqiptare, traditë e njohur nga UNESCO si Trashëgimi Kulturore Jomateriale e Njerëzimit.
“Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë të të kënduarit, të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë në një film”, është shprehur Göransson në një intervistë për “New York Magazine”.
Pjesë e kolonës zanore është bërë edhe mjeshtri i fyellit dhe cules dyjare, Vendim Kapaj, i cili ka interpretuar motive tradicionale të Labërisë. Sipas tij, bashkëpunimi nisi pasi Göransson u njoh me performancat e tij përmes rrjeteve sociale dhe emisioneve televizive, duke e ftuar të kontribuonte në projekt.
Regjistrimet u zhvilluan në Teqenë e Kuzum Babait, ku u realizuan edhe disa prej skenave të filmit. Në kolonën zanore janë përfshirë gjithashtu pjesë nga fondi i muzikës tradicionale labe dhe interpretimet e grupit polifonik të Labërisë, duke i dhënë filmit një identitet të veçantë folklorik shqiptar.
© SYRI.net