Në 'A Show'/ Xhesika Polo: Jam GOAT e gjeneratës sime, kam krijuar nga shpirti

22:42, 07/07/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Këngëtarja Xhesika Polo ka qenë e ftuar në “A Show” me Adi Krastën në Syri TV, ku ka ndarë një rrëfim të thellë për jetën, karrierën, artin, humbjet personale dhe mënyrën se si e sheh veten si artiste. Nga raporti me publikun, te betejat me veten dhe deri te ëndrra për një skenë të madhe, Polo ka folur pa filtra për rrugëtimin e saj.

Xhesika Polo u shpreh se në jetë dhe në marrëdhënie ajo beson te plotësimi i ndërsjellë, duke e përshkruar dashurinë si një bashkim ku dy njerëz bëhen më të plotë.

“Është gjithmonë e jotja dhe e imja, plus gjysmës time që më bën mua të plotë, ose dy të plota që ne bëhemi ultimat pastaj”, tha ajo.

Duke folur për zgjedhjet e jetës dhe kompromiset që çdo njeri duhet të bëjë, këngëtarja tha se shpesh rruga drejt asaj që dëshiron nuk vjen në kushtet ideale.

“Kostoja e parë është të mos hedhësh dot hapat që ti idealisht do hidhje në kushte dhe në rrethana perfekte. Rrethanat perfekte s’ekzistojnë”, u shpreh Polo.

Sipas saj, pranimi i vetes nis kur njeriu heq dorë nga personazhet që krijon për t’u përshtatur me pritshmëritë e të tjerëve.

“Materializmi është propaganda më e zhurmshme dhe më jetëshkatërruese në gjithë botën që ne po jetojmë sot. Unë nuk e lidh emocionin dhe ndjesinë me asgjë materiale”- tregoi artistja.

Polo foli edhe për raportin me publikun dhe për mënyrën se si e dallon vlerësimin e vërtetë artistik nga duartrokitja momentale.“Unë e dua shumë dashurinë që marr nga publiku. Por kam mësuar që ta filtroj”, tha këngëtarja.

Ajo shpjegoi se për të ka ndryshim mes interpretimit të këngëve të saj dhe interpretimit vetëm për të kënaqur kërkesat e publikut.

“Është ndryshe një Xhesika e lumtur që po këndon këngët e saj dhe po duartrokitet, është ndryshe një Xhesika që po këndon këngët e dynjasë sepse njerëzit duan dhe të ahengosin pak më shumë”.

Një nga rrëfimet më personale ishte ai për mënyrën si ajo e ka pranuar një veçanti të sajën.

“Unë jam vullnetarisht thuthuqe. Jam thuthuqe për shkak se kur kam qenë e vogël, mbaja gishtin në gojë. E kisha si formë komforti”, tregoi Polo.

Ajo tha se nuk ka dashur ta ndryshojë këtë tipar, pasi e sheh si pjesë të identitetit të saj.

Duke sjellë si shembull këngëtarin e madh Freddie Mercury, ajo tha se ndryshimi i disa tipareve fizike mund të ndikojë edhe në zërin e një artisti.

“Nuk dua të rrezikoj 30 vjeç të humbas komplet identitetin tim për shkak të të përshtaturit apo të kem atë buzëqeshjen perfekte, të mërzitshme shpeshherë, dhe falso shumë herë”.

Xhesika Polo bëri një deklaratë të fortë për vlerësimin që ka për veten si artiste.

“Duke e zhveshur veten nga të matur me shifra, me statistika, me si matet suksesi sot me lajke... unë pa diskutim që jam GOAT i gjeneratës time”, tha ajo.

Megjithatë, këngëtarja theksoi se kjo nuk vjen nga arroganca, por nga bindja për punën dhe talentin e saj.

“Është një fije shumë e hollë që e ndan vetëvlerësimin nga arroganca. S’besoj se kam qenë ndonjëherë arrogante në jetën time, të paktën për talentin tim”.

Ajo pranoi se e ka shqetësuar fakti që rezultatet publike nuk kanë qenë gjithmonë në përputhje me atë që ajo mendon se ka dhënë.

“Ndihem shumë më shumë sesa kam marrë apo sesa e kam kthyer këtë të ndjerin në rezultat”.

Polo u shpreh e bindur për vlerën e saj artistike:

“Jam një artiste që ka krijuar nga shpirti, me shpirt, e pakomprometuar në asnjë moment. Mendoj që jam një nga vokalet më të mira shqiptare, pa diskutim”.

Duke folur për vokalin e saj, Xhesika përmendi disa nga figurat e mëdha që e kanë frymëzuar.

“Një Anastacia, një Tina Turner, një Janis Joplin... ku t’i çoj unë këto?”, tha ajo.

Ajo tregoi se gjithmonë ka pasur një diapazon të madh vokal dhe se me kalimin e viteve ka mësuar ta shprehë emocionin edhe në mënyra më të thjeshta.

Polo kujtoi edhe fillimet e saj në skenë, kur ishte vetëm 15-16 vjeç dhe këndonte në një lokal jazz me një orkestër të madhe.

“Nuk e kufizoja kurrë ekspresivitetin tim. E lija veten të lirë”.

Sot, ajo thotë se ëndrra e saj është një publik i madh që të përjetojë muzikën e saj.

“Unë mendoj që jam këngëtare që dua një stadium të madh. Jo domosdoshmërisht që të çmendem dhe të ulëras, por një stadium që ndoshta shijon thjesht Xhesikën”.

Polo foli edhe për dëshirën e saj për të qenë pjesë e skenës së Eurovision Song Contest.

“Dikur e lakmoja shumë Eurovizionin. E shihja si atë hapin e fundit, ultimat, të karrierës shqiptare”.

Por sot, ajo e sheh më me racionalitet.

“Festivali Europian është pak i mbivlerësuar. Mund të shkosh me materialin më të mrekullueshëm, por ka shumë peripeci të tjera”.

Ajo tha se do të donte të përfaqësonte Shqipërinë me identitetin e saj dhe jo thjesht duke ndjekur formula.

“Ndoshta thjesht një Xhesikë që tregon që ka dhe kështu në Shqipëri”.

Një nga momentet më emocionuese të intervistës ishte rrëfimi për humbjen e babait.

“Babai nuk është më. Unë babain tim e humba para pak muajsh”, tha ajo.

Polo tregoi se ka kaluar shumë shpejt në faza të mëdha përgjegjësish.

“Jam 29 vjeç me 50 vite eksperiencë jete”.

Ajo foli edhe për humbjen e nënës në moshën 22-vjeçare.

“Humbja e prindërve të mi pa diskutim që është gjëja më distopike që mund të përjetojë çdo njeri, e jo më çdo i ri si unë që mamanë time e kam humbur në 22 vjeç dhe babain në 29”.

Megjithatë, ajo tha se ka zgjedhur ta kthejë dhimbjen në forcë.

“Do praktikosh mirënjohjen. Do thuash: unë jam e lumtur që e pata”.

Në fund të rrëfimit, Xhesika foli për marrëdhënien me partnerin dhe dëshirën për të krijuar një familje.

“Pa diskutim që unë dhe partneri im do bëjmë fëmijë ultimat, fëmijë të shkëlqyer”, tha ajo me bindje.

Ajo tregoi se marrëdhënia e tyre bazohet te mbështetja dhe rritja e përbashkët.

“Ne çdo ditë e përmirësojmë njëri-tjetrin. Jemi gjatë gjithë kohës skuadër. Nëse thyhet një gjë, e kemi thyer të dy. Nuk ka fajtor në marrëdhënien tonë”.

Për Xhesika Polon, arti mbetet mënyra se si komunikon me botën: Jam një artiste që ka krijuar nga shpirti, me shpirt, e pakomprometuar në asnjë moment.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco