Në zemër të Pazarit të Korçës është çelur galeria “Etno Art”, një hapësirë që sjell pranë vizitorëve historinë, etnografinë dhe kujtesën e qytetit, të ndërthurura me elementë të traditës dhe artit bashkëkohor.E vendosur në një nga zonat më të bukura dhe më të vizitueshme të Korçës, galeria synon të kthehet në një pikë referimi për të gjithë ata që duan të njohin nga afër trashëgiminë kulturore të qytetit.
Kostumografja Lirika Pojani e cilëson këtë nismë si një vazhdimësi të misionit të saj për ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të traditës korçare.Sipas saj, kjo galeri i shkon shumë Pazarit të Korçës, pasi sjell në vëmendje xhevahiret e etnografisë, historisë dhe kujtimeve familjare,duke rikthyer te vizitorët atmosferën e shtëpisë së gjyshes,nostalgjinë e fëmijërisë dhe kujtesën e viteve të shkuara.
Galeria është konceptuar në tre ambiente të ndryshme.Kati i parë i kushtohet zonave rurale dhe komuniteteve, ndërsa ambienti i dytë sjell jetën qytetare korçare përmes kostumeve,objekteve familjare dhe historive që ato mbartin.Përmes këtij organizimi,synohet jo vetëm të ruhen kujtimet e trashëguara brez pas brezi, por edhe të vihet në pah roli i grave korçare në ruajtjen e traditës,përmes punës së tyre me vegjë, grep,makinë qepëse dhe mjeshtërive të tjera artizanale.
Në ndërtimin e muzeut “Etno Art”, tradita është gërshetuar edhe me modernen.Folku korçar, me ngjyrat dhe simbolet e tij, është sjellë në një formë stilizimi
bashkëkohor, duke e bërë më tërheqës për vizitorët dhe duke i dhënë një frymë të re prezantimit të kostumeve dhe trashëgimisë kulturore.
Për Lirika Pojanin,kjo ditë ka qenë e shumëpritur, pas një pune të gjatë dhe të palodhur. Në ceremoninë e organizuar me pjesëmarrjen e artizanëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, si Gjirokastra, Vlora, Shkodra dhe Shqipëria e Mesme, ajo është nderuar me çmimin “Mjeshtre”, një vlerësim që e konsideron si motivim për të vijuar më tej punën e saj dhe për ta përcjellë këtë pasuri te brezat e rinj.
Misioni i saj mbetet i njëjtë, t’i shërbejë traditës me dashuri dhe përkushtim, duke e bërë atë të njohur për vizitorët, turistët dhe komunitetin.Një vëmendje të veçantë në këtë rrugëtim ajo i kushton edhe brezit të ri, duke mbështetur të rinj që shfaqin pasion për folklorin dhe trashëgiminë, si një mënyrë për të garantuar vazhdimësinë e kësaj pasurie kulturore në të ardhmen.
© SYRI.net