Teksa kërkonte një mënyrë për të shtuar një dalje emergjence në Kapelat Mediçi të Firences në vitin 1975, drejtori i muzeut, Paolo Dal Poggetto, hasi në një mister të fshehur. Kujdestarët i kishin treguar për një derë të fshehtë nën një mobilie, e cila të çonte në një korridor të ngushtë rreth 3 me 10 metra. Dhoma rezultoi e papërshtatshme si dalje emergjence, por Poggettozbuloi diçka shumë më të jashtëzakonshme: dy shtresa suvaje kishin fshehur për shekuj skica të humbura, të vizatuara me qymyr dhe shkumës.
“Hapësira është jashtëzakonisht mbresëlënëse,” thotë AndreinaContessa, drejtoreshë e përgjithshme e Muzeve Bargello, ku përfshihen edhe Kapelat Mediçi. “Pamja e saj e ngushtë dhe e zhveshur bie në kontrast me përmasat monumentale të vizatimeve.”

Poggetto dhe studiues të tjerë besojnë se këto skica janë bërë nga Mikelanxhelo gjatë një prej periudhave më të trazuara dhe më të frikshme të jetës së tij, kur marrëdhëniet e tij me familjen Mediçi, dinastia e fuqishme që sundonte Firencen gjatë Rilindjes Italiane, u përkeqësuan. Sipas historianëve, artisti u fsheh në këtë dhomë të zymtë ndërsa përpiqej t’i shpëtonte një dënimi me vdekje në vitin 1530.
Si u kthye Mikelanxhelo kundër mecenatëve të tij më të fuqishëm
Gjatë jetës së tij, Mikelanxhelo pati një marrëdhënie të ndërlikuar me familjen Mediçi. Në moshën 14-vjeçare, ai tërhoqi vëmendjen e Lorenzo de’ Mediçit, sundimtarit de facto të Firences, i cili e mori nën kujdesin e tij dhe e rriti përkrah fëmijëve të vet.
“Ai u rrit së bashku me Xhovani dhe Xhulio de’ Mediçin, që më vonë u bënë papët Leoni X dhe Klementi VII,” thotë Contessa.
Për dekada me radhë, familja Mediçi, përfshirë edhe papët me të cilët ishte rritur, i besoi Mikelanxhelos shumë porosi të rëndësishme artistike, ndër to edhe punimet për Kapelat Mediçinë vitin 1520. Edhe pse familja ishte mbështetësja e tij më e madhe, Mikelanxhelo nuk pajtohej gjithmonë me pikëpamjet e saj politike. Në mënyrë private, ai mbështeste Republikën e Firences, e cila kundërshtonte sundimin teokratik të Mediçëvedhe synonte një formë më demokratike qeverisjeje.
Një kryengritje republikane rrëzoi familjen Mediçi nga pushteti në vitin 1527, dhe Mikelanxhelo u ngarkua, jo pa hezitim, me fortifikimin e mbrojtjes së qytetit.
“Studimet kanë treguar se Mikelanxhelo përpiqej të shmangte ekspozimin e drejtpërdrejtë politik,” shpjegon Contessa. “Vendimet e tij karakterizoheshin nga kujdes i madh, i diktuar nga nevojat profesionale dhe rrethanat e vështira të një periudhe historike veçanërisht të paqëndrueshme.”
Megjithatë, në vitin 1529, me mbështetjen e Karlit V të Perandorisë së Shenjtë Romake, Mediçët rrethuan Firencen dhe rimorën pushtetin. Papa Klementi VII u zemërua nga ajo që e konsideroi tradhti të Mikelanxhelos dhe urdhëroi dënimin e tij me vdekje.

Me kalimin e kohës, tensionet u zbutën dhe artisti u fal, me kusht që të vazhdonte punën për porositë artistike. Megjithatë, shumë historianë besojnë se për rreth dy muaj ai qëndroi i fshehur në dhomën sekrete nën kapelë.
Çfarë ndodhet brenda dhomës sekrete të Mikelanxhelos?
Dhoma përmban një pus dhe dy dritare të vogla me grila. Përmes tyre mund të shihet një rrugicë e ngushtë jashtë ndërtesës. Sipas Contessës, muret e kësaj dhome shërbenin si një lloj blloku skicash, ku Mikelanxhelo mund të ketë eksperimentuar me ide dhe të ketë zhvilluar konceptet për veprat që po realizonte.
Dhjetëra figura njerëzore mbulojnë muret, përfshirë dy figura mashkullore nudo në fluturim, të cilat ngjasojnë me shpirtrat e pezulluar në afreskun “Gjykimi i Fundit” në Kapelën Sistine. Vizatime të tjera i ngjajnë statujave prej mermeri që ndodhen në kapelën sipër dhomës sekrete, ndërsa disa studiues mendojnë se një dorë e vizatuar veçmas mund të jetë frymëzuar nga statuja e famshme e Davidit. Historianët e artit vazhdojnë të debatojnë nëse të gjitha, apo vetëm një pjesë e këtyre vizatimeve, janë vepër e Mikelanxhelos.
Mikelanxhelo nuk e përfundoi kurrë punën e porositur për Kapelat Mediçi dhe u largua nga Firencja për në Romë në vitin 1534. Pas vdekjes së tij, në vitin 1564, vizatimet e dhomës së fshehtë u harruan pothuajse plotësisht. Muret u mbuluan me suva dhe dhoma u përdor si depo qymyri deri në vitin 1955.
Pas rizbulimit dhe një restaurimi të gjerë, dhoma u hap për një numër të kufizuar vizitorësh në vitin 2023.
“Besoj se vizitorët tërhiqen kryesisht nga kurioziteti për të zbuluar një aspekt të gjeniut të Mikelanxhelos që nuk ishte menduar kurrë të shihej dhe që mbeti i fshehur për një kohë shumë të gjatë,” thotë Contessa.
Ajo shpreson që vizitorët të ndihen sikur po udhëtojnë pas në kohë dhe të përjetojnë të njëjtën ndjenjë mahnitjeje që artistët e shekullit XVI do të kishin ndier përballë veprave të papërpunuara dhe autentike të një mjeshtri të madh.
© SYRI.net