5 klasikë të letërsisë që përballen me zbrazëtinë e nihilizmit

5 klasikë të letërsisë që përballen me zbrazëtinë e nihilizmit

10:22, 12/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

A keni menduar ndonjëherë se si jeta mund të ketë kuptim në këtë botë absurde dhe në dukje të rastësishme? Pyetja nëse jeta ka një qëllim është debatuar që të paktën nga koha e Greqisë së Lashtë dhe disa nga mendjet më të mëdha të filozofisë dhe letërsisë janë përballur me të.

Në qendër të këtij debati qëndron nihilizmi, një grup filozofish që hedhin poshtë idetë themelore të filozofive të tjera. Forma e tij më e njohur është nihilizmi ekzistencial, i cili pohon se jeta është pa kuptim dhe nuk ka vlerë të brendshme. Ka edhe variante të tjera: nihilizmi moral mohon idenë se veprimet mund të jenë objektivisht të drejta ose të gabuara, ndërsa nihilizmi epistemologjik mbron mendimin se njohuria është e pamundur.

Të eksplorosh nihilizmin mund të jetë shqetësuese, pasi të detyron të përballesh me mundësinë që gjërat që i konsiderojmë të çmuara të mos mbështeten në asgjë të prekshme. Megjithatë, disa tekste klasike arrijnë të trajtojnë thellësinë filozofike të tij duke mbetur të kuptueshme për lexuesin. Këta pesë libra eksplorojnë nihilizmin ekzistencial, si në aspektin praktik ashtu edhe në atë filozofik dhe rrugët që mund të ndjekë një person kur përballet me të.

Kështu foli Zarathustra Fridrih Niçe  (1883–1885)

Image

Nëse njihni vetëm një vepër të Niçes, ka shumë mundësi që të jetë kjo. Niçe e konsideronte atë kryeveprën e tij dhe, megjithëse teknikisht është një roman, ngjarja e thjeshtë shërben kryesisht si një kornizë për filozofinë e tij provokuese.

Libri ndjek filozofin Zarathustra ndërsa ai përballet me problemet që lindin nga “vdekja e Zotit” dhe shembja e sistemeve tradicionale të vlerave, përfshirë nihilizmin dhe ndjenjën se jeta është e mjerueshme dhe pa qëllim. Niçe nuk pranon ta lërë këtë pa kundërshtim. Sipas Zarathustrës, nëse kuptimi që dikur jepte Zoti është zhdukur, atëherë një kuptim i ri duhet të vijë nga diku tjetër, pse jo nga vetë ne? Në një botë pa kuptim, njeriu duhet ta krijojë vetë kuptimin.

Një nga zgjidhjet që ofron Zarathustra është krijimi i vlerave pa iu referuar sistemeve metafizike tashmë të diskredituara, diçka që Mbinjeriu do të ishte në gjendje ta bënte. Megjithatë, Niçe pranon se kjo është jashtëzakonisht e vështirë dhe mund të mos realizohet kurrë. Teksti është i njohur për vështirësinë e interpretimit dhe debatet mbi natyrën e filozofisë së tij kishin filluar shumë kohë përpara se nazistët ta përvetësonin atë.

I huaji nga Albert Kamy (1942)

Image

Një tjetër përgjigje ndaj nihilizmit gjendet te absurdizmi, filozofi e lidhur ngushtë me Kamynë. Ai sugjeron se, kur përballemi me boshllëkun e mungesës së kuptimit, duhet të revoltohemi kundër tij, jo duke krijuar kuptim, por duke pranuar mungesën e tij dhe duke thënë: “Po çfarë pastaj?” Pikërisht kjo ide frymëzon Të huajin.

Novela ndjek Mersonë, një kolon francez në Algjeri që është thellësisht indiferent ndaj realitetit. Historia fillon me njoftimin se nëna e tij vdiq dje, ose “ndoshta pardje”. Ai endet nëpër jetë në monotoni të plotë, vret aksidentalisht një algjerian për arsye që nuk mund t’i shpjegojë dhe përfundimisht dënohet me vdekje.

Vetëm pak para ekzekutimit të tij, Meurso e pranon plotësisht faktin se jeta mund të jetë njëkohësisht pa kuptim dhe jashtëzakonisht e vlefshme. Indiferenca që e ka përcaktuar deri atëherë më në fund lëkundet. Ndërsa shumica e njerëzve do ta shihnin vdekjen e afërt si shkatërruese, Meurso rebelohet dhe përqafon jetën, pikërisht siç do të bënte një absurdist i vërtetë. Mund të duket paradoksale të përqafosh jetën sepse ajo do të përfundojë shpejt, por për Kamynë, pikërisht ky është thelbi.

Shënime nga bodrumi nga Fjodor Dostojevski (1864)

Image

Filozofitë e mëdha, dhe kritikat serioze ndaj tyre, shpesh jetojnë brenda romaneve, dhe ky shembull vjen nga autori rus i preferuar i shumë ekzistencialistëve. Ndryshe nga admiruesit e tij filozofikë, Dostojevski ishte konservator, shumë fetar dhe nacionalist. Ai e shihte irracionalitetin si pengesë për përparimin njerëzor, dhe Shënime nga bodrumi sulmonte atë që ai e konsideronte një formë të tillë irracionaliteti: nihilizmin.

Një narrator pa emër, i vetmuar dhe i izoluar, “Njeriu i bodrumit”, paraqet reflektime filozofike mbi shoqërinë përpara se të tregojë se si përfundoi në gjendjen e tij të mjerë. Ai është tepër i vetëdijshëm dhe jashtëzakonisht depërtues, por nuk arrin të lidhet me njerëzit e tjerë apo të jetojë mirë.

Njeriu i bodrumit është një karikaturë e nihilistit. Pavarësisht inteligjencës së tij të dukshme, ai është i palumtur, i padurueshëm dhe vetëshkatërrues, sepse Dostojevski besonte se ky ishte fundi i natyrshëm i nihilizmit. Ai është gjithashtu një narrator i pabesueshëm: jo gjithmonë gabim, por dikush përfundimet dhe qëndrimin e të cilit autori na paralajmëron t’i trajtojmë me kujdes.

Kështjella nga Franc Kafka (1926)

Image

Nëse ekziston një autor që mund ta bëjë lexuesin të ndiejë se jeta është një boshllëk pa kuptim, ai është Kafka. Romani i tij i fundit ndan tema me veprat e tjera të tij, por ofron një qasje të veçantë dhe surrealiste ndaj nihilizmit.

Historia fillon me “K-në.”, një matës tokash që mbërrin në një fshat të largët pasi ka marrë një thirrje. Fshati qeveriset nga një burokraci e padukshme e vendosur në një kështjellë aty pranë, dekretet e së cilës banorët i lavdërojnë si të pagabueshme dhe misterioze. K.-së i thuhet se thirrja ishte një gabim, por ai vazhdon të përpiqet të depërtojë në këtë burokraci dhe të gjejë personin që e thirri atje, pavarësisht vështirësive absurde dhe faktit se mund të largohej fare lehtë.

Romani mund të lexohet si një analizë e gjerë e nihilizmit: një njeri i hedhur rastësisht në një botë të çuditshme, që lufton kundër forcave pa kuptim dhe është i bindur se gjithçka do të marrë kuptim nëse arrin të zbulojë arsyen pse ndodhet aty. Kafka nuk e përfundoi kurrë veprën, duke i lënë problemet kryesore pa zgjidhje. Romani përfundon, në mënyrë domethënëse, në mes të një fjalie.

Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit nga Erih Maria Remark (1929)

Image

Libri i fundit në listë ndjek një qasje ndryshe. Nuk është një roman filozofik apo një argument teorik, është një kryevepër e shkruar nga një veteran i Luftës së Parë Botërore, i cili i shndërroi përvojat e tij në një nga rrëfimet më të famshme të luftës. Ndërsa librat e mëparshëm pyesin se nga vjen nihilizmi ose si duhet trajtuar ai filozofikisht, ky roman i zhyt lexuesit drejtpërdrejt në tmerret e tij.

Romani ndjek Pol Baumer-in, një nxënës gjimnazi që regjistrohet në Ushtrinë Perandorake Gjermane së bashku me shokët e klasës. Entuziazmi i tyre shpejt kthehet në traumë dhe dëshpërim, ndërsa beteja pa emër zhvillohen për disa metra baltë. Kuptimi që ata dikur gjenin te nacionalizmi dhe detyra zhduket nën zjarrin e mitralozave. Vlera pushon së ekzistuari.

Disa nga librat në këtë listë ofrojnë alternativa ndaj nihilizmit ose rrugë drejt kuptimit. Ky jo, dhe as nuk mundet. Personazhet, shumica e të cilëve vdesin, kuptojnë jo vetëm se vlerat e tyre para luftës nuk mund t’i mbijetojnë masakrës, por edhe se asgjë tjetër nuk duket se qëndron në vend të tyre. / Big Think – Syri.net

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco