VIDEO/ Nga tradita e vitit 1958 te skena e sotme, rikthimi i baletit ‘Lola’ pas 25 vitesh

21:47, 14/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Egla Xhemalaj

Pas një mungese prej një çerek shekulli, baleti ‘Lola’ rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit duke sjellë sërish për publikun një nga veprat që kanë shënuar historinë e hershme të baletit në Shqipëri.

Në emisionin ‘Odeon’, artistë të trupës së Operas dhe drejtues të produksionit kanë ndarë detaje mbi rikthimin e kësaj vepre, e cila vjen me konceptin origjinal të vitit 1958, duke ruajtur frymën e saj historike dhe artistike.

Koreografi dhe drejtuesi artistik Edi Blloshmi thekson se ‘Lola’ është një balet që i ka rezistuar kohës, duke mbartur një histori të fortë njerëzore mbi sakrificën dhe përpjekjen për të mbijetuar. Vepra ndërthur motive ruse me elemente të stilit spanjoll, duke krijuar një atmosferë të veçantë skenike dhe një gjuhë të pasur koreografike.

Në rolin kryesor vjen prima balerina Adela Muçollari, e cila e konsideron një privilegj interpretimin e figurës së Lolës. Personazhi kërkon delikatesë në interpretim dhe një ndërtim të kujdesshëm të karakterit spanjoll, ndërsa për balerinën kjo shfaqje përbën edhe një sfidë të re artistike, pasi kalon nga teknika klasike e puantave drejt një dimensioni tjetër interpretimi.

Në këtë produksion rikthehet edhe balerini Dion Gjinika, i cili e ka interpretuar këtë rol edhe më parë dhe e sjell sërish në skenë pas shumë vitesh. Sipas tij, ‘Lola’ është një balet me motive të forta spanjolle dhe me personazhe karakteri, ku dinamika e shpejtë dhe intensiteti i lëvizjes kërkojnë një interpretim të veçantë dhe të gjallë në skenë.

Produksioni përfshin edhe pjesëmarrjen e korit të Operas. Solistet Kejsi Haxhija dhe Nada Bregu bëhen pjesë e momenteve kyçe muzikore të veprës, duke ndërthurur interpretimin vokal me lëvizjet skenike dhe duke i dhënë shfaqjes një dimension të plotë artistik.

Rikthimi i baletit ‘Lola’ shënon një moment të rëndësishëm për repertorin e Operas, ngase sjellë në skenë një vepër që lidh traditën me interpretimin bashkëkohor dhe që rikthen në vëmendje një kapitull të rëndësishëm të historisë së baletit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco