SYRI TV/ ‘Lakuriq’, zhvesh të vërtetën njerëzore-Oltsen Gripshi sjell ekspozitën filozofike

15:09, 06/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ekspozita “Lakuriq” e artistit Oltsen Gripshi sjell një reflektim artistik dhe filozofik mbi qenien njerëzore duke e trajtuar atë përtej maskave, paragjykimeve dhe dogmave. Përmes 15 veprave dhe një mbrëmjeje poetike të frymëzuar nga krijimtaria e tij artisti krijon një dialog të hapur me publikun mbi të vërtetën dhe identitetin njerëzor.

Syri TV

Arti që zhvesh njeriun nga maskat dhe paragjykimet për të zbuluar thelbin e qenies. Në vijim të ekspozitës “Lakuriq” artisti Oltsen Gripshi zgjodhi një formë të veçantë komunikimi me publikun një mbrëmje poetike, ku aktorë interpretuan disa prej poezive që kanë frymëzuar veprat e tij duke krijuar një dialog mes fjalës dhe imazhit.

Ekspozita përbëhet nga 15 vepra, të cilat krijojnë një udhëtim reflektues mbi formësimin e njeriut, nga lindja deri te identiteti që ai ndërton për veten në shoqëri. Një prej veprave u prezantua fillimisht si performancë artistike duke sjellë në qendër procesin e transformimit të qenies njerëzore, kurse titulli i ekspozitës nuk është rastësor. Për artistin, “lakuriqësia” është një metaforë për të vërtetën e njeriut, të çliruar nga maskat dhe nga shtresat e paragjykimeve që shpesh e fshehin atë.

Në këtë mënyrë, ekspozita nuk mbetet vetëm një shprehje personale e artistit, por kthehet në një dialog të hapur me publikun, ku secili mund të gjejë një fragment të përvojës së vet. Për vetë Gripshin, kjo ekspozitë shënon edhe një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij krijues.

 “Lakuriq” mbetet një ftesë për ta parë njeriun përtej formave dhe përtej maskave, në thelbin e tij më të vërtetë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco