Nga Egla Xhemalaj
Me një skenografi minimaliste, nën dritën ku feksin fatet e personazheve dhe nën drithmat e gjendjeve e ndjesive njerëzore, ndërtohet ‘Djali’, një dramë e fuqishme familjare që vjen në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’.
Shfaqja trajton me ndjeshmëri përballjen e një adoleshenti me pasojat e depresionit dhe mungesën e komunikimit brenda familjes duke pasqyruar sfidat e marrëdhënieve prind–fëmijë në shoqërinë moderne.
Koncepti regjisorial i Fatos Berishës ndërtohet mbi një proces intensiv dhe të thellë artistik duke e vendosur veprën në një hapësirë surreale që përqendron vëmendjen e publikut te historia dhe emocioni.
Drama provokon reflektim duke nxjerrë në pah vështirësinë për të qenë njëkohësisht prind dhe fëmijë në realitetin e sotëm, si dhe barrën e heshtjeve që rëndojnë brenda familjes.
Në këtë univers emocional, rrëfimi merr formë përmes interpretimit aktorial, ku personazhet ndërtohen mbi përjetime të brendshme dhe konflikte njerëzore.
Aktorja Egla Ceno sjell në skenë dimensionin e një gruaje të fuqishme me një hijeshi të pashoqe. Në thelb të historisë dë dramës qëndron moskomunikimi, ndërsa familja shfaqet si hapësira ku lindin plagët, por edhe mundësia për shërim, duke ftuar shoqërinë të ndalet, të reflektojë dhe të rikthehet te empatia.
Edhe aktori Jozef Shiroka e vendos theksin te natyra ekzistenciale e veprës, duke sjellë në vëmendje delikatesën e fëmijëve përballë presionit shoqëror. Personazhet vërtiten rreth vetes, të mbyllur në një rreth të brendshëm, ku secili përballet me dramën personale dhe pamundësinë për të komunikuar.
Ndërsa aktori Arjon Pulleja thekson se moskomunikimi mbetet boshti kryesor i shfaqjes, dinamika e skenave dhe lëvizjet e shpeshta në hapësirë krijojnë një tension të vazhdueshëm dramatik.
Personazhi i Nikolasit mbart brenda vetes konflikte të forta, ndërsa elementë të caktuar skenikë përdoren si mjete artistike për të përforcuar mesazhin dhe për t’i dhënë peshë domosdoshmërisë së komunikimit mes njerëzve.
‘Djali’ flet hapur për plagët e heshtura të familjes dhe nevojën urgjente për dialog, mirëkuptim dhe ndjeshmëri njerëzore.
© SYRI.net