SYRI TV/ ‘L’elisir d’amore’, ndjenja që këndohet me humor, Donizettit vjen në Opera me lexim të ri skenik

15:27, 07/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

SYRI TV

“L’elisir d’amore” i Gaetano Donizettit vjen në skenën e TKOBAP-it me një lexim të ri skenik, që zhvendos historinë në një fshat piktoresk bregdetar dhe sjell me humor besimin tek dashuria e sinqertë. Me interpretime të spikatura, një frymë bashkëkohore dhe atmosferë mesdhetare, ky produksion është një nga ngjarjet më të veçanta artistike të muajit shkurt në Teatrin e Operas.

Opera lirike e Gaetano Donizettit, “L’elisir d’amore”, rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit gjatë muajit të dashurisë duke sjellë një histori të përjetshme ku komiciteti dhe romantizmi ndërthuren me ndjeshmëri dhe vezullime dritash.

Një lexim i ri skenik e zhvendos veprën nga fshatrat e Napolit në një fshat piktoresk bregdetar mesdhetar, ku shpaloset historia e Nemorinos djaloshit naiv dhe të ndrojtur, i cili beson se një elisir magjik mund ta ndihmojë të fitojë zemrën e Adinës së bukur. Në këtë botë poetike, elisiri shndërrohet në metaforë të shpresës, të ëndrrës dhe të dëshirës njerëzore për t’u ndjerë i dashur.

Ky produksion i ri, tashmë pjesë e fondit të TKOBAP-it, vjen me një vizion bashkëkohor që nis nga skenografia dhe kostumografia, për të ndërtuar një univers vizual të frymëzuar nga arkitektura prej guri e një fshati bregdetar. Një atmosferë e ngrohtë mesdhetare shoqëron muzikën plot gjallëri të Donizettit duke ruajtur frymën lozonjare dhe elegante të komedisë lirike.

Në rolin e Dulcamarës, baritoni i mirënjohur Gëzim Myshketa i jep jetë një personazhi plot humor, finesë dhe surpriza, duke premtuar një elisir më magjik se kurrë, që do ta bëjë publikun të qeshë, të emocionohet dhe ndoshta të besojë pak më shumë në fuqinë e dashurisë.

Ndërsa sopranoja Enkeleda Kamani, nën petkun e Adinës, sjell në skenë një figurë plot sharm, energji dhe elegancë. Një Adinë moderne në shpirt, që përveçse ka bërë për vete Nemorinon e sinqertë, është gati të pushtojë edhe zemrat e publikut.

 “L’elisir d’amore” shndërrohet në një nga ngjarjet më të veçanta artistike të muajit shkurt. Shfaqjet do të mbahen më 11- 14 shkurt, ora 19:00, në skenën e Operas.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco