Krijimi i Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë, Forumi 26, shënon një përpjekje të re për të bashkuar letërsinë shqipe përtej kufijve administrativë, duke e trajtuar atë si një hapësirë të përbashkët kulturore. Forumi synon dialog, bashkëpunim dhe ndikim konkret në politikat kulturore, me fokus te libri, gjuha dhe uniteti i letërsisë shqipe.
Letërsia shqipe ka qenë gjithnjë në qendër të debateve, për ndarjet, kufijtë, mungesën e politikave kulturore dhe hapësirave të përbashkëta. Pikërisht nga kjo nevojë për dialog dhe bashkim, në Tiranë u shpall krijimi i Forumit të Shkrimtarëve Shqiptarë, Forumi 26, një organizim i ri letrar që synon të krijojë ura bashkëpunimi mes shkrimtarëve shqiptarë, kudo ku ata jetojnë dhe krijojnë.
President i Forumit u zgjodh shkrimtari Stefan Çapaliku, zv/president Ag Apolloni, ndërsa Granit Zela do të mbajë detyrën e koordinatorit. Sipas drejtuesve, Forumi 26 lindi pas një sërë takimesh dhe diskutimesh mbi gjendjen e letërsisë shqipe dhe nevojën për një organizim gjithëpërfshirës, bashkëkohor dhe pa kufij administrativë.
Forumi i Shkrimtarëve Shqiptarë synon të bashkojë autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe nga mërgata, duke e trajtuar letërsinë shqipe si një tërësi të pandashme kulturore.
Për shkrimtarët pjesëmarrës, Forumi 26 përfaqëson një hapësirë të re reflektimi, dialogu dhe mbrojtjeje të interesave të letërsisë shqipe.
Grupi themelues i Forumit 26 përbëhet nga emra të njohur të letërsisë shqipe, ndërsa President Nderi është zgjedhur shkrimtari Visar Zhiti. Forumi synon të ketë një rol aktiv edhe në raport me institucionet kulturore, për ndërtimin e politikave të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për librin dhe letërsinë shqipe.
© SYRI.net