Që nga botimi i saj në mesin e shekullit XIX, romani Lartësitë e Stuhishme i Emily Brontës ka magjepsur lexuesit dhe ka hutuar kritikët njëkohësisht. Historia e dashurisë së zjarrtë dhe hakmarrjes së pamëshirshme ka qenë gjithmonë po aq tërheqëse sa edhe e vështirë për t'u kuptuar.
I botuar në vitin 1847 nën pseudonimin "Ellis Bell", romani u prit me reagime të përziera. Disa kritikë u shprehën të tmerruar nga "mizoria brutale" dhe nga ajo që e quajtën "një dashuri gjysmë-barbare". Të tjerë vlerësuan fuqinë dhe zgjuarsinë e veprës, duke e cilësuar përshkrimin e saj të fortë dhe të vërtetë. Shumë të tjerë thjesht e quajtën librin "të çuditshëm".
Në një epokë me norma të rrepta morale, nuk është për t'u habitur që romani tronditi lexuesit. "Njerëzit nuk dinin çfarë të bënin me këtë libër, sepse nuk ka një mesazh të qartë moral," shpjegon Clare O'Callaghan, profesoreshë e letërsisë viktoriane. Tre vjet më vonë, Charlotte Brontë zbuloi se autori i vërtetë ishte motra e saj, Emily, dhe argumentoi se kritika nuk e kishte kuptuar drejt veprën e saj.
Megjithëse Lartësitë e Stuhishme u bë një klasik që përcaktoi zhanrin gotik, keqkuptimet rreth tij vazhdojnë edhe sot. Këtë e dëshmon edhe filmi i ri i regjisores Emerald Fennell, i cili del në shkurt, me Margot Robbie-n dhe Jacob Elordi-n në rolet kryesore. Vetë Fennell ka theksuar se nuk po e "përshtat" romanin, por po bën versionin e saj, sepse historia është shumë e fortë dhe e ndërlikuar.
Një histori pasioni dhe hakmarrjeje
Struktura e romanit është komplekse: jo lineare, me disa rrëfyes dhe me kthime të vazhdueshme mes së shkuarës dhe së tashmes, duke mbuluar rreth 30 vjet. Historia tregohet nga Lockwood, një zotëri londinez dhe qiramarrës i Heathcliff-it, si dhe nga shërbyesja Ellen (Nelly) Dean. Asnjëri prej tyre nuk është plotësisht i besueshëm.
Lockwood është një i huaj kureshtar, shpesh arrogant, që shërben si syri i lexuesit për të zbuluar sekretet e së kaluarës. Nelly, nga ana tjetër, kontrollon rrëfimin dhe shpesh ndërhyn aty ku nuk duhet, duke treguar paragjykimet dhe lidhjet e saj emocionale me personazhet.
Historia shpesh etiketohet si një nga "dashuritë më të mëdha të të gjitha kohërave", por në të vërtetë është një histori hakmarrjeje. Dashuria mes Catherine Earnshaw-t dhe Heathcliff-it është e fortë, e thellë dhe e pashkëputshme, por edhe e dënuar që në fillim. Heathcliff është më shumë një antihero i torturuar sesa një figurë romantike, ndërsa Catherine është impulsive, egoiste dhe shpesh mizore.
Mjerimi i tyre krijon një cikël dhune dhe shkatërrimi që kalon nga një brez te tjetri. Struktura e romanit e pasqyron këtë: pjesa e parë përqendrohet te Catherine dhe Heathcliff-i, ndërsa e dyta te fëmijët e tyre.
Në fillim, lexuesi ndien keqardhje për Heathcliff-in. I ardhur si fëmijë jetim, ai trajtohet si i huaj dhe shpesh si shërbëtor. Abuzohet fizikisht nga Hindley Earnshaw dhe përshkruhet vazhdimisht si "i ndyrë". I vetmi ngushëllim i tij është Catherine. Megjithatë, ajo martohet me Edgar Lintonin e pasur, gjë që shënon fillimin e hakmarrjes së Heathcliff-it.
Pas vdekjes së Catherine-s, hakmarrja e tij bëhet edhe më e errët. Ai abuzon me gruan e tij Isabella-n, keqtrajton fëmijët e familjes dhe manipulon martesat për të fituar pronat. Çdo veprim i tij është i qëllimshëm dhe i ftohtë.
Trashëgimia e ndërlikuar e romanit
Shumë adaptime filmike kanë anashkaluar gjysmën e dytë të romanit, duke përfunduar historinë me vdekjen e Catherine-s. Kjo e zbut rrëfimin dhe shmang anët më të errëta të veprës. Vetëm pak versione, si mini-seriali i BBC-së i vitit 1978, janë përpjekur të tregojnë të gjithë historinë.
Sipas O'Callaghan-it, anashkalimi i pjesës së dytë nuk funksionon, sepse dashuria dhe hakmarrja janë motorët kryesorë të romanit. Emily Brontë nuk u jep lexuesve përgjigje të lehta: ajo shtron pyetje për natyrën e dashurisë, martesës dhe dhunës.
Një tjetër keqkuptim është se romani është vetëm i errët dhe nuk jep shpresë. Në fakt, ka edhe elemente humori: shërbyeset janë thashethemexhie, disa personazhe janë qëllimisht të bezdisshëm, dhe ironia e Lockwood-it shpesh është qesharake.
Emily Brontë nuk e pa kurrë suksesin e romanit të saj të vetëm. Ajo vdiq në moshën 30-vjeçare nga tuberkulozi, një vit pas botimit të librit. Megjithatë, ajo la pas një kryevepër.
Pavarësisht nëse e doni apo e urreni këtë roman, Lartësitë e Stuhishme vazhdon të tronditë dhe të magjepsë lexuesit. Dhe siç shkroi një kritik anonim në vitin 1848: "Është e pamundur ta nisësh dhe të mos e mbarosh, dhe po aq e pamundur ta mbyllësh pa thënë asgjë për të." / BBC – Syri.net
© SYRI.net