Aktorja e njohur Shegushe Bbebti, në një rrëfim të rrallë për moderatorin e A Show në Syri Tv, Adi Krasta pas 15 vitesh heshtje mediatike, ka hapur arkivat e kujtesës, duke ndarë me publikun detaje të panjohura nga jeta e saj, familja dhe vitet e arta të formimit në Akademinë e Arteve.
E lindur në një familje “24 karatshe elbasanllie”, siç e përshkruan veten me krenari, rruga e Bebetit drejt skenës nuk ishte pa sfida. Ndërsa i ati, një inxhinier aviacioni por me shpirt artisti, e mbështeti në ëndrrën e saj, e ëma kishte plane të tjera. Me një mesatare 9.5, ajo shpresonte që e bija të bëhej mjeke apo ekonomiste.
“Mamaja po, nuk donte në mënyrë absolute”, kujton Bebeti, por pasioni për teatrin, i lindur që në fëmijëri, ishte më i fortë. Rrëfimi i saj ishte jeta në Akademinë e Arteve, një periudhë e përshkruar si intensive dhe e mrekullueshme.
Përmes fotografive bardhë e zi, aktorja risjell në kujtesë një brez të artë artistësh. Një imazh nga vitet '80 shërben si një makinë kohe, duke shfaqur një grup të rinjsh plot shprehi, të cilët, pavarësisht kufizimeve të kohës, ngjasonin me protagonistët e Valës së Re franceze. Mes tyre spikasin emra që do të bëheshin ikona të artit shqiptar. Për shokun e klasës, Ylli Demneri, ajo thotë me një buzëqeshje nostalgjike: “Ylli ishte yll siç e kishte emrin”. Miqësia e tyre e ngushtë dhe orët e gjata të kaluara duke studiuar bashkë, i kishin bërë shpesh objekt të komenteve.
Megjithatë, ajo që bie në sy është forca e karakterit dhe ambienti mbështetës i kohës. “Ajo që thuhet sot me fjalët moderne, bullizimi, është një gjë që s'e kam ndjerë kurrë. Përkundrazi, të gjithë shokët, miqtë, më kanë mbështetur”, pohon ajo, duke dhënë një mesazh të fuqishëm përtej kohës.
Jashtë skenës dhe ekranit, Shegushe Bebeti fsheh edhe një talent tjetër: atë të stilistes. Ajo zbuloi se nëse nuk do të ishte bërë aktore, me siguri do të kishte ndjekur rrugën e modës, duke qenë se qep rrobat e saj që në moshën 15-vjeçare.
Ne jemi me origjinë nga Elbasani. Babin e kam nga Elbasani edhe mamin e kam nga Elbasani, nga familja Turku. Babi është nga familja Bebeti. Jemi 24 karat Elbasanlli. Dhe unë them që jam Elbasanllie dhe pse kam 60 vjet në Tiranë. Unë do të thosha që janë njerëz me kulturë. Ë, sigurisht normalja e parë u bë në Elbasan. Nuk ka familje në Elbasan që nuk ka një vajzë apo një djalë arsimtar, pra janë shumë të lidhur me arsimin. Janë njerëz që e duan shumë muzikën. Janë njerëz që janë shumë zemërbardhë dhe e kanë derën të hapur.
Unë me babin kam qenë jashtëzakonisht e lidhur. Sepse babi im ishte inxhinier në aviacion, por ishte dhe artist, ka botuar tre libra. Ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, i pëlqente jashtë mase letërsia. Unë prej tij kam trashëguar një bibliotekë gati 1000 libra që i kam në shtëpi. Mami nuk donte në mënyrë absolute, se më thoshte mua ti me mesatare 9.5 mund të bëhesh mjeke, ekonomiste, çfarë të dëshirosh. Ndërsa unë doja vetëm teatrin, sepse unë që e vogël kam qenë shumë e lidhur me teatrin. Nëse kishte njeri që më futi në rrugën e artit, në dëshirën për t'u bërë artiste, ishte babai im. Ndoshta do isha stiliste. Sepse unë qep shumë bukur prej shumë vitesh. Që 15 vjeç kam qepur vetë dhe sot e kësaj dite nuk blej gjëra të gatshme, qep çdo gjë vetë.
Piro ka qenë shoku i kursit tonë, që për fat të keq nuk jeton më. E kam pasur jashtëzakonisht mik dhe në përgjithësi të gjithë ne që jemi këtu kemi qenë vërtet një kurs jashtëzakonisht i mirë dhe shkonim shumë mirë me njëri-tjetrin. Diana Gjiknuri është regjisore, jeton në Vjenë prej shumë vitesh. Është, fillon Ylli Demneri. Ylli ishte yll siç kishte emrin. Ishte një djalë, është... Është një djalë i mrekullueshëm, është jashtëzakonisht mik i afërt me mua. Kemi qenë që në akademi. Rrinim kaq shumë kohë bashkë sa njerëzit filluan të thoshin ç'keni këta kaq shumë, sepse lexonim bashkë.
Nga të gjithë. Është një pedagog që e dua shumë dhe e dua dhe sot e kësaj dite shumë. I mrekullueshëm. Aty është... profesor Esat Oktrova. Ishte një, një burrë, jo fisnik, por një burrë i mrekullueshëm. Jashtëzakonisht komunikues, me një autoritet absolut që ta impononte që në mënyrën si të vështronte, si ecte, si komunikonte. Minella Borova, e kisha dhe mik, sepse babai im ishte shumë mik me këta, ngaqë ishte anëtar i lidhjes. Me profesor Esatin ka qenë shumë mik dhe kur kam hyrë në akademi, Esati nuk e dinte që unë isha e bija e Hysni Bebetit. Është habitur. Pastaj Nellon po ashtu, profesor Nellon e kam pasur tre vjet pedagog të fjalës artistike. Një, kam dhe një dedikim shumë të bukur në një bllok të Akademisë së Arteve që ma ka shkruar profesor Minella.
Po të flas për jetën private, ishin zgjedhjet e mia, jo kurrë. Dhe ajo që thuhet sot me këto fjalët moderne, bullizimi, është një gjë që s'e kam ndjerë kurrë. Të gjithë shokët, miqtë, si në gjimnaz, si në Institut të Arteve, nuk ma ka vënë kurrë asnjëri në dukje që të më thoshte, 'po pse kjo i ka duart e sëmura?'. Përkundrazi, përkundrazi. I kisha mbështetës, i kisha aprovues, i kisha, nuk e di, domethënë unë kam kujtime jashtëzakonisht të bukura nga instituti. Dhe aty është zonja Margarita Xhepa, që e kisha dhe atë shumë mike dhe këtu unë kam pasur rolin kryesor. Dhe mora çmimin e parë në festivalin teatror, atëherë që bëhej në Tiranë, mora çmimin e parë si aktorja më e mirë.
Do mbroja diplomën. Pastaj diplomën e mbrojta, kam bërë stazhin në Teatrin Popullor, Teatri Kombëtar sot, me një pjesë të Dhimitër Xhuvanit, kisha rolin kryesor aty dhe e mbrojta me atë. Kështu që m'u bënë dy. Ka qenë shumë intensive. Ne pothuajse, ne pothuajse gdhiheshim në Institut të Arteve. Unë shumë pak orë rrija në shtëpi. Iknim në mëngjes, bënim këto lëndët e përgjithshme, jo ekonomi politike, jo marksizmi, jo letërsia, historia e artit e thotë dhe pastaj ne në drekë kishim mjeshtri aktori, shkonim në shtëpi, një orë çlodheshim, vinim prapë, sidomos viti i dytë ka qenë jashtëzakonisht intensiv.
© SYRI.net