Në Akademinë e Shkencave u përkujtua 100-vjetori i lindjes së kompozitorit dhe akademikut Tish Daija, me një aktivitet që përfshiu ekspozitë dhe konferencë shkencore mbi krijimtarinë e tij. Studiues dhe muzikologë theksuan kontributin e përjetshëm të Daisë në formimin e identitetit muzikor shqiptar dhe mbështetjen e brezave të rinj të artistëve.
Një faqe e ndritshme e artit shqiptar. Kështu do të kujtohet përherë kompozitori, akademiku, pedagogu dhe studiuesi Tish Daija, një nga figurat themelore që i dha formë identitetit të muzikës kombëtare. Në Akademinë e Shkencave, në nder të tij, u zhvillua një aktivitet përkujtimor, që përfshiu një ekspozitë me dorëshkrime muzikore dhe fotografi historike, si dhe një konferencë shkencore kushtuar krijimtarisë së tij.
Në fjalën e tij, Gust Daija ndau kujtime nga momentet e frymëzimit të të atit dhe rrëfeu se si lindi kënga e shumëdashur "Gajdexhiu". Në një retrospektivë të gjerë, muzikologia Zana Shuteriqi nënvizoi kulmet artistike të profesorit, duke evidentuar ndikimin e jashtëzakonshëm të tij në dimensione të ndryshme të artit muzikor shqiptar.
Nga ana tjetër, akademiku Vaso Tole u ndal te kontributi i Tish Daisë në formimin dhe mbështetjen e brezave të rinj të artistëve, duke e cilësuar atë si një figurë orientuese për edukimin muzikor.
Veprimtaria artistike e Tish Daisë mbetet një univers i pamatë që përfshin të gjitha fushat e artit, duke na kujtuar se figura të tilla kërkojnë vëmendje dhe përkujdesje të vazhdueshme.
© SYRI.net