Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 22-të e protestës, mijëra qytetarë vijojnë marshimin në Tiranë, ku kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës

Në nderim të 90 vjetorit të lindjes së gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare!

Në nderim të 90 vjetorit të lindjes së gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare!

14:48, 29/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Besim Ndregjoni

“Dënimi i krimeve të Komunizmit” lidhet më fatin e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj evropiane!”

Shkrimtari Ismail Kadare, në vitin 2016, për herë të parë i drejtohet një prej institucioneve jo qeveritare që përfaqëson zërin e ish-të burgosurve e të përndjekurve politikë, në një letër ekskluzive në rastin e 25-vjetorit të themelimit, duke u bashkuar me shqetësimin për krimet e pazbardhura të komunizmit dhe zvarritjen e rehabilitimit të ish-të dënuarve që lidhen me to.

Përshëndetja e Kadaresë i drejtohet Unionit Mbarëkombëtar të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë dhe Presidentit të Unionit, Besim Ndregjoni:

Ja letra e plotë e Ismail Kadaresë: “Të nderuar miq të Unionit Mbarëkombëtar të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

Zoti President i Unionit, Besim Ndregjoni!

Me një tronditje të thellë lexova letrën tuaj. Ku ju parashtroni shqetësimin tuaj të drejtë për mosdënimin e mjaftueshëm të krimeve të komunizmit në Shqipëri, për zvarritjen e rehabilitimit të të dënuarve dhe të gjithë personave që lidhen me to. Fakti se, nuk është hera e parë që ju ngrini probleme të tilla, shton edhe më shumë dramacitetin e tyre dhe e bën edhe më të pafalshme vonesën e përgjigjes. Ju përmendni shifra ngjethëse për terrorin e regjimit komunist, për të dënuarit më burgje e tortura, për të internuarit, të pushkatuarit me gjyq e pa gjyq, për gra e klerikë të gjithë besimeve, që nuk u gjendën ende varret, për kampe të shfarosjes e gjithfarë tmerreve që mendja njerëzore e ka të vështirë t’i përfytyrojë. Ndërsa hezitimi për zbulimin e këtyre krimeve bëhet përherë e më i dukshëm, zelli për rikthimin e pamjeve të tiranisë së përmbysur, e të personazheve të saj të egër, në një ngjyrim të zbutur e gati-gati normal, sa vete e bie në sy më fort. Kjo shoqërohet me kujtime të ditëve nostalgjike, me shprehje tinëzare në trajtë maksimash: “Kështu ka qenë ajo kohë”. Ka pasur edhe gjëra të mira” etj. etj. Koha normale e një populli përfshin faza të ndryshme, herë më të mbara e herë më të vështira. Por një periudhë terrori si ajo që u përmend më lart, është e padurueshme. Një kohë e tillë dhe një histori e tillë, nuk janë kohë dhe histori e ekzistencës së një populli, por ato të shuarjes së tij. Ndaj mohimi i tyre është i domosdoshëm, një orë e më parë. Unë ju kuptoj dhe ju mbështes plotësisht në aksionin tuaj, i cili nuk ju përket vetëm juve, por drejtpërdrejt lidhet me fatin e Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane.

Me nderime, Ismail Kadare”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco