Gjirokastra, qyteti i gurit dhe i fjalës, i kushtoi një sërë aktivitetesh 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë, shkrimtarit që e bëri këtë qytet pjesë të letërsisë botërore.
Aktivitetet u organizuan në qytetin e lindjes ku Kadare u kujtua jo vetëm si shkrimtar, por si pjesë e identitetit dhe kujtesës së Gjirokastrës.
Kjo ditë përkoi edhe me 10-vjetorin e hapjes së Muzeut “Ismail Kadare” në Gjirokastër, i ngritur pikërisht në shtëpinë e lindjes së autorit.
Një hapësirë që sot është kthyer në një pikë të rëndësishme atraksioni kulturor, e vizituar çdo vit nga mijëra turistë nga e gjithë bota.
Shkrimtarë dhe intelektualë gjirokastritë e vlerësuan figurën e Kadaresë si një fanar intelektual që, në kohë të errëta dhe të paqarta, orientoi mendimin, gjuhën dhe vetëdijen e kombit. Sipas tyre, Kadare nuk ishte vetëm një autor i jashtëzakonshëm, por edhe një zë moral, që e ngriti letërsinë shqipe nga kufijtë e saj të vegjël drejt përmasave universale.
Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024, duke lënë pas jo vetëm një vepër monumentale, por edhe një boshllëk të thellë në kulturën shqiptare.
© SYRI.net