SYRI TV/ Petite Messe Solennelle, premierë në TKOB, një mbrëmje solemne shpirtërore me Rossinin

14:51, 25/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Skena e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit priti premierën absolute të Petite Messe Solennelle të Gioachino Rossinit. Me solistë të spikatur, bashkëpunim të gjerë koral dhe Orkestrën Simfonike nën drejtimin e maestro Facundo Agudin, vepra u shndërrua në një përjetim solemn dhe thellësisht emocional.

Syri tv

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit u shndërrua mbrëmjen e së shtunës  në një hapësirë shpirtërore përmes premierës absolute të një prej kryeveprave më të mëdha të Gioachino Rossinit, Petite Messe Solennelle. Një vepër ku sakralja dhe ndjeshmëria muzikore ndërthuren në një gjuhë emocionale të thellë, duke krijuar një përvojë artistike të rrallë për publikun. Interpretimi u mbështet nga një kast solistësh të mirënjohur ndërkombëtarisht: sopranoja Svetlana Aksenova, mezosopranoja Enkeleida Shkoza, tenori Klodjan Kaçani dhe basi Rubén Amoretti, të cilët sollën me finesë dimensionin shpirtëror dhe dramatik të veprës. Një vlerë e shtuar e kësaj mbrëmjeje ishte bashkëpunimi i jashtëzakonshëm mes Korit të Filarmonisë së Kosovës dhe Korit të TKOBAP-së, nën drejtimin e dirigjentëve Hajrullah Syla dhe Dritan Lumshi. Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, e drejtuar nga maestro Facundo Agudin, i dha veprës një strukturë të fuqishme dhe një frymëmarrje solemne.

Petite Messe Solennelle erdhi kështu si një dialog i thellë shpirtëror, ku arti, besimi dhe emocioni u bashkuan në një përjetim të fuqishëm për skenën shqiptare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco