Në 90-vjetorin e lindjes, Dhimitër Anagnosti u përkujtua nga familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë në një veprimtari që solli mes emocionesh jetën, veprën dhe shpirtin e tij krijues. Zëri, poezia dhe kujtimet e ndara dëshmuan se drita e tij vazhdon të jetojë përtej kohës.
Syri TV
Nga puhia e shtëpisë së përjetshme në Vuno, te kontributi i çmuar në kinematografinë shqiptare, e deri te vitet e fundit të jetës, të kurorëzuara me poezi, Dhimitër Anagnosti u rikthye në kujtesë përmes një veprimtarie që e solli shpirtin e tij të amshuar sërish mes nesh në 90 vjetorin në qiej. Familjarë, miq e bashkëpunëtorë u mblodhën për të nderuar jo vetëm emrin, por edhe dritën që ai la pas.
E emocionuar, bashkëshortja Roza Anagnosti e quajti veten me fat për vitet e bukura që ndanë së bashku, për jetën e përbashkët të ndërtuar mbi dashurinë, artin dhe përkushtimin.
Me adhurimin që shkon deri në qiej për të atin, Era Anagnosti tha se vepra e tij mbetet një testament i gjallë, që njerëzit nuk e shohin vetëm, por e ndjejnë thellë.
Me nostalgji e kujton edhe aktorja Marjeta Ljarja, e cila rrëfen marrëdhënien e ngushtë me familjen Anagnosti dhe bashkëpunimin me regjisorin, si një përvojë njerëzore e artistike të paharrueshme.
Regjisorja Driada Dervishi, e cila u kujdes me imtësi për çdo detaj të veprimtarisë, thotë se synimi i saj ishte të përcillte përmes imazhit dhe fjalës një ndjesi nostalgjie, për të rikthyer ato momente që na kanë formësuar të gjithëve.
Zëri i Dhimitër Anagnostit erdhi sërish, tamam si dikur, mes vargjeve të përshpirtshme të interpretuara nga aktorët. Dhe në fytyrat e të pranishmëve dukej sikur xixëllonte drita e tij nga përtej, i qetë, i lumtur, për gjithçka që la pas.
© SYRI.net