SYRI TV/ Ekspozita ‘Light in the Deep’ e Blerta Xhomos - Piktorja: Personazhet i lë të çlirët

15:52, 23/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një cikël veprash monumentale nga Blerta Xhomo e vendos shikuesin përballë një përvoje të thellë introspektive, ku figura njerëzore lëviz mes dritës dhe errësirës si forca që gjenerojnë zhvillim dhe vetëdije. “Light in the Deep” e lexon dritën si energji të brendshme dhe shpresë duke e kthyer pikturën nga objekt shikimi në hapësirë reflektimi.

Syri TV

Në Galerinë FAB të Universitetit të Arteve, piktorja e mirënjohur Blerta Xhomo çeli ekspozitën personale “Light in the Deep”, një cikël veprash monumentale që shkojnë përtej pamjes dhe e vendosin shikuesin përballë një përvoje të brendshme. Janë punime të krijuara në 3-4 vitet e fundit, ku figura njerëzore mbetet boshti kryesor, por e çliruar nga çdo realizëm i drejtpërdrejtë. Një realitet i ëndërruar, i tensionuar, herë i rëndë e herë i lehtë, ku njeriu lëviz mes dritës dhe errësirës, jo si kundërthënie përjashtuese, por si forca që prodhojnë zhvillim. Vetë artistja e quan këtë një rendje drejt dritës jo me destinacion të paracaktuar, por si lëvizje e lirë, e hapur, e vazhdueshme.

Kjo dritë nuk vjen si ndriçim i jashtëm, por si energji e brendshme. Një dritë që del nga përplasja e instinktit me shpirtin, nga rënia dhe ringritja, nga pasiguria dhe shpresa. Kuratorja Daniela Pronesti e lexon këtë univers piktorik si një akt rezistence dhe transcendence, ku arti tejkalon kufijtë formalë dhe bëhet përvojë ekzistenciale.

Në tablotë e Blerta Xhomos, trupi shpesh humbet formën njerëzore dhe kthehet në vorbull ngjyrash, gjestesh dhe penelatash të fuqishme. Formati monumental amplifikon këtë ndjesi, figura  përjetohet nga kundruesi.   Kritiku dhe kuratori Armand Xhomo e sheh këtë fazë si një moment pjekurie të plotë artistike, ku drita dhe errësira nuk janë më gjykime morale, por pole të barasvlershme që shtyjnë individin drejt vetëdijes.

“Light in the Deep” nuk ofron përgjigje përfundimtare. Ajo propozon një udhëtim të brendshëm, ku shikuesi ftohet të ecë mbi një terren të pasigurt, por të ndriçuar nga ideja se drita ekziston edhe në thellësi. Dhe ndoshta pikërisht aty ka më shumë kuptim.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco