Në qytetin e Korçës u zhvilluan sot një sërë aktivitetesh për të shënuar 109-vjetorin e shpalljes së Republikës Vetëqeverisëse të Korçës, një prej ngjarjeve më domethënëse në historinë e vendit, e drejtuar nga Themistokli Gërmenji më 10 dhjetor 1916.
Kjo ditë përkujtohet si një moment i rëndësishëm i ndërgjegjes kombëtare dhe i përpjekjeve për ruajtjen e integritetit territorial në një periudhë të vështirë për Shqipërinë.
Historiani Niko Kotherja prezantoi një ekspozitë të pasur me materiale origjinale, që përfshijnë dokumente të Këshillit Administrativ të Korçës, kartëmonedha të emetuara në tre seri të ndryshme gjatë viteve 1916–1918, pulla postare historike si dhe një sërë dokumentesh të tjera unike. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre materiale vijnë nga arkivi personal i stërgjyshit të tij, i cili ka shërbyer si sekretar i Themistokli Gërmenjit, duke përfaqësuar një trashëgimi të çmuar për studiues dhe historianë.
Aktivitetet u zhvilluan nën kujdesin e Këshillit të Qarkut Korçë. Kryetari i tij, Petrika Tollkuçi, theksoi rëndësinë e kësaj dite për komunitetin korçar dhe shqiptarët në tërësi.
Në kuadër të festimeve, u shpërndanë 17 certifikata mirënjohjeje për artistë, këngëtarë dhe valltarë të shquar të qarkut, si një vlerësim për kontributin e tyre në jetën kulturore të zonës. Ceremonia solemne vijoi pranë varrit monumental të Themistokli Gërmenjit, ku u nderua figura dhe sakrifica e tij.
Pjesë e veçantë e programit ishte edhe ekspozita me kostume historike dhe tradicionale nga Lirika Pojani. Në shesh u improvizua gjithashtu ngritja simbolike e flamurit, duke rikrijuar atmosferën e ditës së parë të shpalljes së Republikës së Korçës.
Këto aktivitete jo vetëm sjellin në vëmendje ngjarje të rëndësishme të historisë sonë, por shërbejnë edhe si një homazh për të gjithë ata që kontribuuan në formësimin e identitetit kombëtar dhe vetëqeverisjen e shqiptarëve.
© SYRI.net