Festivali i Poezisë për të Rinj në Berat, organizuar nga klubi letrar "Në gjurmët e Dodonës" në bibliotekën "Vexhi Buharaja", shpalli fituesit e këtij edicioni. Egla Xhemalaj u vlerësua nga juria me çmimin e parë, ndërsa të pranishëm ishin figura të njohura të letërsisë, Besnik Mustafaj, Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro, që theksuan rolin jetik të poezisë si një hapësirë ku fjala dhe ndjenja lidhen dhe frymëzojnë brezat e rinj. Çmimet e tjera u fituan nga Liridon Hyseni dhe Flavia Isufi, duke e kthyer këtë aktivitet në një festë të fjalës dhe të krijimtarisë.
SYRI TV
Në një kohë ku gjithçka lëviz me shpejtësi, poezia mbetet një strehë e brendshme. Me këtë frymë, Klubi letrar “Në gjurmët e Dodonës” në Bibliotekën “Vexhi Buharaja” në Berat solli edicionin e parë të Festivalit të Poezisë për të Rinj, duke i dhënë një tjetër dritë Ditës së Rinisë.
Juria e përbërë nga studiuesi Behar Gjoka, pedagogia dhe studiuesja Viola Isufaj, dhe gazetari Aleksandër Çipa vlerësuan prurjet e të rinjve, duke theksuar se poezia mbetet forca që ruan të bukurën në një botë të zhurmshme.
Fituesja e çmimit të parë u shpall Egla Xhemalaj me poezinë “Triptiku i Kujtesës”. Në fjalën e saj, autorja solli një reflektim të brendshëm mbi rolin e poezisë si një mënyrë për të shpëtuar çastin nga harresa.
Më tej, çmimi i dytë u dha për Liridon Hysenin me “Spektakli i sybrirëshit”.Ndërsa çmimi i tretë shkoi për Flavia Isufin.
Presidentja e Klubit “Në gjurmët e Dodonës”, Ana Tisi, vlerësoi energjinë e krijuesve të rinj dhe rëndësinë e këtij organizimi.
Përgjatë aktivitetit shkrimtari Besnik Mustafaj vuri në dukje rëndësinë e nismave që i japin tjetër frymë letërsisë, ndërsa Mimoza Ahmeti përmes një vëzhgimi foli mbi qytetin, bibliotekën dhe energjinë krijuese të të rinjve. Poetja Rita Petro ndau emocionin e të qenit pjesë e një tradite që nderon lirinë e fjalës dhe e afron poezinë me brezin e ri.
Poezia rikthen njeriun te thelbi i tij. Ajo është rezistencë ndaj harresës dhe një mënyrë për të gdhendur çaste që përndryshe do të humbnin. Siç thoshte Rilke, poezia lind nga nevoja, pasi ka fjalë që nuk rrinë dot të pathëna.
© SYRI.net