Nga Ndriçim Kulla/
Të kërkosh prioritet për kulturën, librin dhe edukimin në Shqipërinë e sotme, ndjehesh i barasvlershëm me kuptimin e saktë të një të shprehuri të tillë: “më falni, që po shkruaj për librin!”. Këtë shprehje e përligj plotësisht kjo gjendje. Ndjehesh i vetmuar, i shpërfillur sikur vjen nga një planet tjetër, kur të mbyt zhurma mbi padrejtësitë, drogën, skandalet korruptive, krimin e organizuar, burgosjet politike, luftën e klasave, gati si në një kohë lufte. Por megjithatë, historia i kundërvihet edhe situatës së luftës, sepse për librin dhe kulturën është menduar seriozisht edhe në kohë lufte.
Pra , opinion duket se është orientuar i gjithi mbi prioritete që kanë të bëjnë me demokracinë, krimin e organizuar, syrgjynosjen politike të opozitarëve, përdorimin politik të drejtësisë, trasparencën që e ka mbuluar errësira,vjedhjen e zgjedhjeve etj etj. Me të drejtë që duhet të ketë prioritete të tilla, të cilat tregojnë edhe dinamikën e shoqërisë për të përballuar të keqen.
Megjithatë, libri për arsyet që dihen, duhej të ishte në ballë të prioriteteve dhe si në të gjithë botën e përparuar demokratike, nuk duhej që të njihte krizë aq më shumë si kriza e falimentimit që po përjeton sot libri shqiptar.
Si autor librash dhe botues për rreth tre dekada mendoj se kam legjitimitetin e duhur të them, se nuk është luks të trajtosh problemet e mëdha që ka specifikisht kultura e librit shqip, së cilës i korrespondon një gjuhë e vjetër, por e kufizuar me banorët që lexojnë dhe flasin. Ky është një problem i thellë dhe i madh që ta lesh në dorën e një kryeministri drogaxhi dhe të një ministri kulture në rangun e një dispeçeri ndërmarrjeje.
Ndoshta mund të ngjajë me një déjà vu, ndoshta mund të duket e përsëritur, e papërshtatshme për kohën dhe prioritetet që kemi për objektiv, por problemi i vëmendjes që shoqëria, (sepse shteti ka vdekur), duhet t’i kushtojë librit, është njëra nga ato çështje që mbeten gjithmonë të “blerta” për nga aktualiteti. Ajo është kambana e brendshme që buçet në ndërgjegjen njerëzore, dhe që nevojitet të dëgjohet akoma dhe më shumë dhe tashti nuk po them më nga qeveria, por nga opozita, në një kohë të tillë, kur vlerat që ngulit libri dhe kultura, duhet të edukojnë çdo hap, çdo lëvizje politike dhe integruese drejt Evropës.
Mjaft ide e propozime janë bërë, mjaft tema dhe vështirësi janë shpjeguar, por ngaqë libri është aq i urtë dhe i mençur apo ngaqë ai nuk e çjerr kurrë zërin, ndoshta mendohet si i menaxhueshëm me lehtësi dhe shkujdesje. Kur e vërteta është krejt tjetër, pasi hallet dhe problemet e tij të mëdha, ngaqë janë të përditshme dhe shpesh herë objektive për një vend dhe një gjuhë të vogël dhe të kufizuar në përdorim si kjo shqipja jonë, ato duhet të nxirren çdo herë në dukje, si kujtesë për ndihmë, ose stabilizim të tregut të tij nëpërmjet instrumenteve të duhura.
Nuk mund të themi se një vëmendje e veçantë për librin, ka munguar dikur nga ana e qeverisë dhe kryeministrit Sali Berisha, ndonëse nuk u bë ajo që duhej bërë. U riaktivizuan mjaft projekte në ndihmë të shkollave dhe biblioteka shkollore, që nuk ekzistonin më parë. U ruajtën fondet, për gjatë gjithë këtyre viteve, të kanosura nga rialokimi dhe shkurtimi, duke kuptuar seriozisht për një zgjidhje të përcaktuar të problemit të librit ndërsa këto projekte këto vite pothuaj kane shterur fare. Shqipëria, para një dekade ishte një vend me kulturë dinamike, me një dinamikë të vrullshme, me një masë të madhe të rinjsh që vërshonin në tregun e punës. Të gjithë këta cilësorë kërkojnë elementë të rinj që duhet përcaktuar për të përmbushur edukimin e tyre të duhur kulturor, kombëtar dhe profesional. Më vete, libri shqip, për nga përmasat e tregut dhe ngadalësia e qarkullimit të librave në këtë treg, nuk ia ka dalë dhe nuk do t’ia dalë dot kurrë të jetë në të njëjtën gjatësi vale me afrimin e librave më të rinj, ose atij “bagazhi” të domosdoshëm librash të këtyre dekadave të fundit, sidomos për fushat teknik-profesionale dhe ato të shkencave humane (filozofi, psikologji, sociologji, etj), që u përkasin fashave të kufizuara të publikut dhe nuk e tërheqin investimin nga ana financiare. Po njëlloj, madje këtu rrezikshmëria e mos-afrimit ndaj publikut të veprave më përfaqësuese të albanologjisë e historisë shqiptare, mund të sjellë hapjen e hendeqeve të pamasë, e madje të parikuperueshëm në formimin e brezit të ri, me këto dije bazë të çdo shkolle, sistemi apo shteti që kujdeset për të ardhmen e tij.
Sivjet, panairi i librit nëntor 2025, ishte një katastrofë e vërtet. Vulën dëshpëruese dhe shkatërruese kësaj qeverisjeje për librin ia vë edhe një fakt rrënqethës. Asnjë zyrtar i lartë, as kryeministri, as ndonjë ministër as ndonjë politikan i lartë i qeverisjes nuk guxoi të bënte një vizitë në stendat e librave të këtij viti. Kjo tregon shumë.
Por nuk mund të them se pa përgjegjësi është edhe opozita e cila sipas mendimit tim, nuk ka qenë me prezencën e duhur me rolin e saj për të artikuluar vazhdimisht dhe konkretisht me detaj problemet e mëdha për librin. Branko Merxhani mendimtari shquar i viteve 30-të shek të kaluar përsëriste :“ më shumë kulturë dhe më pak politikë”.Kjo moto, duhej që ti vlej shumë opozitës së sotme në këtë drejtim.
Duhet të shqetësohemi seriozisht, se boshllëku ynë i madh në raftet e bibliotekave tona shtëpiake dhe shkollore me libra të tillë, i kalon përmasat e një nevoje të paplotësuar. Idealizmi dhe përqendrimi i mjaftë botuesve shqiptarë në botimin e librave të tillë specifikë, por themelorë për nga dijet dhe vlerat që përçojnë, edhe pse i përqendruar dhe serioz, nuk ka arritur dot financiarisht të prodhojë gjatë gjithë këtyre 13 viteve p.sh. atë kolanë klasike apo le ta quajmë atë “kategori të pashmangshme referimi” librash të shkencave humane që duhet ta ketë çdo njeri në shtëpi dhe në shkollë. Po njësoj një kategori e tillë pikash referimi mungon edhe për historinë dhe albanologjinë. E mungesa të tilla nuk duhet të kërkohen në mos-pasjen e kapaciteteve shkencore, botuese apo në vullnetin e hekurt për ta kryer një gjë të tillë.
Përkundrazi, ka mjaft shembuj që vijojnë në vite, ku botime të tillë kryhen vetëm falë idealizmit dhe kuptimit të nevojës që ka procesi i edukimit të shpirtit dhe mendjes shqiptare me produkte të tillë. Mirëpo, vështirësitë objektive të këtyre lloj librave dhe tërë librit shqip nuk e kanë bërë as urgjente dhe as të domosdoshme një dorë të qëndrueshme dhe të stabilizuar ndihme nga ana e shtetit shqiptar. Pjesmarrim shpesh nëpër panaire librash dhe shohim që edhe vende të tilla fqinjë si Maqedonia, Kroacia, Serbia, Bullgaria e me radhë, kanë një numër të madh librash të financuara ne mënyre te vazhdueshme nga buxheti i shtetit,të cilat janë të strukturuara në kolana ose sete të bukura tematike , madje psh. Maqedonia e ka deri afro një milionë euro shumën e caktuar për librin në Ministrinë e saj të Kulturës, në një kohë që kjo shumë për kulturën e librit shqip ka vite të tëra, madje gjatë gjithë këtij 13 - vjeçari luhatet po aty te 180- 200 mijë Euro. Skandal i pabesueshëm! Një buxhet i tillë do të kujtonte më tepër atë të një fondacioni apo Instituti dhe jo atë të një shteti, dhe sidomos të një popullsie me afro 4 milionë banorë ..E them me siguri se është në minimumin e limitit të një buxheti për një projekt të vetëm të një vendi të Bashkimit Evropian. Duke ndjekur informacionin e përvitshëm për shifrat e buxhetit gjithmonë në rritje, unë gjithmonë kam qenë i bindur dhe jam shprehur për këtë, se ky problemi nuk është kaq shumë financiar dhe nuk çalon aq shumë për mundësi dhënie fondesh, por për mungesë vëmendje,ndjeshmërie, argumentimi, prioriteti, përqendrimi racional dhe sidomos etikë përgjegjshmërie, që nuk e ka patur klasa politike në përgjithësi, dhe sidomos disa ministra dhe zyrtarët të lartë të sektorit përkatës.
Një tjetër instrument që gjatë gjithë këtyre 12 viteve nuk ka funksionuar kurrë, por që në botë përbën ndoshta burimin më të madh të investimeve mbi librin dhe kulturën, është edhe ligji i subvencionit të kulturës ku përfshihet edhe libri, një ligj ky i vdekur, plotësisht i varrosur nëpër sirtare tavolinash burokratësh, që për nga përmbajtja dhe mekanizmat, nuk krijon asgjë, dhe që për pasoj ka atrofizuar dhe kryer në zero çdo investim të sektorit privat apo këtij biznesi për librat dhe kulturën. Kjo është e vërtet dhe është shumë tragjike. Nëse do të riaktivizohej ky ligj duke kërkuar dhe gjetur pika të përshtatshme praktike për kushtet tona social- ekonomike dhe historike, që ti shkojë përshtat qëllimit të tij dhe përvojës mbarë - evropiane, me mekanizma stimulues dhe lehtësues për financimi ndaj një brezi specifik të kulturës, të pamundur për të mbajtur financiarisht rolin dhe pozicionin që i takon në gjithë hapësirën e identitet dhe karakter-formimit, atëherë edhe vetë buxheti i shtetit do të ndihej më i lirë për të menaxhuar më mirë investimet për kulturën. Sinergjia kulturë-biznes mund t’i japë oksigjenin e munguar tregut të librit shqip, ndaj nevojitet vetëm një vëmendje e përqendruar dhe e kujdesshme nga ana e qeverisë që të mundësohen të gjitha ato ligje dhe ndryshime strukturore që e bëjnë të qëndrueshëm dhe efektiv këtë treg.
Ndoshta nga që është i qetë, i pazhurmshëm, libri nuk duhet të harrohet apo anashkalohet, pasi çarjet e mëdha që hap në ndërgjegje, po kaq të padukshme dhe pa zhurmë ,mund të shkatërrojnë produktin edhe të shumë investimeve të mëdha mbi arsimin, edukimin dhe kulturën në përgjithësi, që nuk i kanë munguar kësaj qeverie. Nëse shikohet nga kjo barazvlerëshmëri vlerash edhe për investime të tjera më të fuqishme financiare, atëherë edhe libri e kultura do të merrnin vendin që meritojnë në gjithë planin e investimeve, duke mos mbetur prapa edhe në këtë drejtim me perspektivën integruese evropiane të cilën po priremi të formojmë.
© SYRI.net